Përkulja e pamëshirshme

Shtjefen IvezajAi e dërrmoi jetën e vet për këtë vend. Askush nuk e kuptonte se çfarë po bënte. Por, Ai vazhdoi pak e nga pak duke punuar çdo ditë që vendit tim dhe tonë së bashku ti ndërtonte një shtëpi që do të përmbledhte kulturën tonë për më shumë se gjysmë mileniumi. Pas këtij akti unik, emri i Malësisë do mbeste gjallë edhe për shumë breza të ardhshëm. Atdhetari nuk lodhet kurrë për të punuar për atdheun e vet. Këtë gjë më së miri në kohën tonë e ka dëshmuar z. Shtjefen Ivezaj, kryetar i Muzeut Etnografik, Fototekës, Filaterisë dhe Biblotekës së Malësisë.

Shumë nga Ju që do e lexoni këtë letër, do pyesni se çfarë më shtyri të shkruaj për Shtjefnin? Kemi nevojë për mirënjohje sa jemi gjallë. Për vlerësim të punës së secilit që bën për Malësinë. Shtjefni është një nga ata njerëz të rradhë, për të mos thënë i vemti i shekullit XXI, që në Malësinë tonë, shtëpinë e vet dhe pronën e vet ia dhuroi Malësisë, duke mbledhur, aq sa ka mundur, e shpesh duke i tejkaluar edhe mundësitë e veta, grumbulloi mjete të ndryshme artizanale, objekte, vegla pune të ndryshme që malësorët shqiptar i kanë përdorur në këtë vend me qindra vjet me rradhë. Ky vend nuk e njeh shkrimin, e shumë gjëra të vlefshme i ka mbuluar dheu në këtë vend duke i përpirë humnera e përjetshme. Asgjë nuk ruajmë. Tendenca jonë është për të hedhur dhe për të zhdukur çdo gjë që nuk na hynë në punë për momentin, pa ditur që përbën një vlerë historike për brezat që do vijnë. Shtjefni, si fotograf profesionist, këtë gjë e ka kuptuar shumë mirë dhe drejt. Ai mbetet simbol i ruajtjes së trashëgimisë së Malësisë ndër breza e shekuj.

Të sakrifikosh çdo gjë për të shpëtuar thesarin e jetesës së malësorëve ndër shekuj, nuk është pak. Shtjefni këtë e ka bërë edhe pse në kushte të varfërisë ekstreme, edhe pse shpesh i përndjekur nga shërbimet e atyre që deshën dhe duan të zhdukin Malësinë me farë nga sipërfaqja e dheut. Kështu, Shtjefni ndërtoi muzeun që e quajti “Muzeu Etnografik i Malësisë”, ndërsa unë do i vendos edhe një emër tjetër “Shtëpia shekullore e Malësisë”, sepse çdo malësor e shqiptar e ka vendin dhe një pjesë në atë Muze.

Historianët shkruan pak, disa që shkruan e shtrëmbëruan, në ditët e sotme ekziston një painteresim i madh për të nxjerrë të vërtetën për të kaluarën e Malësisë. Ndërsa, Shtjefni, nuk shkroi, por e faktoi, do me thënë e bëri të dukshme për të gjithë neve dhe për brezat që vijnë pas nesh. Në këtë mënyrë u përmbush fjala e Henri Bremond që: “Njeriu nuk është i dërguar për të thënë, por për të qenë”. Shtjefni la emër, namë e zë, brenda dhe jashtë kufijve të shtetit të Malit të Zi e deri në skajin më të largtë të globit.

Unë e vizitoj së paku dhjetë herë në vit muzeun, për disa arsye që do i përmend: së parit e vizitoj për nostalgjinë për paraardhësit e mi, të shoh mënyrën e jetës se si kanë jetuar, si i kanë pritur miqtë në shtëpi, si kanë punuar dhe cfarë mjetesh kanë përdorur etj. Ajo që sheh tek Shtjefni, nëse e shikon me perqëndrim dhe ndjesi, të duket sikur të kthen mbrapa në kohë, duke e parë para syve të tu mënyrën se si jetonte Malësia para 300 ose më shumë vjetëve. Arsyeja e dytë që e vizitoj Muzeun është për tu solidarizuar me Shtjefnin dhe Bashkëshorten e tij, për kushtet mizorabel në të cilat është lënë dhe jeton ky njeri i madh i vendit tonë. Kjo është arsyeja kryesore që më bën të shkruaj për Shtjefnin këtë letër. I lënë në mëshirën e fatit e shpesh herë edhe të harresës.

Shtëpinë e Malësisë Muze e kanë vizituar që nga hapja e saj, më shumë se pesëmbëdhjetë mijë vetë, ndër ta ka patur edhe personalitete të larta dhe të njohura, përfaqësues shtetesh dhe të misioneve diplomatike, klerikë, individë e të tjerë. Nuk dihet se ekziston në botë ndonjë person që shtëpinë e vetë e ka kthyer në muze, përveç z. Shtjefen Ivezaj. Dhe jo vetëm kaq, por që këtë muze ia dhuron Malësisë, vendit të Tij.

Shteti i Malit të Zi nuk e përkrah, të paktën që të kishte një rrogë me të cilën të mund të mbulonte shpenzimet minimale për jetesë, ku përfshihet edhe buka e gojës. As shteti shqiptar dhe as ai i Kosovës nuk kanë ndërmarrë asnjë nisëm për të mbështetur këtë kolos të vertetë të atdheut. Mos harroni, atje ku Shqipërisë ia kanë thyer krahët (zvogëluar kufijtë), atje gjenden njerëz që e mbajnë gjallë shqiptarizmën edhe pse për ta serviren shumë vuajtje e sakrifica deri në mjerim. Ai për ne e bëri këtë vepër të paçmuar dhe të lavdishme. Po ne, çfarë po bëjmë për Shtjefnin???!!!

Ndihmat simbolike që i kanë ardhë kryesisht nga Diaspora jonë në SHBA, nuk mjaftojnë për të kaluar edhe këtë pjesë jete që i ka mbetur Shtjefnit me bashkëshorten e tij. Atëherë, shpesh vlen edhe thënja që “Atdheu i hëngri bijtë e vet”. Ajo që është e sigurtë që do të mbesë është se Shtjefni është fortifikat përballë fortunave që u munduan të zhdukin këtë vend. Një gjë jam i sigurtë, që Ai nuk do dorëzohet përballë asgjëje. Është i vendosur që veprën e tij të shenjtë, ta mbrojë edhe me çmimin më të lartë që është JETA. Ky njeri duhet ndihmuar në çdo mënyrë nga Shteti amë dhe Kosova, e gjithsesi edhe nga Mali i Zi, e kundërta do na nxirrte ne si armiq të kulturës dhe traditës sonë duke vërtetuar thënjën filozofiko “Homo homoni lupus” – Njeriu për njeriun ujk!

Këtu duhet të jemi autokritikë. Si kuptohet mënyra pasive e veprimit tonë? Unë e di që, për fat të keq, ka ende njerëz nga Malësia që nuk e kanë vizituar muzeun. Duke mos e vizituar muzeun, do të thotë se ne nuk kemi respekt për Shtjefnin dhe as veprën e Tij. Duke mos patur respekt për Shtjefnin dhe veprën e tij, ne nuk kemi respekt për veten tonë, sepse aty shohim gjërat me të cilat punojmë ne dhe kanë punuar gjyshërit tanë. Duke mos patur respekt për vetën dhe për të parët, atëherë për kënd mund të kemi respekt? Duke mos respektuar të parët tonë dhe të kaluarën tonë, atëherë do të thotë se nuk jemi mirënjohës. Edhe pse, falë punës së tyre jemi ne të lirë sot. Duke mos qenë mirënjohës ndaj të parëve dhe trashëgimisë, tregojmë që jemi popull pa vlera. Dhe nëse ende vazhdojmë me këtë mendim dhe veprim si deri tani, rrezikojmë që do zhdukemi duke mbetur faqe e historisë, e që më keq do ishte që atë faqe të hsitorisë nuk do kishte më kush ta lexonte.

Krenaria e njeriut nuk është më e madhe se sa deri në gju. Nga shembujt biblik, lexojmë që Perëndia u kërkonte njerzve të përkulen para Tij. Të përkulesh do të thotë ta adhurosh. Ta adhurosh do të thotë se ke besim se ajo është gjëja e duhur dhe e mirë. E në këtë mënyrë, unë sot përkulem para veprës së madhe të Shtjefen Ivezaj duke shpresuar që kjo letër, sa do modeste qe është përballë punës së pashoqë të Shtjefnit, të gjejë mirëkuptim tek të gjithë ata që do e lexojnë dhe të zgjojë ndjenjën e humanitetit dhe solidaritetit.

Me nderime dhe respekt

Mr. Sc. Iur. Anton Lulgjuraj
08.VI.2015
Tuz