Bisedë ekskluzive për Malesia.Org, lideri i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti

Buzëqeshjen e fëmijëve në Kosovë për pavarësinë e pritur aq vite e dekada e kanë frikësuar dofarë lajmesh që plasohen , herë disi në heshtje , e herë me gjithë zhurmën e tyre shurdhuese e bombastike. Pikat e Banit , vendosja e me teka dhe e vonuar e misionit të EULEX-it, fushata e paparë dhe shumë e egër diplomatike e Serbisë kundër Kosovës ,që nisi me letrat djallëzore drejtuar Gjyqit ndërkombëtar, që vazhdoi me bisedat e fshehta për 6 pikat e që po shkon edhe më larg me rishqyrtimin e Marrëveshjes së Kumanovës kanë trazuar shumë zemrat dhe mendjet e njerëzve në Kosovë. Pavarësia më e re në botë po ndjehet e prekur dhe e rrezikuar. Populli po kërkon shpjegime nga liderët. Ata zëshëm po e thonë se 6 pikat nuk kanë as edhe një domethënie. Ata po e thonë se edhe përpjekja më e re dhe kobzezë e Serbisë lidhur me Marrëveshjen e Kumanovës, është vetëm njëra nga ëndrrat e Tadiqit dhe tadiqëve të tjerë. Mirëpo opozita dhe shoqëria civile nuk po e ndjen këtë komoditet. Ata janë ngritur dhe zëshëm po flasin se punët nuk janë mirë dhe se Kosovës po i cenohet gjithnjë e më shumë sovraniteti dhe se po i kërcënohet humbja e pavarësisë. Shoqëria civile, që është unifikuar si kurrë më parë bëri protestë dhe po paralajmëron edhe protesta të reja për të kundërshtuar 6 pikat, për të sensibilizuar opinionin për rreziqet, që si e thonë ata publikisht, po i kanosen Kosovës dhe mëvetësisë së saj. Ata thonë se po protestojnë për t’i treguar edhe botës se populli në Kosovë po kundërshton zëshëm çdo plan e angazhim që bëhet nga institucionet ndërkombëtare në bashkëpunim me Serbinë. “Kosova është shtet i pavarur, ka territorin e saj, ka Kushtetutën dhe organet e qeverisjes dhe prandaj nuk ka pse pyetet Serbia për as edhe një gjë që ka të bëj me shtetin tonë të pavarur”, janë deklaruar përfaqësues të OJQ-ve .

Në një bisedë ekskluzive për Malësia.org, lideri i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, ka përmendur dhjetëra arsye pse e gjithë Shoqëria civile është bashkuar dhe përmes protestave të qeta e dinjitoze po shpreh kundërshtimin e popullit lidhur me 6 pikat, lidhur me formën se si pritet të instalohet EULEX-i dhe për rrjedhat tjera, që po shkojnë, si thotë ai, në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve.
“Gjithmonë po kërkohet nga shqiptarët që të lëshojnë pe në emër të stabilitetit në Ballkan. Kjo do të thotë se në kurriz të shqiptarëve u dashka të mbahet ky stabilitet. Kosova ka pranuar mjaft kompromise , bile tepër, me Pakon e Ahtisarit. Tani u përball edhe me 6 pikat. Duke lëshuar pe nesër do të përballet edhe me kërkesa e aprovime të tjera të dëshirave të Serbisë dhe pastaj çfarë do të mbetet nga Kosova dhe sovranitetit i saj? Nuk do të mbetet asgjë. Kosova do të jetë e ndarë edhe nga brenda. Ligjet e EULEX-it do të vlejnë vetëm për shqiptarët, kurse institucionet dhe grupet paralele e kriminale serbe do të vazhdojnë së vepruari, bile aq më keq, tash e tutje do të legjitimohen nga 6 pikat e Sekretarit të përgjithshëm. Në këtë realitet të hidhur nuk mjaftojnë kundërshtimet gojore e për konsum të brendshëm të institucioneve të Kosovës. Kosova duhet mbrojtur me një diplomaci aktive dhe me angazhime konkrete e jo duke fshehur të vërtetën nga populli sepse ajo do të dal sheshit dhe pastaj pasojat mund të jenë të papara”, është shprehur Kurti. Edhe kreu i OJQ “Syri i Vizionit”, që ka selinë në Pejë, por që ka shtrirje të aktivitetit në gjithë Kosovën, Veton Muja, është gjendur afër Kurtit në disa konferenca për mediat që janë mbajtur në Pejë.
Ai ka treguar se OJQ-të që veprojnë në Pejë e qytetet tjera të Dukagjinit i janë bashkuar aktiviteteve për organizimin e protestave masive në kryeqytetin e Kosovës sepse e kanë vlerësuar se sovraniteti i Kosovës është duke u vënë në pikëpyetje me dofarë pikash, që mundohen të vihen në jetë, sipas porosisë dhe dëshirave të Serbisë. “Kosova nga 17 shkurti është e pavarur dhe për jetën këtu dhe fatin e saj duhet të vendos vetëm populli i saj, i cili ka mirëpritur dhe mirëpret ndihmën e miqve të saj për të instaluar një demokraci të mirëfilltë këtu. Mirëpo, populli nuk do ta pranojë as një angazhim që bëhet për hir të Serbisë. Ato iniciativa nuk do të gjejnë kurrë zbatim në Kosovë sepse do të hasin në reagim të arsyeshëm e të vendosur të popullit. Pavarësinë e Kosovës e pritem me gjenerata e me shekuj dhe prandaj për ne ka vlerë të madhe, më të madhen nga të gjitha gjërat e botës”, ka deklaruar Muja.

Numrit të madh të Shoqatave që kanë ngritur zërin e protestës në mbrojtje të tërësisë dhe sovranitetit të Kosovës i është bashkëngjitur edhe Shoqata e Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”.
“U bë kompromis me të tjerët dhe nuk iu dha forcë zërit dhe atdhetarëve nëpër kohë e shekuj për bashkim kombëtar. U pranua Pakoja e Ahtisarit për hir të stabilitetit dhe paqes në Ballkan. Me këtë pako më shumë fitojnë minoritetet, e veçmas pakica serbe, se ne shqiptarët, që jemi shumicë në atdheun tonë. Tash po kërkohen edhe lëshime tjera, që cenojnë shtetësinë tonë dhe prandaj i gjithë populli duhet ta ngrit zërin në mënyrën me civilizuese në mbrojtje të asaj që u fitua me gjakun e bijve më të mirë të kombit dhe me përkrahjen e miqve tanë. Kosovën, në mënyrë figurative , e quanin bebe që lindi më 17 shkurt. Të gjithë shqiptarët e kanë borxh, prandaj, të angazhohen me gjithë dijen, që kësaj bebeje të bukur mos t’i zihet fryma nga dofarë përpjekjesh kobzeza, që vijnë nga shteti serb, që dikur e vrau, e dogji dhe e poqi Kosovën”, ka thënë për Malesia.org, kryetari i kësaj Shoqate, Ukshin Jashari.
Shtatin të njomë të Kosovës edhe sot e gjithë ditën po mundohen ta godasin furtuna të egra nga bishat e Karpateve dhe prandaj njerëzit dhe miqtë e saj kanë nevojë shumë për urtësi, dije dhe për trimërinë e ngritjes së zërit të kulturuar në mbrojtje të lirisë dhe sovranitetit të këtij vendi, të larë me gjak e lot në vitet e shekujt e kaluar.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE

Furra Tahiri