Më shumë interesim për komunitetin shqiptar në Mal të Zi

Qeveria e Kosovës me vëmendje duhet të përcjellë integrimin e shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe të demonstrojë përkushtim të veçantë të institucioneve të Kosovës, për të ndjekur me vëmendje trajtimin e komunitetit shqiptar në shtetin fqinj, ka deklaruar kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, gjatë një takimi që ka zhvilluar të mërkurën me kryetarin e Forcës së Re Demokratike në Mal të Zi, Nazif Cungun.
Për këtë gjë, sipas Dacit, “na obligon në veçanti ndihma e madhe që na është dhënë gjatë strehimit të popullit të Kosovës në këtë shtet”.

Daci po ashtu kërkoi që sa më shpejt të fillohet të punohet me seriozitet në hapjen e rrugës Deçan – Plavë, e cila do ta hapte edhe një arterie të fuqishme të zhvillimit ekonomik, si për Kosovën ashtu edhe për rajonin, si dhe do të ndihmonte jetën e komunitetit shqiptar atje.
Në vazhdim kryetari i LDD-së përmendi kohën kur Kosova kishte ndihmuar popullin e Malit të Zi, në veçanti popullin shqiptar atje, për t’u pranuar gjenerata të tëra në Universitetin e Prishtinës, të cilët sot janë kuadro të suksesshme qoftë në fushën ekonomike, arsimore dhe kulturore në këtë shtet fqinj.
Daci u nda i kënaqur me konceptin e këtij subjekti të ri politik në Mal të Zi, të cilin e vlerësoi si mjaft progresiv dhe zhvillimor, jo vetëm për popullin shqiptar, por për të gjithë ata që jetojnë në Mal të Zi.

Edhe me këtë rast lideri i LDD-së ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tij, në vazhdimësi nuk po demonstron kapacitete profesionale për ti tejkaluar sfidat qe po përballet Republika e Kosovës, sidomos në aspektin ekonomik, arsimor, shëndetësor dhe kulturor. /Telegrafi/

KOMENTOJE

Furra Tahiri