Portali Malesia.Org u nderua me Çertifikatë Mirënjohje nga N/Prefektura e Malësisë së Madhe (foto+video)

Koplik – Tuz , Malësi e MadhePortali Malesia.Org, sot me 24 Dhjetor 2012, në Koplik të Malësisë së Madhe, pranoi Çertifikatë Mirënjohje nga N/Prefekti i Malësisë së Madhe z. Sytki Ndrecaj.

Ceremoniali i dorëzimit të kësaj mirënjohje u organizua në zyrën e N/Prefektit të z. Sytki Ndrecaj në Koplik, i cili gjatë dorëzimit të mirënjohjes vlerësoi lart punën dhe rendësin e portalit duke uruar që kjo rrugë të vazhdoj edhe për shumë vite tjera.
“Kjo çertifikatë mirënjohje ndahet me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, për kontribut të shquar në promovimin e vlerave historike e etno-kulturore të trevës tonë Malësi e Madhe”, në mes tjerash tha Ndrecaj.

Në pranimin e mirënjohjes ishin anëtarët e stafit të portalit Gjon Gjelaj, Pjeter Gjonaj dhe themeluesi Robert Ivezaj i cili me rastin e pranimit të kësaj mirënjohje falënderoj N/Prefektin z. Sytki Ndrecaj.
“Për 12 vjet ekzistencë të portalit Maleisa.Org, në punën vullnetare në lëmin e informimit me përkujdesje të veçantë të çështjes kombëtare, kjo mirënjohje është shpërblimi më i madh që kemi pranuar ndonjë herë, prandaj është vërtet nderë dhe kënaqësi e veçantë të pranojmë këtë mirënjohje. Kënaqësia është edhe më e madhe nga fakti se ketë mirënjohje po e pranojmë me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe vjen nga një institucion i shtetit shqiptar, nga NënPrefektura e Malësisë së Madhe në krye me z. Sytki Ndrecaj, i cili me punën dhe praninë e tij në çdo festim, tubim dhe datë të rëndësishme në Malësi në të dy anët e kufirit, kontribuon në afrimin dhe bashkëpunimin e malësorëve duke dëshmuar se edhe përkundër kufirit i cili Malësinë e ndanë në dy pjesë, kemi vetëm një Malësi. Ndercaj duhet t’jetë shembull edhe për zyrtarët tjerë nga të dy anët e kufirit”, tha ne mes tjerash Ivezaj.

Përpos Çertifikatë Mirënjohje z. Ndrecaj portalit tonë i dhuroj edhe një kopje të origjinalit të Urdhrit “Nderi i Kombit” e cila ju dha Malësisë se Madhe nga Presidenti Bujar Nishani me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Në ndarjen e kësaj mirënjohje ishin të pranishëm edhe mediet lokale, TV Kopliku dhe TV Rozafa me të cilët biseduam për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen.
Ishte një pritje e ngrohtë, ashtu si malësori e ka traditë. Një zyre modeste por e pasur, në muret e të cilës ishin të shkruara historia e traditat e malësorit të shoqëruara me fotografi të prijësve malësorë. /Malesia.Org/