Ekskluzive për malësia.org flasin Albin Kurti dhe Ukshin Jashari

Ka ardhur në këtë fillim të javës në Pejë lideri i Lëvizjes “VETËVENDOSJA” , Albin Kurti ,që bashkë me nënshkruesit e tjerë të peticionit kundër dëmeve që i sjell Projektligji për Eksterritorialitet, t’u drejtohet mediave dhe qytetarëve të këtij qyteti.
Para mediave janë prezantuar Kurti, në cilësinë e liderit të Lëvizjes VETËVENDOSJA, Veton Mujaj, në emër të Organizatës Joqeveritare “Syri Vizion” dhe Rrahman Jasharaj, zëdhënës i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Marin Dreshaj”.
Albin Kurti , edhe një herë ka shpalosur mijëra argumente që flasin për kancerin e tmerrshëm që Kosovës dhe shumë pjesëve të saj , i është përgatitur me Projektligjin për Eksterritorialitet dhe me vetë decentralizimin.
Edhe kreu i Shoqatës “Syri Vizion”, Shoqatë kjo shumë aktive me dhjetëra veprimtari humanitare, Veton Mujaj, ka treguar pse anëtarët , që ai përfaqëson, janë nënshkrues të peticionit kundër këtij Projektligji, që parlamenti i Kosovës e ka në procedurë.
“ Manastiri i Deçanit dhe Patrikana e Pejës janë monumente të trashëgimisë së përgjithshme të Kosovës. Ato dhe personeli i saj në kohën e katrahurave ishin kthyer në vende për bekimin e aksioneve vrastare të bandave të kriminelit Sheshel e të vrasësit Arkan. Me Projektligjin për eksterritorialitet këto objekte bëhen të huajat për shqiptarët dhe do të ekzistojë mundësia që të bëhen konak për bandat e mundshme serbe, që do të kryenin aksione kundër lirisë së Kosovës nën petkun e kishës serbe”, është shprehur para mediave zëdhënësi i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” , Rrahman Jasharaj.
Pas përfundimit të këtij takimi me media, kemi marrë deklarimet ekskluzive për malësia.org nga lideri i Lëvizjes “Vetëvendosja”, z. Albin Kurti dhe nga kryetari i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, z. Ukshin Jashari.
“Populli në mënyrë të kulturuar duhet ta thotë kundërshtimin e tij kundër Projektligjit të eksterritorialitetit sepse me këtë ligj, nëse e aprovon Parlamenti i Kosovës , do t’i jepej sovranitet i plotë Serbisë në shumë territore të Kosovës. Bazuar në shumë fakte të dokumentuara Manastiri i Deçanit dhe Patrikana e Pejës janë monumente të lashta shqiptare, që janë tjetërsuar nga serbët. Ato, edhe si të tilla, duhet të numërohen si monumente të trashëgimisë së Kosovës dhe nuk kanë nevojë për mbrojtje të veçantë. Këto monumente gjatë gjithë shekujve janë mbrojtur e respektuar nga populli shumicë, pra nga shqiptarët. Serbia i ka keqpërdorur e po tenton t’i keqpërdor këto monumente me eksterritorialitet. Nëse bëhet eksterritorialiteti atëherë këto monumente do të jenë jashtë syrit të vizitorit dhe do të rrëmbejnë territore të mëdha. Patrikana do të ketë një territor prej 300 hektarësh , do të ketë pika të larta malore dhe nën këtë territor do të jetë edhe burimi i ujit, që furnizon tërë Pejën. Institucionet lokale e qendrore të Kosovës nuk do të pyeten asgjë për këto territore, por sovran do të jetë Beogradi për mes kreut kishtar”, ka deklaruar në bisedën ekskluzive për malësia.org, lideri i “Vetëvendosja”, Albin Kurti. “Serbia do të na mjegullojë të kaluarën, për të na mohuar ardhmërinë”, është shprehur Kurti , pasi ka dhënë shumë argumente të qëndrueshme se këto monumente janë të lashtësisë shqiptare.
Edhe Ukshin Jashari, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, në bisedën ekskluzive për malësia.org, pas takimit me mediat, ka sqaruar pse kjo Shoqatë është ndër nënshkruesit e parë të peticionit kundër Projektligjit të Eksterritorialitetit.
“ Shoqata jonë i është bashkuar këtij peticioni për të sensibilizuar institucionet e Kosovës se nuk bën të luhet me trashëgiminë e Kosovës dhe se në gjithë Kosovën sovrani i vetëm duhet të jetë populli i saj. Nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë Serbinë që me metoda perfide të krijojë pika e konak për aksione kundër pavarësisë dhe lirisë së Kosovës. Kishat serbe duhet të jenë monumente , sikur edhe kishat e xhamitë e Kosovës, në të cilat do të kenë qasje gjithë populli. Para 20 vitesh Patrikanën dhe Manastirin e Deçanit kishin mundësi ta vizitonin gjithë fëmijët e Kosovës, pa dallim feje e përkatësie, pse tani këto monumente u dashka të fortifikohen dhe të shpallen territore te mbrojtura. Nga kush u dashka të mbrohen tani. Nga ne shqiptarët nuk ka nevojë sepse i kemi mbrojtur e vizituar me vite e dekada sepse janë trashëgimi jona”, ka thënë Ukshini. Ai pastaj në emër të Shoqatës që drejton, ka bërë apel të institucionet që të ngrihet edhe shqetësimi lidhur me kufirin e pa definuar mes Kosovës dhe Malit të Zi.
“ Kanë kaluar këto vite të pasluftës e ende nuk është definuar kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo është e tmerrshme sepse për momentin Mali i Zi ka kontroll në kilometra e kilometra të territorit të Kosovës dhe barinjtë në bjeshkë mund të bëhen e po bëhen pre e tekave të policisë kufitare malazeze, në një pjesë, e të tekave edhe më të këqija të policisë kufitare serbe në pjesën kufitare me ta. Kufiri duhet definuar dhe duhet mbrojtur çdo pëllëmbë e tokës shqiptare”, është shprehur Ukshini.
Udhëheqës të kësaj konference për media kanë konfirmuar se ky peticion kundër Projektligjit të Eksterritorialitetit do t’i dërgohet të gjitha institucioneve lokale e qendrore të Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.
“ Është obligim yni njerëzor, qytetar e atdhetar që t’i alarmojmë institucionet e Kosovës, ato ndërkombëtare dhe qytetarët për pasojat që do të sjellë aprovimi i këtij Projektligji. Ne jemi për të parandaluar pasojat me kohë se dikur do të bëhet vonë dhe mund të përballemi me pasoja të papara”, është shprehur lideri i Lëvizjes “Vetëvendosja”, Albin Kurti, në bisedën ekskluzive për malësia. org.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE

Furra Tahiri