“Toka jonë”, Plava dhe Gucia

rudina xhunga plave e guciMe Pogradecin një javë më parë “Shqip” nisi ciklin e emisioneve kushtuar turizmit. Kësaj jave ndalesa ishte jashtë kufijëve shtetërorë, por jo jashtë shqiptarëve. 

Në Plavë dhe Guci, dy “margaritarët me bukuri si askund tjetër në Europë”, sic thotë akademiku Rexhep Qosja, ku flitet shqip, dhe jo vetëm për turizmin, por për shumë më shumë. Flitet për historinë, kulturën, identitetin e banorëve të kësaj zone dhe detyrat e Tiranës së pari e mandej të Prishtinës për ta ruajtur këtë identitet.

Një “Shqip” i pazakonshëm i gazetares Rudina Xhunga me të ftuar të pazakonshëm. Në pjesën e parë në panel ishte akademiku Rexhep Qosja, që rikthehet në vendlindjen e tij dhe historiani Pëllumb Xhufi.

pjesa 1

pjesa 2

pjesa 3

“Vendlindja është e dashur dhe nuk thuhet kot se kudo që të shkojë njeriu merr vendlindjen me vete. Por kjo është një vendlindje e vecantë, një vend i vecantë. E gjithë lugina e Plavës dhe e Gucisë quhen Bjeshkët e Namuna. Është vend me bukuri të jashtëzakonshme. Zvicra është një lulishte e Europës, megjithatë këtë bukuri nuk e ka. Pjesë e bukurisë së këtij vendi është historia e tij, histori jo e zakonshme, në pjesën më të madhe të kohës tragjike”, nisi fjalën e tij akademiku Rexhep Qosja.

Sa historike është zona mjafton të lexosh edhe vargjet e Lahutës së Malsisë për betejën e Nikshiqit.

“Është një betejë shumë e rëndësishme historike. Është beteja më e madhe dhe të parat të Rilindjes Kombëtare për mbrojtjen e tërësisë territoriale të shqiptarëve. Është betejë që ka ndodhur në fshatin ku ka lindur poeti shqiptar Esad Mekuli. Në atë betejë kanë marrë pjesë shqiptarët e Plavës dhe Gucisë. Kongresi i Berlinit i ngriti në këmbë. Pas vendimit të këtij Kongresi populli është mobilizuar. Është një prej luftërave të para të cilën nuk mund ta quajmë luftë lokale, sado luftërat shqiptare për fat të keq kanë qenë lokale, në të kanë marrë pjesë shqiptarë prej pjesës që tani është Shqipëri, Krasniqi dhe prej Dukagjinit. Beteja është bërë në Nokshiq. Mali i Zi ishte me një ushtri të rregullt të komanduar nga Mark Milani me origjinë shqiptare, që e pranon edhe vetë. Kur kanë ardhur forcat shqiptare prej Dukagjinit, Rugovës, Prizrenit e Pejës, ata u kanë rënë pas shpine malazezëve dhe i kanë hedhur në lumë. Malazezët humbën betejën. Të dhënat tregojnë se sa të mirëorganizuar ishin njerëzit për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë. Në këtë betejë ka marrë pjesë edhe Tringa me origjinë nga Hoti. Sot anëtarët e familjes së saj jetojnë në Amerikë. Sot njëra nga këngët më të bukura të Lahutës së Malsisë është kënga kushtuar Tringës”, rrëfen Profesor Qosja.

A është krenare sot Plava dhe Gucia për këto luftëra? A ka shenja a njerëz që tregojnë këtë?

“Për fat të keq, për historinë shumë të pasur të Plavës dhe Gucisë, për historinë shumë tragjike të saj, historianët shqiptarë kanë shkruajtur shumë pak dhe rrallë ose fare. Nuk dihet gjërësisht, në masë ashtu sic duhet historia e Plavës dhe e Gucisë. Nuk ka kujtime për këtë luftë? Nuk kujtesë. Do të bëhet, por kanë kaluar shumë vite”, shton Qosja.

Pse e ka mbajtur larg historia Plavën dhe Gucinë?

“Kjo është një zonë e thellë, si shumë zona të thella. Historia e Shqipërisë ka pulsuar shpesh në këto zona malore të largëta ku popullsia ka qenë popullsi e qendrueshme. Por historitë që janë shkruar në këtë zona, për fat të keq nuk kanë hyrë në lapsin e historianit. Vetë popullsia nuk ka patur intelektualë që të mund të shkruanin historinë e tyre dhe historia është përcjellë gojarisht nëpërmjet këngëve dhe rrëfimeve. Por nuk mungojnë faktet historike dhe për periudha edhe më të hershme se ajo e Lidhjes së Prizrenit. Këtu ka kaluar një rrugë shumë e rëndësishme që vinte nga Deçani dhe shpresoj që të bëhet sot, sepse do të ishte me një rëndësi jetike, ashtu si rruga që e lidhe me Malësinë e Madhe që e zbret në Shkodër. Kjo rrugë ka qenë e rrahur në Mesjetë dhe nga kjo rrugë na vijnë dëshmi shumë interesante. Dëshmia e parë për gjuhën shqipe. Është një ngjarje që ndodh, nuk është përcaktuar në cilën pjesë të rrugës është bërë. Ka qenë një karvan tregtarësh nga Raguza (Dubrovniku i sotëm) të cilët në një moment të caktuar u sulmuan nga një popullsi dhe kur u pyetën në gjyq në Dobrovnik se kush i sulmoi, tregtari nuk diti të thotë gjë tjetër por thotë; ‘unë nuk di, por dëgjova një zë në mal që thirri në gjuhën shqipe’. Kjo është dëshmia e parë e gjuhës shqipe dhe jepet nga kjo zonë”, thotë historiani Pëllumb Xhufi.

Xhufi shtoi se shqiptarët shtriheshin më në veri, madje këtë e dëshmojnë, sipas tij, edhe fotot e hershme nga pazari i Sanxhakut, ku shihen malësorë shqiptarë. Por për fat të keq, vijoi ai, ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë një asimilim i shqiptarëve që ka nisur që nga Bosnja, ka zbritur në Sanxhak dhe vazhdon në Plavë e Guci.

“Është segmenti fetar që ka luajtur rol në këtë rast. Shumë shqiptarë sikur janë të lodhur nga të qënit shqiptar. Ka shqiptarë të tillë që gjejnë një shkak dhe një sebep për të ndërruar kombësi. Kjo ka ndodhur në veri dhe në jug të Shqipërisë dhe po ndodh për fat të keq. Sebepi që e lejon është feja, që lejon një ndryshim të butë të kombësisë, jo traumatike”, u shpreh Xhufi.

Të dhënat zyrtare nga Komuna e Plavës dhe e Gucisë flasin për një popullsi prej rreth 13 mijë banorësh, nga të cilët vetëm 19 përqind janë shqiptarë, 60 përqind janë boshnjakë. Por sa të vërteta dhe të besueshme janë këto të dhëna?

Për akademikun Rexhep Qosja janë krejtësisht të manipuluara. Ai thotë se të gjithë ata të regjistruar si boshnjakë janë në të vërtetë shqiptarë.

“Mali i Zi pas Luftës së Parë Botërore, dhe sidomos pas Luftës së Dytë Botërore u ndryshoi mbiemrat të gjithë shqiptarëve duke u vendosur prapashtesë –viç. Edhe Mbretëria Jugosllave gjatë procesit të kolonizimit nuk i ka shënuar shqiptarët si shqiptarë, por i ka shënuar si muslimanë. Të dhënat zyrtare të Malit të Zi janë të falsifikuara, të rrejshme deri në fund”, thotë akademiku Qosja.

“Ky është një proces që këtu ka ndodhur shumë herët, që në Serbinë e mbretërve të parë serbë që kur pushtuan për herë të parë Malin e Zi dhe Kosovën në shekullin e XII. Papë të Romës në atë kohë protestonin ndaj mbretërve serbë që shqiptarët katolikë i conin në kishat serbe dhe i ripagëzonin në ortodoksë dhe të merrnin një emër sllav”, tha Xhufi.

Ai shtoi se kjo tendecë vazhdon edhe në ditët e sotme. “Shikoni fshatin Martinaj, një fshat krejtësisht i pastër shqiptar në hyrje të të cilit është tentuar të ndërtohej një kishë ortodokse që nuk ka asnjë lidhje me historinë e këtij fshati. Që prej pushtimit të zonës është tentuar disa herë një gjë e tillë, është tentuar në Luftën e Parë Botërore, por atëherë u la sepse erdhën forcat austriake. Shikoni tani në 2014 tenton të ndërtohet prap dhe ka patur edhe përplasje mes banorëve dhe atyre që kërkojnë ta ndërtojnë. Dëgjova që ka patur edhe të arrestuar. Një reminishencë e vjetër rikthehet në kohë moderne”, deklaroi Xhufi.

Dhe si për të mos mjaftuar gjithë politikat asimiluese ndër vite, që vazhdojnë edhe sot, shqiptarët e Plavës dhe të Gucisë duhet të përballen edhe me harresën e shtetit shqiptare, ose më saktë, dy shteteve shqiptare.

“Ndër vite qeveritë shqiptarë këto treva i kanë lënë jashtë projeksionit të tyre, jashtë interesave. Shteti shqiptar, ai që duhej të bashkonte shqiptarët, t’i motivonte ata, shpesh ka bërë të kundërtën”, thotë historiani Xhufi.

Rexhep Qosja përcolli shqetësimet dhe këndvështrimin e banorëve të zonës sa i përket qendrimeve të Tiranës dhe Prishtinës ndaj Malit të Zi.

“Shqipëria shumë po e përkëdhel Malin e Zi. Pse? A s’kanë shqiptarët probleme? Kanë shumë probleme. Dëgjojmë që në Tiranë dhe Prishtinë flitet për Luginën e Preshevës dhe mirë bëhet, por përse të mos përmenden edhe shqiptarët e Malit të Zi. Përse Shqipëria si shteti amë ku kanë kërkuar shpëtimin të gjithë shqiptarët që kanë mbetur jashtë kufijve, mos të merret me shqiptarët e Malit të Zi?”, deklaroi Rexhep Qosja duke i apeluar Shqipërisë dhe Kosovës që të merren më shumë për Plavën e Gucinë, e vecanërisht të ndërtohet rruga Plavë-Deçan dhe rruga për në Shkodër.

Pjesën e dytë në panelin e “Shqip” ishin dy dy nxënëse, Njomëza Gjonbalaj dhe Dafina Bruçaj, gjimnaziste të gjimnazit “Beqo Bashiç”  të Plavës dhe profesori i tyre i tyre Mushak Gjonbalaj. Dy nxënëset folën për vështirësitë që hasin në arsimimin e tyre nga mungesa e librave shqip.

Në pjesën e tretë të ftuarit ndryshuan sërish. I ftuar ishte kreu i Komunës së Plavës, Orhan Shahmanoviç, eksperti i turizmit Skënder Thaçi dhe sipërmarrësja Halë Gjonbalaj.

“Falenderoj Top Channel që promovon turizmin në Plavë dhe Guci dhe ju kërkoj ndjesë shikuesve që nuk flas shqip. Nëse me jepni kohë, për një vit do ta mësoj gjuhën shqipe. Në vitet ’70 Plava dhe Gucia kanë patur numër vizitorësh më të madh se Budva. Shqiptarët e duan një bukuri të tillë. Na lidhin shumë gjëra të përbashkëta, historia, kultura, tradita dhe të njihemi më shumë me njëri-tjetrin”, deklaroi kreu i Komunës, Shahmanoviç.

Eksperti i turizmit, Skënder Thaçi një ndër personat më aktivë në promovimin e zonës rrëfen: “Para katër vitesh isha në një panair në Gjermani ku promovova Kosovën dhe Shqipërinë. Këtu mungonte Mali i Zi, Plava dhe Gucia. Duhet të bëjmë të mundur të promovojmë këtë trekëndësh, që turistët të njihen me bukuritë e Alpeve shqiptare, se shqiptare janë”, tha ai.

***

Plava dhe Gucia, dy margaritarë gjeografikë

Një shkrim nga Rexhep Qosja posaçërisht për emisionin “Shqip”  

Në kohën e Rilindjes Kombëtare, Plava dhe Gucia ishin dy qytete shumë të çmuara dhe shumë të rëndësishme shqiptare. Sa dhe pse ishin të çmuara dhe të rëndësishme atëherë, e tregojnë edhe studimet e autorëve shqiptarë dhe të huaj që kanë shkruar, cilët më pak e cilët më shumë, për këto qytete. Por sa ishin të çmuara Plava dhe Gucia e tregojnë edhe vargjet që ua kanë kushtuar dy prej poetëve më të mëdhenj kombëtarë: Naim Frashëri dhe, sidomos, Gjergj Fishta.

Pse ishin atëherë ashtu të çmuara dhe aq të rëndësishme Plava e Gucia? Ato ishin të rëndësishme si qytete shqiptare së pari, për arsye gjeografike dhe ekonomike. Ato ishin qytete të cilat natyra i kishte vendosur në zemrën e Bjeshkëve të Nemuna, duke i rrethuar me bukuri të jashtëzakonshme: me visore magjike, me bjeshkë, me male, me kodra, me lugina, me liqene, me lumenj, me shena, me përrenj, me burime, me bimësi të shumëllojshme dhe me shtazë të egra të llojllojshme. Prej tyre, në Shkodër, në Pejë, në Gjakovë, në Prizren, në Shkup, madje, edhe në Raguzë eksportoheshin druri, në mënyrë të veçantë pishat shumë të çmuara, lëkurat, bulmetrat, leshi, pemët e ndryshme. Për këto prodhime vendore aty, thuhet dhe shkruhet, vinin tregtarë, madje, edhe prej Raguzës – Dubrovnikut të sotëm, që prej Mesjetës së hershme.

Në kohën e Rilindjes Kombëtare, përpos se ishin të rëndësishme për arsye gjeografike dhe ekonomike, Plava dhe Gucia do të bëhen jashtëzakonisht të çmuara për shkak të luftës atdhetare kundër pushtimeve të Serbisë dhe të Malit të Zi. Siç dihet historikisht, Plava dhe Gucia do të bëjnë luftën e parë atdhetare në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër sulmit pushtues të Malit të Zi. Dhe, kjo luftë e parë e Rilindjes do të bëhet në fshatin e njohur Nokshiq, jo shumë larg Plavës. Luftën do ta organizojnë Ali Pashë Gucia me parinë e vendit, por në të do të marrin pjesë edhe shqiptarë prej Rugovës, prej Dukagjinit, prej Krasniqes, prej Çeremit e Valbonës dhe prej Shalës e Thethit. Ishte kjo jo vetëm lufta e parë e Rilindjes sonë Kombëtare kundër pushtimeve të Serbisë e të Malit të Zi, por ishte lufta e parë pothuaj gjithëkombëtare e Rilindjes sonë kombëtare.

Ishte kjo luftë kombëtare për të mbetur Plava e Gucia çka kishin qenë gjithmonë: krahinë përbërëse e tokave shqiptare, krahinë përbërëse e Shqipërisë etnike.

Shqiptarët do ta mbrojnë Plavën e Gucinë prej pushtimit të Malit të Zi në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por nuk do të mund ta mbrojnë në kohën e Luftërave Ballkanike. Dhe, si ta mbronin? E kishin të pamundshme të luftonin kundër fuqive të mëdha evropiane, kundër Rusisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, të cilat, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër do të vendosin pa kurrfarë të drejte as historike, as etnike, që krahinën e Plavës dhe Gucisë t’ia dhurojnë Malit të Zi!

Prej atëherë këto dy qytete shqiptare, këta dy margaritarë në gjerdanin e qyteteve shqiptare, nuk do të jenë kurrë më as të rëndësishme, as të çmuara siç kishin qenë para vitit fatal 1912. Ato nuk do të zhvillohen; ato nuk do të rriten as me popullsi shqiptare e as me mirëqenie jetësore. Përkundrazi: politika që do të bëjë Mali i Zi ndaj tyre, politika shpërfillëse, madje asimiluese, do të sjellë boshatisjen e tyre të ngadalshme por të vazhdueshme prej popullsisë shqiptare. Kjo politikë, në mënyrë më pak a më shumë të sofistikuar, po vazhdon edhe sot.

Shqipëria dhe Kosova e kanë për detyrë kombëtare dhe demokratike të bëjnë çka edhe mund të bëjnë që Republika e Malit të Zi ta ndryshojë politikën e saj të sotme, të përshkuar prej trysnish të ndryshme, ndaj popullsisë së Plavës e Gucisë. Dhe të bëjnë çka mund të bëjnë me qëllim që Krahina e Plavës e Gucisë – ky margaritar natyror gjeografik, me bukuri të papara diku tjetër në Evropë, të ruajë karakterin etnik që e ka pasur gjatë historisë së saj dhe të bëhet parajsë e ardhshme turistike. /Top Channel/

Korrigjim ndaj rrëfimit të z. Rexhep Qosja:
“Në këtë betejë ka marrë pjesë edhe Tringa me origjinë nga Hoti. Sot anëtarët e familjes së saj jetojnë në Amerikë. Sot njëra nga këngët më të bukura të Lahutës së Malsisë është kënga kushtuar Tringës”

Në historinë shqiptare njihet një Tringë, Tringë Smailja (Tringa e Grudës), dhe ajo është e bija e Smajl Martinit, Bajraktarit të Grudës.
Në luftëra të mbrojtjes së Hotit dhe Grudës, Smajlit i vriten dy djemtë, Zefi dhe Gjoni, kurse pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit Smajli internohet në Azi nga ku nuk kthehet më.
Veprimtarinë patriotike Tringa e vazhdon me kushëririn (djalin e axhës) Dedë Nikën, i cili pas internimit të Smajlit trashëgon bajrakun.
Smajl Martini nuk la pasardhës të drejtpërdrejtë, por që pasardhës të asaj familje jetojnë edhe sot në Malësi. /MALESIA.ORG/