Si e shohin Malësinë shqiptarët nga trojet tjera etnike?

Fëmijët e Kosovës që në shkollën fillore kanë mësuar e dëgjuar për Hotin , Grudën, Trieshin e Kojën duke mësuar nga historia për kryengritjet në Malësi dhe për trimin Dedë Gjo Luli. Ata kanë dëgjuar nga mësuesit e prindërit edhe për mikpritjen dhe besën që vazhdon të kultivohet e ruhet në Malësi dhe këtë e kanë parë e përjetuar nga afër gjithë fëmijët e Dukagjinit në kohët e katrahurave kur u gjenden mes malësorëve dhe u mahniten me bujarinë e shqiptarëve të atij trualli etnik. Malësia nuk mbeti tërësisht e harruar as në vitet e pasluftës në Kosovë sepse Shoqata e vëllazërisë Kosovë- malësi e Madhe “Martin Dreshaj” bashkë me veprimtarë e Ansamble nga Malësia kanë organizuar bashkë Manifestime të bukura kulturore dhe kanë defiluar me vlera të larta artistike nëpër qendrat e Kosovës. Edhe për realitetin e ri e të hidhur në Malësi që u krijua pas 9 shtatorit të vitit 2006 kur forca të mëdha policore malazeze zbrazën mllefin e tyre dhe urrejtjen mbi familjet shqiptare, në Kosovë dihet bukur mirë.
Për t’i ofruar lexuesit të malësia.org një pasqyrë të saktë se sa mendojnë dhe sa dinë për hallet e Malësisë pjesëtarë të shtresave të ndryshme të popullit shqiptar në vise të ndryshme të Kosovës zhvilluam një anketë duke u shtruar të anketuarve të njëjtat pyetje. Cilat janë shqetësimet dhe problemet më të mëdha të Malësisë sot dhe çfarë e nga kush presin malësorët përkrahje në këto ditë të vështira për ta? Bashkëbiseduesit tonë për malesia.org janë shprehur:
Sali Azemi: Malësia kishte halle të mëdha edhe në vitet e dekadat e kaluara. Ajo po përballej me tendencat e vazhdueshme të pushtetit në Mal të Zi për të zbrazur ato troje nga shqiptarët apo për t’i asimiluar sa më shumë ata. Gjendja është bërë atje edhe më e rëndë me aksionin famëkeq “Fluturimi i shqiponjës”. Ky aksion tregoi se mes policëve të Malit të Zi ka edhe të tillë që janë të mbushur me urrejtje ndaj çdo gjëje shqiptare. Malësia me të drejt pret përkrahje vëllazërore nga shqiptarët e të gjitha trojeve, por Shqipëria zyrtare është ajo që duhet dhe ka të drejt ta ngrit zërin në rrugët diplomatike e të kërkoj nga Mali i Zi që t’i respektojë të drejtat e popullit në Malësi.

Ukë Mehmeti: Institucionet shqiptare e madje edhe një pjesë e intelektualëve e kanë harruar bukur shumë Malësinë dhe gjithë atë ndihmë të madhe që bijtë e atij trualli i kanë dhënë çështjeve madhore të kombit to në. Ata edhe kur flasin për shqiptarët e administruar nga Mali i Zi, nisin dhe e përfundojnë bisedën me Ulqinin. Kështu bëjnë e kanë bërë edhe kur kanë ndarë mirënjohje e dekorata duke lënë në harresë Malësinë dhe gjithë ato familje të mrekulluara atje. Malësia duhet të jetë unike dhe liderët e dalë nga vota mos të bëhen servil të kolltukëve, po ta ngritin zërin në mbrojtje të Malësisë dhe të kërkojnë në mënyrë zyrtare nga Shqipëria dhe Kosova që me Malin e Zi të debatohet për problemet e shumta dhe të gjendet, pa tjetër, një zgjedhje e drejtë dhe e pranueshme.
Qëndresë Ramëmehmeti: Për Hotin, Grudën, Kojën e Trieshin kam dëgjuar shumë nga prindërit, por kam mësuar edhe në shkollë. Kisha rastin ta njoh Malësinë më mirë në kohën e katrahurave. Atje jetojnë njerëz të mrekullueshëm kanë vazhduar t’i ruajnë me tërë shpirtin gjithë virtytet e larta të kombit tonë. Malësia tani ka halle dhe meriton ndihmën dhe përkrahjen e gjithë trojeve tjera shqiptare në përpjekje për realizimin e të drejtave elementare. Ata duhet ta kenë komunën e tyre të plotë, duhet të ndjehen të lirë dhe mësojnë historinë, gjuhën shqiptare sikur shqiptarët e tjerë. Shqipëria duhet t’i merr në mbrojtje të drejtat e nëpërkëmbura të Malësisë.
Kemi veçuar në këtë anketë këto tri opinione, por edhe dhjetëra të anketuar të tjerë kishin vlerësime e mendime të njëjta a të përafërta me këto që po u prezantojmë. Shqiptarët në Pejë, Dukagjin e Kosovë mendojnë se Malësia do të përballojë me lehtë tekat e furtunave nëse është e bashkuar dhe flet me një zë. Të anketuarit ua zënë për të madhe liderëve shqiptarë në Mal të Zi pse shumë më tepër flasin për partitë e tyre dhe i ngritin ato deri në qiell e shumë më pak, ose fare, nuk flasin, kur e vizitojnë Kosovën apo Shqipërinë për hallet e shumta që ka Malësia.
Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE

Furra Tahiri