Reagim i diasporës ndaj përbuzjeve të simboleve tona kombëtare

shoqatat-shqiptare-ne-shba-diasporeDiaspora Shqiptare reagon e indinjuar dhe e revoltuar pa masë lidhur me përbuzjen e Simbolit tonë Kombëtar, të Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në ceremoninë e konstituimit të komunës së Gucisë.

Më datën 22 Qershor 2014 në qytetin e lashtë shqiptar të Gucisë ishte paraparë konstitutimi i komunës së porsaformuar me dëshirën e pushtetmbajtësve malazias.

Në rrjedhën e punimeve deputetët prezent proçeduan me zhvillimin e punimeve të Kuvendit të sapo formuar.

Bazuar në informacionet zyrtare të subjektit politik Lidhja Demokratike – dega Plavë-Guci, në sallën e Kuvendit nuk ishte prezent Flamuri ynë Kombëtar.

Në sallë ishin vetëm Flamuri Malazias dhe ai i komunitetit boshnjak.

Të indinjuar nga ky veprim, këshilltarët e LD – dega Plavë-Guci kërkojnë vendosjen e Flamurit tonë Kombëtar.

Kërkesat e këshilltarëve të LD injorohen në këtë Kuvend, prandaj, ata, duke mos pasur alternativë dhe duke u përulë para Simbolit Kombëtar Shqiptar, në mënyrë demonstrative i lëshojnë punimet e Kuvendit.

Ky veprim i organeve të posaformuara të Gucisë ka shkaktuar një zemërim të papërshkrueshëm të Diasporës Shqiptare me origjinë nga shteti i sotëm i Malit të Zi.
Ky veprim nuk ka të bëjë vetëm me rastin konkret, por kjo është një strategji e koordinuar dhe e ekzekutuar në mënyrë përfide nga aparati shtetëror malazias, strategji e cila është në kundërthënie të plotë me deklarimet publike të Malit të Zi se i respekton të drejtat e grupeve etnike në shtetin e tij në bazë të konventave ndërkombëtare.

Diaspora Shqiptare në SHBA dënon ashpër përbuzjen e simboleve tona kombëtare dhe do ta ngrejnë zanin në çdo instancë shtetërore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndaluar diskriminimin sistematik të të drejtave elementare të popullatës autoktone shqiptare nën Malin e Zi.
Diaspora iu bën thirrje subjekteve politike që të përulen para interesave kombëtare në raport me interesat e ngushta partiake dhe personale.

Shoqatat nënshkruese:
1. Fondacioni Plavë-Guci – New York
2. Shoqata Atdhetare “Ana e Malit” –New York
3. Shoqata Atdhetare “Malësi e Madhe” – Detroit
4. Fondi Humanitar “Malësia” – New York
5. Shoqata “Dedë Gjo’ Luli” – New York
6. Fondacioni “Dom Simon Filipaj”- New York
7. Shoqata Atdhetare “Kraja” – New York
8 .Shoqata “Ulqini” – Chicago

New York – Detroit,Chicago, më 24 Qershor 2014