Clinton rikonfirmon mbështetjen ndaj Kosovës

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton gjatë konferencës për shtyp të mbajtur para pak çastesh me presidentin kosovar Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën.

“Ne mbështesim shtetin e ri të Kosovës. Kosova ka arritur progres gjatë një viti pavarësi dhe është shndërruar në një faktor stabiliteti. Përgëzoj presidentin dhe kryeministrin për këtë vit qeverisjeje, të cilët i inkurajoj për përballimin e sfidave që kanë përpara”, ka pohuar Clinton.

Ndërsa presidenti Sejdiu i ka shprehur sekretares Clinton mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe ka dhënë garancinë se qeveria kosovare po ndërton një shtet multietnik.

“Shprehim mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i kanë dhënë Kosovës. Pa këtë ndihmë Kosova nuk do të kishte arritur në këtë pikë ku është sot. Zoti bekoftë Amerikën dhe popullin e saj. Gjate një viti pavarësi, Kosova ka dhënë prova se është faktor stabiliteti dhe se është e gatshme për një fqinjësi të mirë me të gjitha vendet”, ka deklaruar Sejdiu.

Edhe kryeministri Thaçi, përveçse ka falënderuar SHBA-të për ndihmën e dhënë, ka rikonfirmuar prirjet e qeverisë së tij për krijimin e një shteti demokratik dhe multietnik.

“Mbështetja e SHBA-ve ka qenë e jashtëzakonshme. Marrëdheniet me Amerikën do të mbeten të shkëlqyera dhe Kosova dhe populli i saj i përulen Amerikës. Jemi shumë krenarë për punën e bërë në një vit pavarësi. 1 vjetori i pavarësisë u shoqërua me progrese. Kemi pasur 55 njohje dhe besoj se do të kemi njohje të reja. Gjithashtu, kemi instaluar një qeverisje të mire dhe multietnike”, ka theksuar Thaçi, i cili ka vlerësuar se pavarësia ka sjellë më shumë paqe e stabilitet në rajonin e Ballkanit.

Pritet që më vonë, Sejdiu dhe Thaçi të takohen edhe me nënpresidentin amerikan, Joseff Biden. /T-Chanel/Telegrafi/

KOMENTOJE


Washington — Zëvendëspresidenti Joe Biden përqafon Kryeministrin Hashim Thaçi, në Shtëpinë e Bardhë në Washington, ndërsa Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, të buzëqeshur, shikojnë këtë përshëndetje. Liderët kosovarë janë takuar me Zëvendëspresidentin Amerikan, pas takimit që kanë pasur me Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, të enjten në Washington. Ata kanë marrë premtime se SHBA do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën, si dhe do të angazhohet për njohje të reja të pavarësisë.

Furra Tahiri