Çmim për vepër dhe arritje jetësore

Komuna Urbane e Tuzit do të ndajë për herë të parë çmimin e saj

Tuz – Komuna Urbane e Tuzit do të ndajë sivjet për herë të parë Çmimin e kësaj komune për meritat më të larta dhe rezultatet e arritura në punën praktike dhe teorike si dhe veprimtaritë në të gjitha fushat e krijimtarisë njerëzore.
Juria për ndarjen e Çmimit të Komunës Urbane të Tuzit përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Çmimi u ndahet individëve dhe personave juridikë nga treva e Komunës Urbane të Tuzit.
Të drejtë konkurrimi kanë po ashtu edhe individët që nuk jetojnë në trevën e Komunës urbane, nëse arritjet e tyre kanë një rëndësi të veçantë për këtë komunë.
Ndër kushtet e konkurrimit është që vepra duhet të përfaqësojë arritje të rëndësishme në një fushë të veçantë dhe kontribut në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, gjegjësisht nëse rezultatet e realizuara të punës kanë vlerë të jashtëzakonshme.
Po ashtu vepra duhet të jetë tematikisht e lidhur me trevën e Komunës urbane, gjegjësisht të ketë një rëndësi të veçantë për Komunën Urbane të Tuzit ose nëse rezultatet e punës janë realizuar në trevën e Komunës urbane.
Të drejtën e propozimit për Çmim e kanë shoqëritë ekonomike, shërbimet publike, partitë politike, organizatat joqeveritare, shoqatat sportive, shoqatat e tjera, grupet e qytetarëve dhe individët, dhe ato duhet t’i dërgohen Jurisë për ndarjen e Çmimit deri më 8 tetor të këtij viti./kohapress/

KOMENTOJE

Furra Tahiri