Autoktoninë e shqiptarëve dhe historinë tonë nuk do të mund ta mohojë as Enciklopedia Maqedonase

Lidhja Demokratike në Mal të Zi, anëtarët e saj – shqiptarët në trojet e veta shekullore, sot në Malin e Zi, me shqetësim e indinjatë mësuan për provokimet e reja që solli Enciklopedia Maqedone, një botimi luksoz e skandaloz, që këto ditë doli nga shtypi nga MANU (Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Maqedonisë) nën redakturën e „akademikut“ e „shkencëtarit“ Blazhe Ristevski dhe bashkëmendimtarëve të tij të njohur e të dëshmuar edhe në të kaluarën për antishqiptarizëm në Maqedoni. Në këtë botim, që pretendon të jetë dokument historik për gjeneratat e ardhshme, që në fillim, në shkronjën A, në njësinë për shqiptarët, shperthen dufi e mllefi antishqiptar, duke i fyer shqiptarët dhe shtrembëruar e falsifikuar historinë shqiptare. Njësia është plot me interpretime keqdashëse dhe deformime të qëllimshme të fakteve historike të autoktonisë dhe prejardhjes së shqiptarëve. Shqiptarët në Enciklopedi paraqiten me emra të ndryshëm , si „arbanasi“, „arnauti“, madje „shiftari“ dhe „pllaninci“ (malokë, popull i pacivilizuar, që vjen mali, popull primitiv, me fjalë të tjera popull i egër…) që kanë zbritur nga malet, nga veriu i Shqipërisë dhe me ndihmën e bandave të kaçakëve janë vendosur në trojet maqedone duke dëbuar me dhunë popullsinë maqedone autoktone. Sipas tyre, kjo ka ndodhur pas shekullit XVI – XVIII. Pra shqiptarët nuk janë autoktonë, ata janë ardhacakë, madje kaçakë, plaçkitës e uzurpues… Pastaj Ali Pashë Tepelena përmendet si personi që ka mundësuar vërshimin e shqiptarëve etj. etj. Këto të pavërteta e fyerje pa mëdyshje janë shqetësuese për shqiptarët, e jo vetëm për ne, kur dihet se krejtë këto thuhen e shkruhen në këtë enciklopedi „shkencore“ që doli nga organi më i lartë shtetëroro-shkencor i Maqedonisë.

Lidhja Demokratike këto shtrembërime e falsifikime të historisë shqiptare nga sllavo-maqedonasit i vlerëson si sulm ndaj të vërtetës shkencore e historike dhe si një nga tentativat, tashmë të njohura e të vonuara të shtrëmbërimit të historisë për qëllime të brendshme politike, me qëllim homogjenizimi e manipulimi të popullatës maqedonase, tashmë të dëshmuara nga kuzhinat politiko shtetërore hegjemoniste e shoviniste sllave.

Zotërinjtë „shkencëtarë akademikë“ duhet të dinë se historinë shqiptare nuk mund ta shkruajnë më ashtu siç janë mësuar, sipas shijeve e nevojave të tyre politike hegjemoniste. Sepse historia e popullit shqiptar tashmë është është e qartë, e dëshmuar dhe e konsoliduar, megjithëse shqiptarët ende edhe sot, në trojet e veta, jetojnë nëpër disa shtete.
Zhvillimi historik i gjuhës shqipe jep dëshmi të pakontestueshme për praninë e vazhdueshme të faktorit shqiptar në trojet ku shqiptarët sot banojnë e jetojnë. Ndërsa marrëdhëniet gjuhësore në këto hapësira tregojnë qartë për dyndjet sllave dhe vendosjen e tyre në Ballkan në mesjetën e hershme. Pastaj shkenca historike dhe arkealogjike ka dhën fjalën e vetë të qartë për Maqedoninë e sotme se ajo nuk ka të bëjë me Maqedoninë antike, pastaj për popullsinë e sotme maqedonase etj. etj.

Prandaj edhe ne ngrisim zërin lart dhe vendosmërisht kundër këtyre deformimeve të qëllimta, për të mbrojtur dinjitetin e nëpërkëmbur nga këto pseudoshkencëtarë. Në momentin kur menduam se politika antishqiptare sllavo-shovene do të mbizotërohet nga e vërteta historike, realiteti shoqëror e vetëdija njohëse shkencore dhe mësimet nga e kaluara, marrëdhënie të një mirëkuptimi të ndërsjelltë ndërnacional për vendosjen e paqes së drejtë në Ballkan, ngrit krye përsëri politika e vjetër nxitëse e urrejtjes ndaj shqiptarëve. Kjo është e papranueshme, prandaj edhe e denojmë si një akt luftënxitës, hegjemonisto-shovenist. Kërkojmë që Enciklopedia të tërhiqet. Njësia për shqiptarët të ribëhet. Të shkruhet nga kompetentët shqiptarë etj. duke respektuar parimet e kriteret shkencore, të vërteten historike dhe realitetin shoqëror e jetësor.
Është kohë e fundit që shkencëtarët dhe politikanët shqiptarë të gjejnë vetvetën dhe vendin që u takon.

Mehnet Bardhi, kryetar i LD në MZ

KOMENTOJE