Trieshi, djepi që përkundi njerëz të mëdhenj

Nga Gjekë Gjonaj

Sipas burimeve të Venedikut, Trieshi përmendet në vitin 1416. Në burimet turke përmendet në vitin 1485. Sipas gojëdhënës shumica e trieshjanëve e ka origjinën nga Ban Keqi. Por origjina e vërtetë e këtyre banorëve të ritit të krishterë, të cilët sipas disa studiuesve janë të fisit ilir labeat, të ngulitur nga lashtësia në këtë vend pasiv shkëmbor, pa burime ujore, me prodhimtari të kufizuara, mbetet e diksutueshme.
Trieshi është një nga zonat më të thella malore në të gjithë trevat shqiptare në Malin e Zi dhe gjithashtu nga më të izoluarat e tij për sa u përket rrugëve të komunikimit me zonat e krahinat e tjera me të cilat ajo kufizohet. Shtrihet në shpatet e tri maleve: Suka e Grudës, Gjytetëza dhe Kazheniku. Përbëhet nga këto fshtara ( katunde) malore: Rudinë, Nikmarash, Muzheçk, Budzë, Stjepoh, Delaj, Bëkaj, Poprat, Cemi i Trieshit dhe Llopar. Trieshi gjithashtu është i kufizuar nga ana juglindore me malësinë e Vermoshit por, për shkak të mospasjes lidhje me rrugë automobilistike me këtë zonë të Shqipërisë, pengohet komunikimi me vëllezërit në anën tjetër të kufirit. Deri në këtë vendbanim pasiv shkëmbor, pa burime ujore, me prodhimtari të kufizuara, mund të arrish rrugës së ngushtë gjarpërore të asfaltuar që shpie nga qyteti i Podgoricës në drejtim të Kuçit. Largësia nga Podgorica ( kryeqytet i Malit të Zi), është vetëm 20 km. Trieshjanët, sipas disa historianëve e studiuesve janë të fisit ilir labeat, të ritit të krishterë. Ata përmenden qysh herët, në analet e historisë së popullit shqiptar. “ Trieshi shtrihet në nji luginë malore ku për tokë buke janë punue ato gropa, ndër të cilat, kullon mali. Vendi përgjithësisht asht i thatë, as s’ka ujë qi e njomë, as s’ka landë as blerim t’a hijeshojë, vetëm buzë shpijavet aty-këtu shihet ndo’i mand a bimë tjetër, mjellë e rritë përdhuni. Kollomoqi bahet, por me të veshtir veç fortë të mira bahen kërtollat e laknat e bardha. Ma fortë se me tjetër, Trieshi rrnon me gja të gjallë. Sa e vrazhdë natyra aq ma i shëndosh asht vendi, aq të bukura i shtrohen para pamje e panoramë q’i syni me kënaqë shkon tue përcjellë larg e larg”- shkruan Atë Anton Harapi.
Origjina dhe fiset
Rreth prejardhjes së trieshjnaëve ka mendime të ndryshme. Disa historianë dhe hulumtues pohojnë se një pjesë e trieshjanëve janë autoktonë, kurse pjesa tjetër janë të ardhur. Sipas burimeve të Venedikut, Trieshi përmendet në vitin 1416. Në burimet turke përmendet në vitin 1485. Sipas gojëdhënës shumica e trieshjanëve e ka origjinën nga Ban Keqi. Por zanafilla e vërtetë e këtyre banorëve të ngulitur në këtë vend pasiv shkëmbor mbetet e diksutueshme. Në Triesh jetojnë në harmoni të plotë këto fise: Cacaj, Gjurashaj, Gjonaj, Gjokaj, Gjeloshaj, Margilaj, Arapaj, Nikollaj, Ujkaj, Lekoçaj, Nikprelaj, Gashaj, Palushaj, Gegaj, Prenkoçaj, Dukaj, Gjuravçaj, Gjonlekaj, Lucaj, Dedivanaj, Micakaj dhe Memçaj.
Krenaria e kombit

E, si për të plotësuar më bukur këtë zonë, Zoti e populloi me banorë fisnikë e trima, të mençur e të urtë, saqë u bënë të njohur dhe fama e tyre i kaloi kufijtë e Malësisë; e zëri i tyre u bë legjendë. Trieshi nxori më shumë intelektualë se çdo bajrak tjetër i Malësisë në raport me popullsinë. Kush nuk ka dëgjuar për vëllezërit Mirash dhe Nikollë Ivanaj, djemtë e Dodë Ivanit dhe nipat e Lekë Ivanit. Mirashi punoi në Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë. Ai zë një vend të rëndësishëm në panteonin e personaliteteve më të shquara atdhetare shqiptare, deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Intelektual erudit, reformatori Mirash Ivanaj, njeri i guximshëm i arsimit kombëtar shqiptar, jurist, pedagog, organizator dhe drejtues i talentuar i shkollës shqiptare, publicist, kronikan, filozof e poet.
Ndërkaq, Nikolla ishte ndër gazetarët më të njohur në tërë bregdetin shqiptar dhe dalmat. Ishte një ndër penat e spikatura, duke bashkëpunuar pa u lodhur me njerëzit e shquar të kombit shqiptar, si liberatorin e madh Luigj Gurakuqin, Hil Mosin, Risto Siliqin, Pashko Vasën, At Gjergj Fishtën.
Kujtojmë këtu edhe intelektualin Atë Athanas (Lucë) Prëlokë Gega, doktor i shkencave historike pranë Universitetit Lavain të Belgjikës, autor i dy veprave “Invazioni turk në shekullin XV” dhe “ Arbëria dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe i një fjalori.
Përveç këtyre, do thosha kolosëve të kombit, nuk mund të mos e përmendim Karl Gegën, i cili mendohet ( supuzohet) të ketë qenë me origjinë nga Trieshi. Ai ishte ministër i telekomunikacionit në Austri, njëri nga arkitektët më të mëdhenj të njerëzimit, i cili renditet në grupin e 100 austriakëve më të famshëm, pranë Mozartit, Maria Terezës, Jozefit, Kafkës etj. Studiuesit e veprës së tij thonë se ai projektoi dhe ndërtoi hekurudha malore në Austri, në lartësi rreth 1000 metra mbi nivelin e detit.
Lista e intelektualëve trieshjanë, madje me tituj shkencorë të profileve të ndryshme, është e gjatë dhe për ta mund të shkruhet një libër i veçantë, andaj edhe nuk po i përmend të tjerët, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në zhdukjen e analfabetizmit jo vetën në Triesh, por edhe në trevat e tjera të Malësisë dhe kanë dhënë ndihmesa të mëdha në edukimin e brezit të ri shqiptar dhe në kulturën dhe shkencën shqiptare në përgjithësi.

Shkollimi i trieshjanëve

Trieshjanët mësimet e para në vendlindje i morën në gjuhën joamtare-sllave. Kjo ndodhi jo me vullnetin e tyre, por për shkak të imponimit të Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi, e cila në vitin shkollor 1887/1888 hapi shkollën e parë në Triesh në gjuhën sllave, e cila vazhdon të punojë deri në vitin shkollor 1916, kur mësimi zhvillohet për herë të parë në gjuhën amtare-shqipe. Drejtori aktual i shkollës fillore nëntëvjeçare të Trieshit, Zef Gjuravçaj, poet e publicist, me të cilin mbajë kujtime të pashlyera ndër të tjera edhe si mësimdhënës i kësaj shkolle, e cila që nga viti 1968 merr emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, na njofton për historikun e pasur të kësaj vatre të vërtetë të arsimit e kulturës, që laujti rol të madh në shkollimin e trieshjanëve.
Gjuravçaj shprehet se nga viti 1879 deri në vitin 1887 fëmijët trieshjanë e kanë ndjekur mësimin në shkollën e Ublave të Kuçit dhe shton se për shkak të largësisë dhe pozitës së pavolitshme gjeografike në inisiativën e trieshjanëve, por me përkrahjen e krerëve të
Kuçit , Ministria e Arsimt e Malit të Zi lejon hapjen e shkollës shtetërore – fillore në Triesh.
– Shkolla në Triesh u themelua në vitin shkollor 1887/1888 me seli në fshatin
Bëkaj.Mësimi zhvillohet në gjuhën joamtare – sllave.Mësuesi i parë është Mitar Ivanoviq nga Bajica e Cetinës.
Sipas të dhënave që i kemi në dispozicion pothuajse,gati çdo vit shkollor, mësuesit ndërrohen.Gjatë kësaj periudhë (1887-1916) mësues më të dashur e më të suksesshëm janë Nikollë Radovanoviq nga Kuçi ( Nikollë Duça) siç e quanin vendasit, njohës i mirë i gjuhës shqipe dhe Tomë Smajl Gjeloshaj nga fshati Nikmarash i Trieshit.
Gjatë viteve shkollore 1916/1917 dhe 1917/1918 në shkollën e Trieshit mësimi zhvillohet për herë të parë në gjuhën amtare – shqipe.Përmendën mësuesit: Mirash Kërstiq, Josip- Zef Rela dhe Patër Leonard Shajaku.( emri civil: Zefi i Lucit Shajaku) Këta dy të parët arbreshë nga Zara,
kurse i treti nga Ljara e Krajës.
Me krijimin e Mbretërisë së SKS-së në vitin 1918 sërish mësimi zhvillohet në gjuhën sllave – serbe dhe deri me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore shkolla funksionon, por me ndërprerje të vogëla dhe vepron në kushte tejet të vështira.
Në vitin shkollor 1945-1946 rifillon zhvillimi i mësimit në gjuhën shqipe.
Në vitin 1959/60 hapet klasa e pestë me perspektivë të rritet në shkollë tetëvejeçare,kurse në vitin 1962/63 rritet në shkollë të plotë tetëvjeçare. Themelohet shkolla Amë me seli në Stjepoh me paralele të shperndara në Poprat,Triesh i Poshtëm dhe Cem i Trieshit.
Me plot respekt ndaj gjithë atyre mësuesve që punuan nga themelimi e deri me rritjen e shkollës në tetëvjeçare: – periudhë e artë e arsimit të shkollimit të brezit të ri trieshjan fillon me mësuesit e parë të diplomuar:Lucë Lucaj, Prelocë Margilaj, Gjergj Hasanaj, Gjon Gjonaj, Vasil Margilaj, Pjetër Gjuravçaj,Ndue Lekoçaj, Prelë Gegaj, Gjergj Gjokaj …të gjithë nga Trieshi të cilët pas shërbimit nëpër zonat e Malësisë kthehen në shkollën e vendlindjes.Më pas duhet përmendur edhe kontributin e mësuesve Nushë e Viktor Perkaj dhe të Pjetër Micakaj dhe shumë emëra të tjerë të mësuesve e arsimtarëve të gjeneratave më të reja që më pas punojnë në këtë institucion edukativo – arsimor .
Në propozim të kolegjiumit arsimor të shkollës, Kuvendi i Komunës së Titogradit me Vendimin numër 01/1535,datë 11.03.1968 Shkolla e Trieshit të Epërm siç quhej deri atëherë merr emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Mësuesja e parë e vendlindjes është Katarinë Gjuravçaj,aktualisht edhe tani ligjëron në ciklin e lartë – gjuhën e huaj.Shembulli i saj pati jehonë tejet të madh tek të rejat shqiptare dhe më pas hapin e saj intelektual e ndjekën masovikisht nga atëherë e sot
shumë vajza malësore.
Në vitin shkollor 2008-2009 shkolla tetëvjeçare rritet në nëntëvjeçare kur edhe fillon implementimi i reformës së re shkollore në shkollën Amë dhe në tri paralelet e shpërndara Triesh i Poshtëm (Rudinë),Poprat dhe Cem i Trieshit.

Drejtorët që drejtuan këtë institucion nga themelimi e deri më sot janë: Gjergj Hasanaj (1962/1972) , Prof.dr Pjetër Gjuravçaj (1970-1974), (1978- 2004) ,Gjon Margilaj ( 1974-1978) ,Zef Gjuravçaj (2004 – 2008) (2008 – …
Shkolla me rastin e 100 vjetorit është laureate e Urdhërit Bashkim Vëllazërim me Kurorë të Argjendtë,kurse punëtorët e arsimit – drejtori – dr Pjetër Gjuravçaj dekorohet me Urdhërin për Merita të Popullit me Yll të Artë, Lucë Lucaj me Urëdhërin e Punës me Krahë të Artë, kurse mësuesit Gjon Gjonaj dhe Prelë Gegaj u shpërblyen me Urdhërin e Punës me Krahë të Argjendtë
Me rastin e 121- vjetorit të themelimit dhe të ekzistimit të shkollës – Drejtoria e këtij institucioni shpërbleu këta punëtorë me Mirënjohjen për Avanacimin e Arsimit të Trieshit ish drejtorët: Prof.dr Pjetër Gjuravçaj,Gjon Margilaj dhe posthum Gjergj Hasanaj , pastaj mësuesit Vasil Margilaj, Prelë Gegaj, Pjetër Micakaj,Tomë Dedivanaj dhe posthum Gjon Gjonaj , Nusha Perkaj dhe Gjergj Gjokaj..
Drejtori i shkollës dr. Pjetër Gjuravçaj është bartës i shpërblimit komunal
për lëmin e arsimit ”Iskra ‘’(Shkendija) dhe laureat i Shpërblimit më të lartë për lëmin e arsimit në nivelin republikan ”Oktoih’’.
Shkolla e Trieshit mbi një shekull ekzistimi dhe veprimtarie u bë vatër e vërtetë e arsimit e kulturës.U bë tempull i denjë i dritës dhe i diturisë.Gjatë ekzistimit radhitën semimaturantët e brezit të ri.Në analet e shkollës shenohen rezultate të lakmueshme në mësim,jo vetëm në procesin mësimor,por edhe në aktivitete e veprimtari shkollore e jashtëshkollore.Bilanci i sukseseve është tejet i madh .Nga kjo shkollë dalin mësuesit e parë që rrezatojnë me dijen e vet jo vetëm Trieshin,por edhe mbarë Malësinë. .Nga kjo vatër e diturisë nuk dolën thjesht mësues,por arsimtarë,profesorë,inxhinierë, gazetarë,publicistë,shkrimtarë,por edhe mjekë,magjistër,doktora shkencash,piktor madje dha edhe ministra të arsimit të kombit…
Sot trieshjani kudo rrezaton me dijën e vet,që njohurit e para i mori nga kjo shkollë.Rrezaton kudo.Edhe këtu edhe në diasporë.Edhe në ish republikat jugosllave,edhe në Evropë.Edhe në Amerikën e Kanadanë tejoqanike.Edhe në Australinë e largët.
Si radhë simotra tjera shkolla e Trieshit është fituese e shumë mirënjohjeve të larta.Andaj ,me krenari duhet ta kujtojmë e rikujtojmë rrugën e saj të gjatë e të lashtë,por të begatshme në edukimin e arsimimin e brezit të ri të Trieshit mbi një shekull të punës dhe veprimtarisë së saj. ( shënim i Zef Gjuravçaj)

Luftëtarët trima të lirisë

Trieshi, përveç intelektualëve, ka nxjerrë edhe shumë burra e trima patriotë me famë e me zë, të mirënjohur në tërë Malësinë e Madhe e përtej saj, duke u përmendur gjithnjë si shembull i mirë e burim frymëzimi, në luftërat historike që ka zhvilluar Malësia. Nga kjo krahinë malore tipike dinarike dolën burra trima, që kanë hyrë në historinë e krahinës, duke luftuar me armë në dorë krah për krah me njëri tjetrin në luftërat e njëpasnjëshme për mbrojtjen e trevave të tyre nga turqit dhe sllavët si dhe për të ruajtur etnosin ilir e besimin katolik, siç janë: Marash Mark Gjeloshaj, kapidan i vendit, Dedë Lokja Gjeloshaj, kapidan Nikë Zekë Gjeloshaj, Gil Doshi Margilaj, n/toger Dedë Nishku Lucaj, major Gala Smajli, kapidan Mark Gali Lekoçaj, kapidan Gjelosh Toma Ujkaj, kapidan Sokol Luca Ujkaj, bajraktar Pepë Prela, Nikë Luca Ujkaj, oficeri Vatë Ujkaj, bajraktar Gilë Maçku Lucaj, pastaj Gjeto Gjeka Arapaj, Lucë Gjon Mati Gjonaj, Mal Vuksani Gjurashaj, Mal Vata Gjurashaj, Ujk Gali Dedivanaj, Gjon Nikë Gjeloshi, Dedë Husi Nikprelaj, Dedë Prëli Nikollaj, Marash Ujka Cacaj, Baca Nikë Gjokaj e shumë trima të tjerë të pushkës. Trieshjanët ndër shekuj, u kanë dalë zot me besë gjithmonë këtyre maleve, që ishin çerdhe e ngrohtë e jetës së tyre. Ata kanë luftuar kundër taborreve të ushtrisë turke, duke shkruar faqe të lavdishme në historinë e krahinës. Bajraktarët e vojvodët trima e djemtë sokola trieshjanë rrëmbyen armët dhe luftuan për ruajtjen e tokave shqiptare, duke filluar që nga viti 1717 e deri në Luftën e Dytë Botërore. Lufta më e gjatë e trieshjanëve, sipas historianëve, është në Urën e Lemajës, në Cem të Trieshit, në vitin 1907, ku luftuan kundër garnizoneve turke gjashtë ditë dhe netë derisa ushtria turke mori ikjen dhe u kthye andej nga kishte ardhur:
Krisi pushka ushtoj Cemi,
Malot Gjeka fort gajreti,
Fort gajreti e trim si zana
Filloj luftën me nizama
Me nizama filloj luftën,
Me Mal Vuksanin e Luc Gjon Matin
,Me Cub Smajlin e Maluk Vatën
Prelok Gjeloshi burr’daji,
Qet kushtrimin me buri.
Te tan Trieshi a kushtrimuo,
Dy sokola ën kab’ i’n çuo;
Ën kab’ i’n çuo kta dy sokola:
Mark Gjeloshi e Zef Toma.
Kta dy djelm si dy dajllar,
Ën Ur’ t’ Lemajës përrin ma t’par’.
Maluk Vata u ka than:
Hallali u kjoft ju tabli nan’s,
Çpejt ën dim na kini arll.
Tan Trieshi a bashkuo,
Me nizama tye luftuo,
E fishekt u kan mëguo
Mal Kaculi ën kab’ çuo,
/Te kapidani kjeka shku
Xhebehanet i ka marr’,
E tan Trieshit ja ka da,
Jaj Tosh Leka trim mejdanit,
E Marka Gjeka i Gjek Ivanit,
Ja kan pre kta kryet nizamit.
Zef Le
k Staka si dajllar,
Po viket aj porsi zan’:
S’ta lshoj tokën për t’gjall!
Jaj Ded Preçi djal daji,
Djelve Kojës u ka pri,
Ën Luk t’Cemit paskan hi,
I paska shkuo Trieshit ën dim
Stojan Nikolla komadir,
Komadir e komandar,
Me Nik Zekën kjeka arll
Jaj Nik Zeka trim drakuo,
/Merr i letër për me shkruo,
Gjelosh Tomës me ja çuo
Thot Mark Milli; — Ama muo
Se u’nizamin nuk e druo.
Gjelosh Toma djal i ri,
Djelve s’Bekajve u ka pri
Me Stak Çakun tyej ra buris’
Ën Qye t’Grabomit kjeka shkuo
Karaullën e kan rrethuo
Elle pushkën jav kam filluo.
Jaj Luk Toma trim si zan’
Merr do shok, e del ën at an
Ball për ball aj me nizam’
Mirash Preka burr dajllar,
Me Luc Dedën i flet dy fjal.
Jaj Luc Deda po viket,
Fran Bacit po naj thrret
Bini burra t’bajm’gajret,
Se prej zotit ni kojft’ kismet;
Ni kjoft’ kismet e ni kjoft’gjykuo
Sot nizamin duom me çuo.
Ik nizami e ka lshuo.
Djelt e Trieshit po bajn gajret,
/Nuk dvesin kral as mret,
Por luftojn gjasht dit e net.
Gjasht dit e net kan luftuo
As s’jan pet’ as s’jan varruo
E nizamin e kan çuo,
Tok’n e bab’s e kan liruo
Ka tije krali e ka tije mreti
Ën Urë t’Lemajës u ba gezepi
Se ën Luk t’Cemit po knote zana,
Si trieshjan nuk ban ma nana.

Shembuj burrërie e trimërie

1.Gil Doshi Margilaj

Nga brezi në brez është përcjellë shembulli burrëror i trimit Gil Doshi Margilaj, nga fshati Rudinë – Nikmarash, mik i ngushtë me Mahmut Pashë Bushatlinë. Ai, i shoqëruar nga bashkëvendasi i tij Pjetër Vukocaci, me një guxim të madh dhe vendosmëri arrin t’ia presë litarin e venë në fyt vëllathit (probatinit) të tij, nga Sokolajt e Mbishkodrës, të cilin Mahmut Pasha e kishte dënuar me vdekje, gjoja se kishte vrarë të birin. Veçmas janë inkurajuese fjalët e Gilës, drejtuar vezirit të Shkodrës: “Vezir! Për malësorin e për këto male të Malësisë, nuk ekziston litari i vdekjes. Për malësorin vëllai është gjëja më ë shtrenjtë, sidomos probatini…”

2.Milica e Gjon Markut

Kjo malësore ( grua) e bukur, sojnike dhe trimëreshë arriti t’ia marrë gjakun burrit të vet Gjon Markut, nga fshati Bëkaj, të cilin e kishin vrarë ushtarët turq. Ajo një natë e preu pashën me brisk, të cilin e kishte fshehur në çorapë, dhe u kthye shëndosh në shtëpi. Milica këtë akt moral e të ndershëm e bëri me qëllim që të mos e turpërojë burrin e vet. Dhe, për t’i mbetur burrit besnik gjatë gjithë jetës ajo, edhe pse mbeti vejë në moshë të re, vendosi të mos dalë kurrë nga shtëpia ku ishte martuar.

3. Marash Marku Gjeloshaj

Kapedani i Trieshit, Marash Marku Gjeloshaj, u shqua për disa vepra të mëdha në shërbim të kombit. Po përmendim vetëm një. Ngjarja ka ndodhur në Urën e Zharnicës, mbi lumin Cem, jo larg Tuzit. Marashi, në çastin kur veziri i madh i Turqisë i lexonte fermanin krajl Nikollës për copëtimin e trojeve shqiptare në mes të Malit të Zi dhe Turqisë, ia merr nga dora me forcë fermanin vezirit turk dhe e gris copa – copa.

4.Dodë Smajli Gjeloshaj

Vepra patriotike e Dodë Smajlit Gjeloshaj nga fshati Nikmarash ka hyrë në histori jo vetëm të popullit shqiptar. Ky atdhetar malësor, i quajtur edhe Oso Kuka i Malësisë, mëngjesin e 11 shkurtit 1951, në shtëpinë e tij të lindjes, i rrethuar nga forcat serbomalazeze dha jetën për të mos e dorëzuar mikun e tij malazez të panjour, Radomir Mirasheviqin, oficer ushtarak nga Dojani, të cilit i dha besën se do ta përcjellë për në Shqipëri. Doda nuk e dorëzoi mikun e kombësisë tjetër, nuk e koriti veten, shtëpinë dhe fisin, por mbajti besën e dhënë shqiptare-vdiq ashtu siç u ka hije burrave të mëdhenj. Eshtrat e Dodës dhe Radomirit, qëndruan të groposur, në oborrin e shtëpisë, plot 40 vjet. Ata u zhvendosën në varrezat familjare, më 19 tetor 1991 në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore, punuar nga Shoqata “ Goli Otok”, në prani të personaliteteve më të larta politke të Malit të Zi. Për këtë vepër të madhe u kënduan shumë këngë me lahutë e çifteli:
“ … Krisi pushka nëpër Triesh
Mal’i Zi e muer vesh
E muer vesh tan Mal’ i Zi
Lufton Doda me nji ushtri
Top iu baftë pushka Dodë Smajlit
Se qe burr’ i biri burrit
Asht shqiptar, shtizë flamurit..”

Lekë dhe Dodë Ivani

Për shembëlltyrën e këtyre dy vëllezërve trieshjanë kanë shkruar studiues vendas e të huaj. Leka ka shpëtuar nga përndjekja turke, Kërcin e Llazarit, kuças nga Bioçi. Ky i fundit kishte gjetur strehë të sigurt në shtëpinë e Lekës, të cilin e ndiqte ushtria turke. Të pasuksesshme ishin tentimet e turqve dhe të pashës që ta bindin Lekë Ivanin që t’ia dorëzojë sulltanit mysafirin e kërkuar. I zoti i shtëpisë, bashkë me të vëllanë Dodën dhe të birin, arriti të largojë mikun prej shtëpije, duke e përcjellë atë shëndosh e mirë deri në shtëpi të vet.
Lucë Gjon Mati e Mal Vuksani
Trimi guximtar Lucë Gjon Mati Gjonaj, nga fshati Rudinë, dhe Mal Vuksani Gjurashaj, nga fshati Nikmarash, do të përmenden gjithmonë për veprën e tyre fisnike në ruajtjen e nderit dhe traditave shekullore të Trieshit. Edhe pse në moshë të re, i pari 18 vjeç, ndërsa i dyti 20 vjeç, arritën të paguajnë Tole Smajlen Cacaj, vajzën bukuroshe të Vuksan Dedës Gjurashaj, të cilën e kishin rrëmbyer cubat e Rekës në Guci. Kësaj ngjarjeje tragjike, në qytetin e Pejës, e cila për pasojë pati dy të vdekur, populli i këndoi këtë këngë:
T’lumit Zot i kjoshim fal
Jetë e keqe paska ardhë
Kjëkan çua trijeshjantë ën ballë
Burra trima dhe dajllarë
N’rrapshim t’ Pejës duen me dalë
Duen me dalë, duen me u dimnua
Për i rrezik ç’i u ka qillua
Prej njaj njeri së tërbua
Bajram Beka kish qillua
Nji çetë cuba i k’i bashkua
Nji çetë cuba të Dukagjinit
Me grabitë vajzën buz trimit
Buz njaj trimit e njaj djalit
Qillua kish Mali i Vuksanit
Mal Vuksani ç’ki punua
Te Lucë Gjoni kishte shkua
M’i ka qitë e bisedua
M’ kanë marrë Lucë e m’ kanë barrua
A don Lucë me ardhë me mua
Lucë Gjon Mati flet nji fjalë
Sa për ner e faqe t’bardhë
Na t’dy bashkë duem me dalë/
Duem me dalë, duem mu dimnua
Tole Smajlen me pagua
Lucë Gjon Mati shkruan nji letër
Banë përpjekjen me Bajram Bekën
Ja m‘dredhë çikën, ja m’ke çartë besën
Mal Vuksani fjalë i paska çua
Bajram .Beka ke gabua
Se ka nodhë çika me mua
Dhenë le zi ti ke me g’zua
Lucë Gjon Mati e Mal Vuksani
Po dvetë Trijeshi ka po pani
Ka po pani, ku ini nisë me shkua
N’shehër t’Pejës nji kjoftë gjukua
Tole Smajlen me pagua
Tole Smajlja fletë rrax gardhit
Jam e motra e Lucës dhe Malit
Ç‘i u shprazën pushka n’votër t’gjarmit
Plot me gjak jau mushin votrën
Luca e Mali paguejnë motrën
Paguejnë motrën për gjithmonë
Se trieshjantë s’e panë zakon
Se trieshjanët s/janë kënë vaditë
Për t’gjallë çikat me va grabitë
Vranë Bajram Bekën me gjithë nip
Njarin për barre e tjetrin për çikë
Kjo ngjarje tregon se hakmarrja ka qenë mënyra e vetme për të mbrojtur nderin familjar të malësorëve, në rastin konkret të trieshjanëve, në situata të vështira historike të kohës. Për këtë histori kanë shkruar edhe mediat sllave. Ndërkaq, ky variant i këngës që e tregova më lart është kën
duar me lahutë e çifteli në valët e Radio Titogradit – Emisionit në gjuhën shqipe, nga rapsodi më i njohur trieshjan Nikollë Nikprelaj, dhe rapsodë të tjerë të Malësisë në raste të ndryshme.
Besnikëria e dëshmuar me vepër
Në Triesh gjetën strehim shumë luftëtarë të lirisë, shumë burra, vullnetarë e trima shqiptarë. Dyert e shtëpive trieshjane ishin të hapura ditë e natë për mikun dhe dashamirin. Në këto kulla, përveç bujarisë dhe mikpritjes tradicionale shqiptare, ruhej edhe urtia, burrëria dhe besnikëria, virtyte këto me të cilat janë brumosur me shekuj trieshjanët, dhe jo vetëm ata. Besnikëria që treguan trieshjanët ndaj Vuksan Gelës Ivezaj, kryekreu i Grudës , për të mos ia dorëzuar të gjallë ushtrisë turke është shembull se si duhet shpëtuar miku në shtëpi. Vuksan Gela, në kohën kur kishte ikur nga ushtria turke, ishte strehuar në familjen Gjolaj, në fshatin Muzheçk. Ushtria turke kërkonte nga tireshjanët që ta dorëzojnë Vuksan Gelën të gjallë ose do ta djegin Trieshin. Por trieshjanët nuk u frikësuan para këtyre kërcënimeve turke. Ata, në vend se ta dorëzojnë mikun e kërkuar nga truqit morën armët dhe luftan kundër tyre derisa nuk mbeti i gjallë asnjë ushtar turk. Thuhet se Vuksan Gela, para se të vdiste, porositi me gojë djemtë e vet duke u thënë:”Keni me më varrosun në Majë të Sukës së Grudës ku këmba e kalit të turkut nuk ka me mujtë me ma shkelun vorrin!”. “Edhe sot ky varr është aty ku porositi Vuksan Gela e për çdo vit i kujtohet emri dhe i bëhen ritet fetare”.
Edhe sot përmendet shprehja e këtij trimi, i cili luftoi tërë jetën kundër turqve dhe sllavëve: “Eh, i shkreti unë, më ka lanë kama e dora se i kisha dalë në bejleg ( dyluftim) hasmit (armikut) të Vezirit”. Thuhet, poashtu, se njëri nga djemtë e Vuksanit e garanton të jatin që të rrijë pa merak se do ta kryente vetë këtë dyluftim, dhe, fitoi ndaj rivalit të Vezirit të Shkodrës. Vuksani kërkoi Dinoshën në fushë për vërri dhe Vërmoshin për Bjeshkë, Dheun e Zi si dhe Pyllin e Madh deri tek liqeni i Shkodrës!…

Dora e pajtimit

Në mendësinë e malësorëve, pra edhe të trieshjanëve, me shekuj ka qenë i rrënjosur zakoni i gjakmarrjes. Ky fenomen ua ka marrë (ose ua ka bërë të padurueshme) jetën shumë njerëzve të pafajshëm: të afërmve të ndonjë vrasësi. Trieshi, edhe në ato kohëra kur zbatohej Kanuni i Lekë Dukagjinit, ka nxjerrë njerëz me zemër të madhe, të cilët e kanë shtrirë dorën e pajtimit dhe kanë falur gjakun e djalit ose gjakun e vëllait. Andaj, meritojnë të përmenden disa trieshjanë që lanë anash urrejtjen dhe përqafuan njëri-tjetrin me fjalët: “Falë të kjoftë gjaku”. Gjakun e djalit e falën Smajl Dedi Dukaj, Tomë Kolë Peri, Mal Kaculi Cacaj, Tomë Kola dhe Prenç Lukë Curanaj, nga Vishnjeva e Gucisë. Dorën e pajtimit e shtrinë edhe Gjokë Marash Smaku, të cilit i kishin vrarë vëllain, Kolën; Dodë Lulashi Gjeloshaj, të cilit po ashtu i kishin vrarë vëllain, dhe Gjon Lulash Gila, i cili fali gjakun e babës. Ndër malet tona thuhej: “Me falë gjakun asht burrni”…”Burrat nuk maten me pëllabmë, por me zemër”. Dhe vërtet këta burra trima, me zemër të fortë si shkëmbi, dhanë një mesazh të fuqishëm që në mes trieshjanëve të mos ketë vëllavrasje.

Famullia e Trieshit
Trieshjanët siç thamë janë të besimit katolik. Ata kanë famullinë e tyre françeskane e cila gjendet 870 metra mbi nivelin e detit në një sipërfaqe prej 110 metrash katrorë. Kjo famulli , sipas Relacioneve të vitit 1864, formohet nga fshatarët e ndryshëm dhe ka vetëm një kishë e 4 varreza. Përfshin 185 familje me 1080 frymë (banorë). Famullia e Trieshit rrjedh nga ajo e Grudës. Që në lashtësi misionari i Grudës vizitonte katolikët e Trieshit dhe pastaj kthehej sërish në qendrën e Misionit. Edhe Trieshi kaloi nën Dioqezën e Antivarit pas vitit 1878.Famullinë françeskane të Trieshit e ngritën këta priftërinj:
Patër Joannes Pellegrino nga Bolonja, 1763
Patër Giuseppe Umbo, 1766
Padër Leonardo Di Bavaria, 1775
Padër Michelangelo di Nola, 1776
Patër Gedeo di Trenta, 1778
Patër Girolamo di Mandello, 1781
Patër Giuseppe Urbaggnia, 1785
Patër Benigno di Appignano, 1785
Patër Prisco di Selsa, 1787
Patër Lodovico Comini, ( ? )
Patër Mariano di Onano , prefekt dy herë 1792
Patër Kasimiro NN , 1792,
Patër Severino da Ponteza, perfekt , 1794
Patër Bernardo di Torino, 1776
Patër Severino Thais , 1775
Patër Padër Emiliano Zagorano, 1780
Patër Vicenzo M.Di Roma 1791 – mësoi gjuhën shqipe në Romë
Patër Severino da Bavaria, 1775
Patër Pier Crisologo da Bologna, 1783
Patër Andrea Francesco Anocluto , 1789
Patër Francesco di Casola , 1782
Patër Vincenco di Filaziano , 1795
Patër P. Pietro ( ?) Frano , 1803
Patër Raimondo da Roma , 1805
Patër Angelo ? , 1805
Patër Antonio Jemino , 1806
Patër Mariano di Colomaro , 1807
Patër Pietropaolo di Campitelli, prefekt, 1808
Patër Matia di Varesci , 1813
Patër Matia Vaznes , 1813
Patër Girolamo di Lesi, 1819
Patër Pietro di Ancona , 1809
Patër Teodosio di Parma , 1850
Patër Secondiano ab Ancona , 1860
Patër D Mhilli Glosonovic , 1895
Patër Josef Lochman , 1898
Patër Giulio Pindo da Napoli , 1901
Patër Leonardo Gojani , 1904-1931
Përveç këtyre famullitarëve në Triesh kanë shërbyer edhe:
Dom Ivo,
Dom Marku,
Dom Zefi Demiroviq,
Patër Gjergji Markstepaj,
Dom Simon Filipaj,
Patër Zefi Jankaj, i cili personifikohet meshtari i parë që celebroi meshën e shenjtë në gjuhën shqipe në mbarë botën e krishterë shqiptare;
Patër Frani Dushaj dhe
Patër Mirashi Marinaj.
Besimtarët trieshjanë ritet fetare i kryejnë në Kishën “ Zoja Rruxare” e cila ndodhet në qendër të fshatit Stjepoh.
Regjistrat e famullisë së Trieshit datojnë në vitin 1763 kur edhe mendohet fillimi i kësaj famulli.
Mënyra e jetesës
Jetesa në Triesh gjithmonë ka qenë e vështirë, në radhë të parë për shkak të relievit malor dhe veçorive klimatike të kësaj trevë. Banorët e Trieshit konsiderohen si njerëz punëtorë të zellshëm dhe mjeshtër të mirë në ndërtimtari. Ata, për dallim nga e kaluara e hershme kur kanë jetuar në banesa përdhese – kasolla dhe në shtëpi të ndërtuara prej guri të mbuluara me kashtë thekre e pllakëza ahu, sot shumica e tyre jetojnë në shtëpi të riparuara, të reja të pajisura me orendi shtëpiake bashkëkohore. Pisha në pishtar, bishtuku dhe llampat me vajguri ose naftë janë zëvendësuar me poçat elektrike. Po ashtu edhe rruga kryesore që lidh Trieshin me kryeqytetin e Malit të Zi tashmë është e asfaltuar, por e ngushtë dhe e rrezikshme për komunikacion. Rrugët lokale janë lënë në mëshirën e kohës. Në këtë zonë nuk ka linjë të rregulltë të autobusit, e cila ka kohë që është ndërprerë për shkak të jorentabilitetit. Bujqësia dhe blegtoria kanë qenë dhe mbeten degët kryesore ekonomike të familjeve të këtushme. Arat e pakta ende punohen me vegla të vjetra bujqësore – larë, siç e quajnë trieshjanët parmendën dhe më rrallë me pluer. Prej kulturave bujqësore kultivojnë pataten e cilësisë së lartë (kërtollën), pastaj misrin (kollomoqin) , fasulen (pasulin) , qepën, hudhrat etj. Numri i bagëtive të trasha, në mungesë të banorëve, veçmas të rinjve, që kanë lënë vendlindjen, është simbolik. Për shkak të klimës së ashpër nuk kultivohen perimekulturat dhe pemët, përveç thanave, kumbullave dhe hardhisë së rrushit amerikan. Me ujë furnizohen nga saranxhat, kurse për ngrohje përdorin dru qarri
, frashri, shkoze dhe ahu. Jeta e vështirë ekonomike, mes maleve me dëborë në dimër dhe thatësirës në verë, ka bërë që në fillim të shekullit XX, shumë trieshjanë të marrin rrugën e emigracionit në drejtim të shteteve të ndryshme të Evropës dhe në SHBA, ku është i përqëndruar edhe numri më i madh i tyre.

Lugina e Cemit poshtë Trieshit, “Kolorado shqiptare”
Gjatë udhëtimit nëpër fshatrat e Trieshit, sapo të dalësh në katundin e quajtur Delaj përballesh me një panoramë mahnitëse, e cila të fton që të shijosh bukuritë magjepse të Luginës dhe rrjedhat e lumit të famshëm të Cemit me ujë të ftohtë dhe të pastër,që buron nga Bjeshkët e Nëmuna ( Alpet Shqiptare) nga ku është i pasur me peshkun troftë me pika të kuqe. Njohës të mirë të gjeografisë dhe natyrës, që kanë parë kanionin e Cemit, e kanë përcaktuar ata ndër më të bukurin dhe më të veçantin në Evropë. Disa kanë guxuar ta quajnë “Koloradoja shqiptare”, dikush në mënyrë poetike “bukuri tronditëse”, dikush tjetër “vepër madhore dhe e papërsëritshme e natyrës”. Nuk e dimë se sa afër realitetit janë këto përcaktime, por dimë një gjë, që kanioni i Cemit është me të vërtetë një mrekulli, një befasi, një shpërthim fantastik i natyrës.Natyra kësaj luginë nuk i ka kursyer dhuratat e saj të mrrekullueshme, të cilat nuk mund të përshkruhen me fjalë, por të mbeten në kujtesë si një parajsë e krijuar nga Zoti. Luginës së Cemit rrallë i gjendet shoqja për bukurinë dhe vlerat piktoreske turistike të pashfrytëzuara. Kur udhëton në brendësi të këtij kanioni mahnitesh nga bukuria e tij. Copat e qiellit, me pjesë të mureve vertikalë gri, disa si statuja natyrore dhe e gjelbërta e bimësisë tek-tuk, krijojnë një përzierje ngjyrash e formash të përmbysura si në pikturat surrealiste, që me fluiditetin e tyre të hutojnë, të çorientojnë dhe të zhysin në një botë tjetër, gati ireale, por që të ngjall ndjesi të ëmbla ëndrre, sa nuk ke dëshirë të dalësh që andej.Por këto ndjesi nuk janë e vetmja mrekulli e këtij kanioni, në disa sektorë të cilit gjatë vjeshtës dhe dimrit formohen ujëvara që përplasen fort në shkëmb dhe në dritën e diellit stërkalat formojnë ylbere e pamje të magjishme, iluzione optike që s’të shqiten nga kujtesa edhe kur je shumë larg prej tyre. Pamje që s’të ngopin asnjëherë, të paktën kjo është përshtypja ime gjatë vizitave në këtë përmendore të mrrekullueshme të natyrës. Kanioni i Cemit ka larmi formash dhe pamjesh, në muret vertikale, në shpatullat sipërfaqësore, apo në buzë të shtratit të lumit, ku ka mjaft guva dhe zgavrime të formuara nga procesi i karstit, burime me ujë të ftohtë. Megjithatë pushteti vendor duhet të bëjë më shumë për ta shfrytëzuar këtë pasuri në interes të banorëve të zonës si një resurs zhvillimi.