NYU mblodhi studiues të çështjes shqiptare

NEW YORK CITY : Gazeta shqiptaro amerikane Illyria, shkruante dje se nën organizimin e qendrës për studime evropiane dhe mesdhetare në bashkëpunim me departamentin e politikës së NYU (New York University) u mbajt konferenca treditore ku pjesëmarrës ishin dhjetëra studiues shqiptarë nga universitete të ndryshme të botës. Vlen të përmendet se edhe studiues të huaj që merren me çështjen shqiptare ishin pjesëmarrës duke dhënë një kontribut të çmuar në pasqyrimin e realitetit në shoqëritë shqiptare.
Kjo ishte e vetmja konference e mbajtur ndonjëherë në SHBA nga një numër kaq i madh studiuesish te çështjes shqiptare, derisa Kosova ishte në agjendën e diskutimeve të shumicës së tyre, edhe çështja e Çamërisë dhe Arvanitasve nuk mbeti anash duke u potencuar nevoja e pozicionimit te një këndvështrimi të ri ndaj këtyre problemeve.
“Konferenca mbi Shoqëritë Bashkëkohore Shqiptare në Trancizion mblodhi mbi 35 studiues te fushave te ndryshme nga e gjithë bota, SHBA, UK, Shqipëria, Kosova, Franca, Italia, Gjermania, Greqia, Polonia, etj. Gjate zhvillimeve te Konferencës ishin te pranishëm studiues amerikanë e bashkatdhetarë, kjo e bëri shumë të suksesshme në të gjitha drejtimet. Ishte e para konference e këtij niveli që zhvillohet në SHBA mbi e për shqiptarët, ishte organizuar mirë, studimet ishin të një niveli shumë të lartë akademik në çdo drejtim, Sjellja profesionale ishte shembullore dhe mbështetja e komunitetit ishte po ashtu shembullore.

Përveç të tjerash duhet përmendur ndihma prej 5000 dollarësh e dhënë nga një grup bashkatdhetarësh të organizuar nga Richard Lukaj për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të studjuesve të ardhur nga larg.” Tha organizatori i kësaj konference Dr. Shinasi Rama I cili shtoi se “gjatë konferencës u rrahën aspekte të ndryshme të të gjitha shoqërive shqiptare në tranzicion duke filluar nga shteti shqiptar, tek Kosova, Maqedonia, Mali i zi, problemi i Çamërisë, arvanitët etj. ishte një sukses i merituar në të gjitha drejtimet dhe kontributi i të gjithë studiuesve ishte i mahnitshëm.
I pyetur se si e parasheh tranzicionin në Kosovë, Dr. Rama tha se politikanët shqiptarë në Kosovë duhet të merren seriozisht me sfidat që po u paraqiten pas shpalljes së pavarësisë. Ata së pari duhet të marrin në konsideratë kërkesat e shumicës shqiptare dhe pastaj duhet të merren me pakicat sepse nuk mund të zhvillohet shteti duke u plotësuar vetëm kërkesat e pakicës që bien në kundërshtim me realitetin në Kosovë ku shumica janë shqiptarë. Është e lehtë shpallja e pavarësisë në krahasim me ruajtjen dhe zhvillimin e saj.
Drejtori i Programeve Masters në Politikë në NYU Dr. Shinasi Rama i cili ishte edhe organizues i kësaj konference u shpërndau studiuesve të pranishëm nga një Certifikatë për pjesëmarrje.
Albanian Journal of Politics ndau çmimin për studimin më të mire me temën: kompetencat politike në ndërtimin e institucioneve të pushtetit lokal të kosovës pas përfundimit të luftës. Ky çmim i takoi Prof. Fred Cocozzellit nga St. Johns University i cili kishte shërbyer në Kosovë për të ndihmuar në organizimin e pushtetit lokal. /B.SINA/

Furra Tahiri