Thaçi në Podgoricë, asnjë fjalë për shqiptarët në Mal të Zi (video)

Hashim-Thaci-Igor-LuksicZëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Hashim Thaçi mbërrini mbrëmë në vizitën e tij të parë në Mal të Zi.

Ashtu siç kemi raportuar mbrëmë, edhe pse në rrugën e tij për Podgoricë, kaloi për kryeqendrën e Malësisë, nuk e pa të arsyeshme të ndalojë as për disa minuta.

Por injorimi ndaj shqiptarëve të Malësisë nuk përfundon me aq.
Pas takimit me homologun malazez Igor Luksic, të dy ministrat mbajtën konferencën për gazetarët ku të dy vlerësuan marrëdhëniet e mira në mes Malit të Zi dhe Kosovës, gjë e cila sipas tyre, është shembull për rajonin.

Ata gjithashtu folën për marrëdhëniet ekonomike, demarkacionin e kufirit, kthimin e të shpërngulurve, integrimet në BE dhe NATO si dhe për statusin e malazezëve në Kosovë, por në asnjë moment nuk u përmenden shqiptarët në Mal të Zi.

Thaçi premtoi se komuniteti malazez në Kosovë do të shtohet edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe se kjo veç është në përpunim e sipër. Ai tha se është i lumtur se Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë çështje të hapura.

Në lidhje me protestën kundër vizitës së tij, e cila po mbahej disa qindra metra larg ndërtesës ku po zhvillohej takimi, Thaçi tha se Mali i Zi është një shtet demokratik dhe se ata kanë të drejtë të shprehin atë që ndiejnë.

Pas konferencës për shtyp, Thaçi takoi edhe Kryeministrin malazez, Milo Djukanovic, Kryetarin e Parlamentit Ranko Krivokapic dhe Presidentin Filip Vujanovic.

Në konferencë për shtyp ishte një numër i madh gazetarësh në mesin e të cilëve ishte edhe televizioni shqiptar TV Boin nga Tuzi.

Pas konferencës ishin të rezervuar disa minuta për pyetjet e gazetarëve drejtuar dy ministrave, por për shkak të kohës së limituar TV Boin nuk pati mundësi të parashtroj pyetjet e gazetarit.

Megjithatë, siç njofton TV Boin, ata kontaktuan stafin e delegacionit të Kosovës dhe fituan premtimin se pas takimeve të parapara, Thaçi do të përgjigjet disa pyetjeve të këtij televizioni. Megjithatë edhe pas një pritje prej disa orësh kjo nuk u realizua.

Pas takimeve në Podgoricë, Thaçi me delegacionin e tij udhëtuan për në Ulqin, ku do të takohet me Kryetarin e Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka dhe me disa përfaqësues politik shqiptarë. /MALESIA.ORG/