Shpallet Republika e Iliridës


shpallet-republika-e-ilirid-euml-s_2_hdI pakënaqur nga pozita e shqiptarëve në Maqedoni, kryetari i Lëvizjes Kombëtare Ilirida, Nevzad Halili, ka shpallur të enjten Republikën e Iliridës, e cila sipas tij duhet të funksionojë si njësi e veçantë federale brenda Maqedonisë.

Para dhjetëra qytetarëve të tubuar në sheshin Skënderbeu në Shkup, Halili tha se Maqedonia duhet të funksionojë si shtet i dy republikave të barabarta.

“Kërkojmë që Republika e Maqedonisë unitariste të ridefinohet si union konfederal i Republikës së Iliridës dhe Republikës së Maqedonisë sipas modelit të dikurshëm Serbi dhe Mali i zi. Ne kërkojmë që të formohen organet qendrore dhe nacionale, por me përfaqësim të barabartë të dy republikave dhe dy etniteteve brenda kufijve ekzistues dhe në mënyrë paqësore”, deklaroi Nevzad Halili, Kryetari i Republikës së Iliridës.

Republika e Iliridës sipas ideatorit të saj Nevzad Halili do të shtrihet nga qyteti i Manastirit deri në Kumanovë, ndërsa kryeqendra e saj do të jetë Shkupi. Halili, kërkoi nga Parlamenti në Shkup, të nis procedurën për federalizmin e vendit përmes njohjes së Republikës së Iliridës, pasi Marrëveshja e Ohrit edhe pse e ndali konfliktin e vitit 2001 nuk arriti të sigurojë barazi mes shqiptarëve dhe maqedonasve.republika e ilirides

“Udhëheqësit shqiptarë në Maqedoni, qoftë në pozitë apo opozitë sa herë që dalin para popullit, e mashtrojnë dhe gënjejnë atë me përalla se shqiptarët këtu janë komb shtet formues. Kjo aspak nuk është e vërtetë”, shtoi Nevzad Halili, kryetari i Republikës së Iliridës.

Një nismë e ngjashme për shpalljen e Republikës së Iliridës, që zyrtarisht nuk u njoh asnjëherë, u ndërmor edhe në vitin 1992, kur shqiptarët mbajtën një referendumi për autonomi politiko-territoriale në Maqedoni, të pakënaqur nga statusi i tyre në Kushtetutën e vendit. / Top Channel/MALESIA.ORG/