Shqiptarët përfaqësohen me katër deputetë në parlamentin e ardhshëm të Malit të Zi

Me nga një deputet do të përfaqësohen Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Forca e Re Demokratike – Forca, Koalicioni shqiptar “ Perspektiva” dhe Lista shqiptare Lidhja Demokratike në Mal të Zi – Mehmet Bardhi dhe Alternativa Shqiptare Gjergj Camaj.
Gjekë Gjonaj, Ulqin
Përçarja e spektrit politik shqiptar ne zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës nuk ndikoi negativisht në përfaqësimin e tyre në përbërjen e ardhshme të Parlametit të Malit të Zi. Sipas rezultateve paraprake, të Qendrës për Monitorim (CEMI), shqiptarët kanë fituar katër nga pesë mandate të mundshme në parlamentin republikan. Me nga një deputet do të përfaqësohen Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Forca e Re Demokratike –Forca, Koalicioni shqiptar “ Perspektiva” dhe Lista shqiptare Lidhja Demokratike në Mal të Zi- Mehmet Bardhi dhe Alternativa Shqiptare Gjergj Camaj. Megjithatë, thonë në CEMI, për shkak të specifitetit të llogaritjes së votave dhe faktit se partive nacionale shqiptare u derdhen votat nga të gjitha trevat e Malit të Zi është e mundur që Koalicioni “ Mali i Zi evropian të fitojë edhe një mandat. Partia e Propseritetit Demokratik është subjekti i vetëm nacional shqiptar i cili nuk arriti të hyjë në Kuvendin e Malit të Zi. Në zgjedhjet e të dielës koalicioni i kryeministrit Millo Gjukanoviq ka siguruar 46 mandate, përkatësisht shumicën absolute. Partia Socialiste Popullore ka siguruar 16 vende, Demokracia e Re Serbe 8, Lëvizja për Nryshime 5 ndërsa Koalicioni popullor 2 mandate. Dita e zgjedhjeve kaloi e qetë dhe pa eufori e pa parregullësi të mëdha të cilat mund të cenojnë procesin zgjedhor. Zgjedhjet parlamentare kanë kënaqur gati të gjitha kërkesat e OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, kanë kumtuar përfaqësuesit e misioneve vëzhguese të cilat i kanë monitoruar zgjedhjet në Mal të Zi, duke theksuar se është i nevojshëm zhvillimi i mëtutjeshëm demokratik . Shikuar në tërësi zgjedhjet janë organizuar në mënyrë profesionale dhe ekziston besimi në trupat zgjedhore në Mal të Zi.
Gjekë Gjonaj

KOMENTOJE

Furra Tahiri