Revista për kulturë, shkencë dhe çështje shoqërore “Malësia”, zëdhënëse e shqiptarëve

revista malesia

Në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, më 8 prill 2014, u prezantuan revistat kulturore-shkencore të shqiptarëve në Mal të Zi.
Sipas njohjeve tona, në promovim ishin të pranishëm: shkrimtarë, poetë e publicistë, mësues veteranë, shkencëtarë e studiues, profesorë e pedagogë nga Shqipëria dhe Mali i Zi.

Fjalën e hapjes e mbajti drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Prof. Aurel Plasari. Pastaj foli kryetari i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, prof. Dr. Marenglen Spiro.

Me interes u ndoqën dhe fjalët përshëndetëse e prezantuese të përfaqësueseve të veprimtarisë botuese nga Mali i Zi.

Nga Mali i Zi u prezantuan revistat në gjuhën shqipe: “Malësia”, “Lemba”, “Buzuku” dhe ”Dija”.

Në pamundësi të pjesëmarrjes në promovim të kryeredaktorit të revistës për kulturë, shkencë dhe çështje shoqërore “Malësia”, Nikë Gashaj, fjalën e tij përshëndetëse e lexoi Prof. dr. Emil Lafe, të cilën po e japim në vijim:

Zonja dhe zotërinj!
Miq të nderuar!

revista malesia 8Në emër të Redaksisë së revistës “Malësia” ju përshëndes përzemërsisht dhe njëkohësisht i falënderoj organizatorët: Bibliotekën Kombëtare dhe Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave në Tiranë për organizimin e këtij promovimi të revistave kulturore- shkencore të shqiptarëve të Malit të Zi.
Si themelues dhe kryeredaktor i revistës “Malësia”, kam nderin dhe kënaqësinë që vëmendjes Suaj t’i afroj disa të dhëna për revistën në fjalë.

“Malësia” është revistë për kulturë, shkencë dhe çështje shoqërore. Numri i parë i saj doli në janar të vitit 2005, në Podgoricë, Mali i Zi. Qëllimi parësor i revistës është që në faqet e saj të trajtohen çështje të rëndësishme nga thesari i vlerave kombëtare, historike dhe kulturore të popullit shqiptar. Gjithashtu, synohet të afirmohet mendimi humanist, dija dhe idetë, të cilat do të kontribuojnë në përparimin e shqiptarëve në Mal të Zi dhe në Rajon, si dhe për ardhmërinë e tyre të lumtur.

Revista “Malësia” vazhdon të jetë zëdhënëse e intelektualëve shqiptarë nga mbarë hapësira shqiptare, duke pasur si qëllim pasurimin e kulturës e të shkencës me njohje të reja dhe nxitjen e shpirtit krijues të të gjithë atyre që kanë ide të reja, vizione, mundësi dhe aftësi intelektuale.

revista malesia 7Revista “Malësia” ka gjetur përkrahje të dukshme në opinionin profesional dhe shkencor. Këtë e dëshmon rritja e numrit të bashkëpunëtorëve nga mbarë hapësira shqiptare, si dhe nga vendet tjera të rajonit, të Evropës dhe nga Amerika. Fakulteti Filologjik i Universitetit të Prishtinës e ka regjistruar tashmë në listën e revistave profesionale dhe shkencore.
Në revistën “Malësia”, krahas autorëve shqiptarë nga Mali i Zi, kanë botuar punimet e tyre edhe akademikë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës; profesorë dhe pedagogë nga Universiteti i Tiranës, i Prishtinës, i Shkupit, i Shkodrës, i Tetovës, i Prizrenit, i Durrësit, i Vlorës, i Korçës, i Elbasanit dhe i Gjirokastrës.

Gjithashtu, në revistën “Malësia” janë botuar artikuj nga studiues të Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në Tiranë; nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Prishtinë.

Në revistën tonë janë botuar edhe punimet shkencore të profesorëve dhe pedagogëve nga Universiteti i Kalabrisë, i Zagrebit, i Sarajevës, i Beogradit, i Sofjes, i Kingstonit (Kanada), i Budapestit, i Oslos dhe nga ai i Podgoricës. Po ashtu edhe artikuj të politikanëve dhe diplomatëve të lartë nga Berlini dhe krahina Meklenburg në Gjermani, si dhe studiues të tjerë.
revista malesia 6Për numrin e radhës të revistës, ndër të tjerë, kanë dërguar punimet e tyre për botim edhe studiues të njohur nga Universiteti i Harvard-it dhe ai i Palermos, si dhe autorë nga Anglia dhe Suedia.

Revista “Malësia”, që me numrin e parë të saj ka pasur përshëndetje dhe fjalë miradije e inkurajuese nga figura të dalluara të botës studimore e shkencore shqiptare, si dhe ka gëzuar vlerësime përmes recensioneve të studiuesve seriozë. Përmendim: Gjovalin Shkurtaj, Shaban Sinani, Tomor Osmani, Rusana Bejleri, Shpresa Hoxha, Tefë Topalli, Mentor Quku, Murat Gecaj, Begzad Baliu, Sabina Osmanoviq dhe Edlira Troplini.
Për hapin e mbarë dhe ndihmesat e mirëpritura të kësaj reviste flasin edhe letrat uruese e përshëndetëse drejtuar kryeredaktorit të revistës nga intelektualë të njohur të shkencës dhe kulturës shqiptare dhe më gjerë, si për shembull: Aleksandër Stipçeviq, Mateo Mandala, Emil Lafe, Zef Mirdita, Françesko Altimari, Shefkije Islamaj, Agim Vinca, Emine Bakalli, David Luka, Hamit Xhaferi, Drita Ivanaj, Ermira Babamusta, Liman Matoshi, Mustafa Spahiu, etj.

Revista “Malësia” ka arritur një fizionomi kulturore e shkencore të gjerë kombëtare shqiptare. Për këtë arsye redaksinë e revistës e përbëjnë një numër i njohur intelektualësh nga rajonet e ndryshme, jo vetëm shqiptare, por edhe ballkanike.

revista malesia 1Revista “Malësia” është periodike dhe del një herë në vit. Ajo është e renditur në sistemin ndërkombëtar të publikimeve. Deri më tani janë botuar tetë (8) numra të revistës me rreth 2500 faqe gjithsej. Në numrat e deritanishëm të “Malësisë” kanë publikuar punimet e tyre 190 autorë. Prej tyre, 135 doktorë shkencash, akademikë e profesorë universitetesh nga rajonet e shumta shqiptare dhe më gjerë. Autorët e tjerë janë specialistë dhe publicistë të njohur nga fushat e ndryshme shkencore.
Revista “Malësia” ka qenë dhe do të jetë e hapur për të gjithë dijetarët e kulturës shqiptare; për njohjet e tjera shkencore që kanë rëndësi dhe interes për afirmimin e kulturës dhe qenies kombëtare shqiptare.

Ju faleminderit!
Nikë Gashaj

Fjalë e paraqitur në promovimin e revistave kulturore- shkencore të shqiptarëve të Malit të Zi (“Malësia”, “Lemba” “Buzuku” ,”Dija”), 08 prill 2014, Biblioteka Kombëtare Tiranë. Bashkorganizatorët: Biblioteka Kombëtare dhe Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave, Tiranë .