Camaj: Dinosha vendin e ka në koalicionin e partive shqiptare

Liderët e partive nacionale shqiptare në Malin e Zi kanë nisur të shprehin dëshira politike rreth daljes në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare në Mal të Zi që do të mbahen më 29 mars. Partitë politike apo grupet e qytetarëve që thonë se përfaqësojnë shqiptarët, duhet të kenë mbështetjen e tri mijë nënshkrimeve. Në shikim të parë, duket një numër modest nënshkrimesh, por shqiptarët në Mal të Zi nuk janë ithtarë vetëm të partive nacionale, hiç më pak se 50 për qind të trupit votues shqiptar, mbështet koalicionin aktual qeveritar të socialistëve dhe socialdemokratëve. Kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Ferhat Dinosha, thotë për “Botën sot” se për të arritur rezultate më të mira zgjedhore, subjektet politike shqiptare duhet të dalin me dy lista?! Dy listat kanë edhe një efekt tjetër, do të shpërbënin monizmin shqiptar që pretendojnë ta mbajnë disa parti shqiptare.

Por, nëse kemi parasysh se pakica shqiptare që numëron rreth 41 mijë veta, se në skenën politike këtu, ekzistojnë gjashtë parti shqiptare, shumica me seli në Ulqin, atëherë ato detyrimisht duhet të bashkërenditen, sepse, jo vetëm se nuk e kanë lehtë të sigurojnë 3 mijë nënshkrime për një listë, por të paimagjinueshëm për të pasur gjithë atë sasi nënshkrimesh.

Shumë parti e pak votues

Duhet pasur parasysh faktin se subjektet politike shqiptare në mandatin e kaluar në veçanti, më shumë janë marrë me interese tepër të ngushta partiake dhe personale sesa në interesin e përgjithshëm, duke krijuar kështu pakënaqësi tek elektorati shqiptar. Mbi këto baza, votuesit janë plotësisht të painteresuar për të dalë më në zgjedhje.

Kjo do të thotë, se i vetmi kusht për të siguruar ndonjë mandat autokton në Kuvendin e Malit të Zi, është që partitë shqiptare të bashkohen. Në këtë ndërlidhje, kryetari i Alternativës shqiptare, Gjergj Camaj, mendon se koalicioni ASH, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Forca e Re Demokratike, në zgjedhjet e marsit do të mund të sigurojnë katër vende në Parlamentin malazias.

Z. Camaj thotë se ASH nuk mendon se shqiptarëve u janë garantuar pesë mandate. Sikur të jetësohej kjo, atëherë në njësinë zgjedhore shqiptare do të hynin në garën zgjedhore vetëm partitë politike nacionale shqiptare.

Po, me ligj nga njësia shqiptare dalin pesë deputetë, por për ta konkurrojnë të gjitha listat e interesuara nga skena politike në Mal të Zi. Camaj nënvizon se projektet tona tregojnë se daljet me lista të posaçme ASH, LD në MZ dhe Forca do të mund të siguronin nga një mandat, por bashkimin e tyre në një koalicion, do të kishim më pak parti dhe së bashku me OJQ dhe intelektualët pa parti, do të mund të luftonim edhe për mandatin e katërt?! Camaj thotë se ASH ka inicuar bisedime me LD në MZ dhe Forcën me qëllim të afrimit të parimeve dhe dispozitave programore.

Shqiptarët të dalin me një listë

»Ne jemi pajtuar se do të ishte zgjidhja më e mirë që katër partitë e lartshënuara të dalin e në koalicion, duke bërë të mundur që në këtë përbërje të jenë edhe dy partitë tjera shqiptare, Partia e Prosperitetit Demokratik dhe Bashkimit Demokratik i Shqiptarëve. Negociatat do të vazhdojmë edhe ne si ASH dhe unë personalisht angazhohemi që kësaj radhe shqiptarët të dalin me një listë unike.

“Nëse UDSH pajtohet me qëndrimet tona politike, ose sikur të arrinim një platformë politike të përbashkët, atëherë e ka derën të hapur edhe kjo parti shqiptare”,- thekson Camaj. Ai shpreson se Ferhat Dinosha do ta shohë se e ka vendin aty edhe ku e ka, në koalicionin e partive shqiptare.

Edhe nënkryetari i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, thotë se nëse do të themelohej lista unike e subjekteve politike shqiptare, shqiptarët në Malin e Zi nëpërmjet partive të tyre nacionale do të mund të siguronin tri mandate.

Z. Nimanbegu shton se FORCA po përgatitet të dalë edhe me listë të vetën edhe jemi optimistë për një mandat, por ai variantin më të mirë e quan listën e përbashkët. Ai nënvizon edhe një fakt tjetër, numri i madh i partive shqiptare, negociatat i bën edhe më të vështira, por nuk duhet humbur shpresën se shqiptarët do të merren vesh. / Ibrahim Berjashi, BOTA SOT /

KOMENTOJE

Furra Tahiri