Tomë Gjokaj, një jetë e tërë në shërbim të kombit dhe atdheut

Tome GjokajDitë më parë Malësia e Madhe ka shënuar 104 vjetorin e kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911, me ngritjen e flamurit në Deçiç, duke i paraprirë shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar në vitin 1912 në Vlorë. Në këtë ditë, me 6 prill e cila njihet edhe si dita e Malësisë, janë përkujtuar edhe shumë heronj e veprimtar të çështjes shqiptare në periudha të ndryshme të historisë së lavdishme të popullit shqiptar, heronj dhe veprimtar që me punën, dhe sakrificën e tyre i bënë nder Malësisë së Madhe, por gjithë andej trojeve shqiptare. Një ndër ta, në mos ndër flamurtarët që nuk kurseu asgjë nga vetja e tij për çështjen e Kosovës, por edhe për çështjen shqiptare në përgjithësi ishte malësori, tribuni i çështjes kombëtare, udhëtari i lirisë Tomë Kolë Gjokaj nga fshati Muzheq të Trieshit në Malësinë e Madhe në Mal të Zi. Toma si i ri, normalist i Shkollës Normale “Hysni Zajmi” në Gjakovë, i brumosur me trimërinë e malësorit të trashëguar brez pas brezi nga fisi Gjokaj, një ndër fiset më të mëdha të Malësisë së Mbi Shkodrës, të njohur për trimëri dhe bujari, si axha i tij Tomë Nika, bashkëluftëtar i kryetrimit Dedë Gjo Lulit, të cilin me dekretin e presidentit të Shqipërisë Dr, Sali Berisha në vitin 1993, nderohet me Urdhëron për veprimtari Patriotike të Klasës së Parë, dhe i etur për dituri të trashëguar dhe frymëzuar nga babai i tij, Kolë Gjonë Gjokaj, ndër mësuesit e parë në Malësi dhe mik i çmuar i profesorit dhe plakut te pajtimeve Anton Çettës, Toma, do ta ndjente thellë në shpirtin e tij peshën e robërisë dhe padrejtësisë që ju bëheshin bashkëkombësve të tij gjithandej pjesëve të ish Jugosllavisë. Pas mbarimit të Normales në Gjakovë, Toma për një periudhë , do të punonte si mësues në fshatrat e Klinës, deri në vitin 1972, kur edhe emigron në ShBA, si shumë bashkëkombës të tij nga pjesa e Malësisë së Madhe, të shtyrë nga varfëria, pabarazia dhe presioni i politikës serbo-jugosllave. Por Toma as në ShBA, nuk qëndroi indiferent për asnjë moment ndaj çështjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavinë e diktatorit Tito, por krahas punës së tij, ai po mblidhte dhe po i ftonte gjithandej shqiptarët nga Malësia e Madhe për ti bërë një grusht, grusht ky që do ti ishte i rend për pushtuesit serbo-jugosllav, dhe një grusht i çeliktë ne rrugën drejtë lirisë së shqiptarëve. Ai aktivitetin e tij do ta vazhdonte në Shoqatën Panshqiptare “Vatra” si njëri nga anëtarët më të zellshëm dhe më aktiv të saj, duke bashkpunuar më personalitet më të njohura të shqiptarëve në Amerikë, si Martin Camaj, prof. Arshi Pipa dhe shumë personalitet të tjera të mërgatës shqiptare në tokën përtej oqeanit atlantik si dhe me përfaqësues politik, shkrimtar e publicist nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Toma ishte anëtar i Rrethit të Ngushtë Senatorial Republikan, të Partisë Republikane, anëtarësim ky që ishte përshëndetur dhe inkurajuar edhe nga vete presidenti i ShBA-ve, Gjorgj Bush, plaku, në një letër personale drejtuar Tomë Gjokajt. Toma ishte i pari shqiptar që me ftesë personale nga presidenti Gjorgj Bush i vjetri , të marrë pjesë në inaugurimin e tij si president i ShBA-së. Me shtimin e terrori shtetëror të Serbisë mbi shqiptarët dhe Kosovën, Toma do të angazhohej fuqishëm  për ndriçimin e shkeljes së të Drejtave të njeriut në Kosovë, për ta sensibilizuar opinionin dhe institucionet amerikane me terrorin serb që po ushtrohej mbi popullin shqiptar në Kosovë. Ai në komisionet e kongresit dhe senatit amerikan, dhe në shtypin amerikan të asaj kohe, do të njoftonte mbi vrasjen e të rinjve shqiptar në ish armatën popullore të Jugosllavisë, të cilët propaganda serbe i plasonte në opinion si vetëvrasje të të rinjve shqiptar në ish APJ-në. Tomë Gjokaj, do të jepte një kontribut të madhe kur në vitin 1990, delegacionet serbe dhe shqiptare do të ballafaqoheshin  para komisionit për dëshmi të kongresit amerikan, ku Toma përmes presioneve të tij dhe lidhjeve që kishte vënë me shumë personalitet amerikane, si kongresist dhe senator, si Gjozef Diogradin, Tom Lantosh, ,Villiam Broonfield,Bob Dol, dhe shumë të tjerë, bëri që delegacioni nga Kosova ti zgjatej dëshmia edhe për një orë më shumë nga se  ishte paraparë më agjendë. Në drejtim të sensibilizimit dhe njohjes amerikane me çështjen e Kosovës, Tomë Gjokaj do të përgatiste dhe do ta financonte vizitën e dyshes së kongresmenëve amerikan në Kosovë, Gjozef Diogradin dhe Tomë Lantoshin në vitin 1990, të cilët për fat të keq pasi mbrrijnë në Beograd, autoritet serbo-jugosllave nuk iu lejojnë vizitën në Kosovë. Toma, krahas angazhimeve të tij me diplomatë të lartë amerikan për përkrahje të zgjedhjes së drejtë të çështjes së Kosovës dhe demokratizimit të Shqipërisë e cila kjo e fundit akoma po lëngonte nga pasojat e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës për dyzet vite e më shumë, Toma do tu dilte në ndihmë shumë organizatave dhe klubeve shqiptare, revistave dhe gazetave që shtypeshin asaj kohë, si dhe kishave dhe xhamive të shqiptarëve në ShBA. Pra Toma, krahas angazhimit të tij politik, ai ndër komunitetin shqiptar në Amerikë , njihej edhe si humanist i madh që nuk kursente asgjë nga ana materiale që e kishte fituar me sakrificë , mund dhe ndjerës për të ndihmuar çështjen shqiptare në përgjithësi, deri në kohën kur një dorë e zezë kriminale do të shkrepte plumba në trupin e Tomës. Patriotizmi, atdhedashuria, përkushtimi, humanizmi, dinjiteti dhe respekti, ishin tipare qe karakterizuan personalitetin e Tome Gjokajt, qe e bene te dashur dhe te respektuar në mesin komunitetit shqiptar në Amerikë, por edhe më gjerë në viset ku jetonin shqiptarët. Njërzit si Toma, nuk vdesin, ata i ruan Historia.

Toma mik i ngushtë i presidentit Rugova

Tomë Gjokaj, ishte mik dhe përkrahës i ish presidentit historik të Kosovës, tashmë të ndjerë, Dr. Ibrahim Rugova. Në një nga takimet e tij, me ish presidentin Rugova, në maj të vitit 1990, në një vizitë të delegacionit nga Kosova, të prirë nga ish Presidenti Rugova, Toma në shenjë admirimi dhe respekti, do ti bënte dhuratë presidentit tonë, një orë dorë në vlerë prej 5000 dollarësh amerikan, orë të cilën presidenti  Rugova do ta mbante gjatë në dorën e tij. Ndërsa me rastin e vrasjes së Kolës, presidenti Rugova në telegramin ngushëllues drejtuar familjes Gjokaj, në ShBA, do të shprehej se humbja e Tomës, ishte një humbje e madhe jo vetëm për familjen por për gjithë shqiptarët. Ndër të tjera presidenti Rugova në telegramin ngushëllues vlerësonte lartë kontributin e Tomë Gjokaj, në drejtim të zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe ndërkombëtarizimin e sajë.

Janari që “ngriu” zemrën e Tomës, por jo fjalën dhe veprën e tij

Muaji janar, sikur ka hyrë në  historinë shqiptare si një nga muajt me tragjik dhe më të përgjakur për shumë nga personalitetet dhe veprimtar të çështjes së shqiptare në etapa dhe periudha të ndryshme të rrugëtimit për liri dhe pavarësi të Kosovës. Dora e zezë e shërbimit serbo-jugosllav që po në janar të vitit 1982, vrau patriotët Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Po ashtu në janar të vitit 1991,kjo  dorë e zezë e shërbimit serbo-jugosllav do të shtrihej edhe përtej atlantikut duke vrarë veprimtarin dhe patriotin Tomë Gjokajn, i cili ishte bërë halë në sy për autoriteteve serbo-jugosllave,një demaskus i propagandës së tyre anti shqiptare dhe një sensibilizues për dhunën serbe ndaj shqiptarëve në opinion amerikan. Vrasja e Tomës, pikëlloj gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë, Malësinë e Madhe dhe gjithandej ndër shqiptarë, në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, por edhe miqtë e tij të shumtë amerikan me të cilët Toma, bashkëpunoj ngushtë për çështjen e Kosovës dhe demokratizimin e Shqipërisë. Familjes Gjokaj në Amerikë dhe në Malësi iu përcollën shumë telegrame ngushëlluese me rastin e vrasjes së Tomës, personalitet nga Kosova, Shqipëria, Amerika dhe Diaspora shqiptare ne Europë. Shtypi i asaj kohe në gjuhën shqipe, por edhe një pjesë e mediave të huaja, akuzonin drejtpërsëdrejti shërbimin serbo-jugosllav për vrasjen e Tomës. Me rastin e mbajtjes së fjalimit në funeralin e Tomë Gjokajt, ish kongresisti amerikan, mik i madh i popullit shqiptar, Gjozef Diogardi do të shprehej se me vrasjen e Tomës ai kishte humbur jo vetëm një mik, por krahun e tij të djathtë në procesin shumë të rëndësishëm për  ndërkombëtarizimin dhe fuqizimit të çështjes së Kosovës në Amerikë dhe më gjerë. Se sa vlerësohej puna dhe aktiviteti i Tomë Gjokajt nga autoritet amerikane, tregon fakti se pas dy ditësh se vrasjes së tij, edhe pse ditë e shtunë, ambasadori amerikan në Beograd,Voren Zimerman, do të hapte ambasadën për dy orë, për t’i pajisur familjarët e Tomës nga Trieshi i Malësisë së Madhe, me viza për të marrë pjesë në varrimin e tij. Por janari që “ngriu” zemrën e Tomës, nuk e ngriu dot fjalën dhe veprën e tij e cila e bë amanet për bashkëveprimtarët dhe shqiptarët gjithandej Amerikës, për tu shndërruar në një kushtrim dhe ideal në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës, për të cilën Toma dha gjithçka nga jeta e tij.

Tomë Kole Gjokaj

Lindi në vitin 1947 në fshatin Triesh të Malësisë së Madhe

Shkollën fillore e mbaron në vendlindje ndërsa në vitin 1963, regjistrohet në Shkollën Normale “Hysni Zajmi: në Gjakovë.

Ndërsa nga viti 1968 punon si mësues në shkollat në Komunën e Klinës.

Në vitin 1972 emigron në ShBA

Ndërsa më 10 janar, 1991, gjendet i vrarë në veturën e tij në Nju Jork

Nexhat HAZIRI