Kosova nderoi ish presidentin Bill Clinton – heroin amerikan te Kosoves

Ish presidenti Bill Clinton sot ka qëndruar për herë të dytë në vizitë vendit tonë, ku fillimisht është pritur nga zyrtarë dhe qytetarë të shumtë, ndërsa më pastaj ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së tij, e cila është vendosur në sheshin, i cili mban pikërisht emrin e tij.

Presidenti i 42 i SHBA-ve Bill Clinton, pas takimeve me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi, ka mbajtur një fjalë rasti para deputetëve të Parlamentit të Kosovës, me ç’rast ka thënë se Kosova me punën e saj ka arritur që të krijoi institucione demokratike, shtyp të lirë dhe shoqëri të fortë civile. Klinton bëri thirrje për të harruar të kaluarën dhe për angazhim në ndërtimin e së ardhmes shumetnike të Kosovës duke shfaqur shpresën se edhe Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Duhet të jeni krenar për atë që keni arritur gjatë 10 viteve të kaluara. Unë i thash presidentit dhe mikut tim të vjetër kryeministrit, se keni bërë shumë më mirë punën sesa kanë menduar të tjerët, madje shumë më mirë sesa kanë menduar të tjerët madje edhe miqtë tuaj. Duhet të jeni krenar për këtë. Keni konsoliduar institucionet demokratike, keni nxitur mediat e lira keni krijuar shoqërinë civile, partitë e mëdha punojnë së bashku. Keni shpallur pavarësinë dhe 62 vende kanë njohur pavarësinë tuaj dhe ju thatë se dëshironi t’i bashkoheni bashkësisë ndërkombëtare. Jeni pjesë e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar dhe besoj se së shpejti do të jeni pjesë e Bashkimit Evropian NATO-s dhe institucioneve tjera”, ka thënë ish presidenti Clinton.

Klinton bëri thirrje për të harruar të kaluarën dhe për të mos menduar në të, duke ftuar për integrim të mëtejshëm të serbëve dhe grupeve tjera pakicë.

Clinton po ashtu ka treguar edhe vlerësimet dhe punën që është duke e bërë administrata e tanishme amerikane që Kosova të ec përpara.

“Kur u nisa për në Kosovë bisedova në telefon me Hillary’in dhe edhe ajo u dërgoi të fala nga ana e saj – përderisa është duke u përpjekur që të arrihet paqe në Lindje të Mesme. Nënpresidenti Biden por edhe të tjerët kanë treguar përkushtimin e tyre që të ju ndihmojnë ”, ka thënë Clinton, i cili kujtoi edhe takimet me ish presidentin Rugova dhe ndihmën të cilën ia kërkoi ai për popullin e Kosovës.
Ndërkaq liderët e institucioneve të Kosovës i shprehën edhe njëherë falënderimet në emër të popullit të Kosovës për ndihmën që shteti amerikan i ka dhënë Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi tha se vizita e presidentit Clinton në Kosovë është një ditë e lumtur për të gjithë në shtetin e Kosovës.

Kurse Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se populli amerikan ka një meritë të veçantë për pavarësinë e Kosovës.

Nga ana tjetër Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka theksuar në fillim, duke thënë se ishte pikërisht SHBA dhe miqtë e saj që ndërprenë një spastrim etnik dhe një katastrofë në Kosovë.
Sejdiu, Thaçi dhe Krasniqi vizitën e presidentit Klinton e vlerësuan si historike dhe të një rëndësie të veçantë, kurse vetë presidentin Klinton e cilësuan si njeri të madh të paqes.

Në Prishtinë pritje madhështore për presidentin e 42 të SHBA Bill Clinton

Po sot në Prishtinë u përurua shtatorja e ish presidentit amerikan Bill Clinton- mikut të madh të Kosovës. Në ceremoninë e përurimit mori pjesë vetë presidenti Clinton, i cili shprehu admirim të veçantë për popullin e Kosovës, që edhe sot i ofroi pritje madhështore. Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi, shprehen mirënjohjen e thellë për presidentin Klinton, për gjithë atë çfarë ka bërë për Kosovën.
Mijëra qytetarë ishin mbledhur në sheshin që mban emrin e mikut të Kosovës, për të nderuar presidentin, Clinton, i cili mori pjesë në ceremoninë e përurimit të shtatores së tij, që tashmë është vendosur në këtë shesh.
Edhe me këtë rast, presidenti Clinton shprehu admirimin e veçantë për popullin e Kosovës.

“Nuk kam pritur se ndonjë vend do të bëjë një statujë aq të madhe për mua. Sot në mëngjes kur fola me gruan time më tha t’ju përshëndes. Ajo tha që unë të bëjë një foto para statujës dhe t’ia dërgojë asaj që t’i tregoj se kjo vepër është e vërtetë dhe që është për mua. Unë jam shumë i nderuar që kam qenë pjesë e asaj përpjekje, për të ndalur ato gjëra të tmerrshme që ju kanë ndodhur juve dhe tani të jem pjesë e këtyre gjërave që po ndodhin këtu”, ka thënë ish presidenti amerikan Bill Clinton.

Duke kujtuar atë çfarë ka ndodhur, presidenti Klinton kërkoi nga të gjithë në Kosovë të përqendrohen tek perspektiva e të ardhmes.

“Para 10 vjetëve ne ndaluam diçka të tmerrshme që po ju ndodhte juve. Ajo që ju bëtë në 10 vjetët e kaluar ishte diçka e mirë, një vend të lirë dhe të pavarur, një vend shumetnik, ku respektojë të drejtat e të gjithëve. Ju duhet të ndërtoni gjëra të mira dhe ne duhet të ju ndihmojmë”, tha Clinton.

Udhëheqësit e institucioneve shprehën falënderime të veçanta për presidentin Bill Clinton.

Presidenti Fatmir Sejdiu falënderoi presidentin Clinton që i doli zot Kosovës në ditët më të vështira të saj.
“Në ditët më të vështira për Kosovën dhe popullin e saj të rrezikuar nga zhbërja totale fizike, ju dolët në ballë të vendeve demokratike dhe liridashëse të botës që e ndaluan makinerinë, paramilitare, ushtarake dhe policore të Millosheviqit, e cila po i dëbonte qytetarët e Kosovës nga shtëpitë e veta dhe dëshironte ti vriste të gjithë”, ka thënë presidenti Sejdiu.

Përurimi shtatores u bë nën përkujdesje të kryeministrit Hashim Thaçi, i cili me këtë rast veçoi rolin e presidentit Clinton, për rolin prijës në botë për lirinë e Kosovës.
“I nderuari president Clinton, si lider i botës së lirë, ju ishit prijësi i botës demokratike për lirinë, paqen dhe demokracinë në Kosovë. Ju bashkuat forcën demokratike për Kosovën e lirë. Kosova dhe SHBA-të janë dhe do të mbeten miq të përhershëm”, ka theksuar kryeministri Thaçi.
Shoqata “Miqtë e Amerikës-miqtë e Bill Clinton-it”, ka iniciuar idenë dhe realizimin e shtatores së presidentit Clinton. Kryetari i kësaj shoqate, Agim Rexhepi, tha se populli i Kosovës i është mirënjohës gjithmonë.

“Me prezencën tuaj këtu, ju sot dëshmuat se nuk e keni harruar një popull, i cili ju llogaritë hero të gjallë, hero të cilin dushet dashur e respektuar dhe uruar në çdo rast”, ka thënë Rexhepi.

Ndërsa, autori i skulpturës, Izeir Mustafa, tha se është vështirë të punohet një skulpturë e mirë për një njeri aq të madh siç është Clinton.
“ Zotëri president, ju falënderoj për të gjithë atë që keni bërë për popullin e Kosovës. Jam munduar ta skulpturoj këtë shtatore kushtuar juve, unë jam i bindur se nuk do të arrij sepse është shumë e vështirë të skalitet një njeri aq i madh. Megjithatë ju falënderoj për ardhjen tuaj dhe jetofshi shumë gjatë”, ka thënë skulptori Mustafa.

Shtatorja që tashmë është vendosur në sheshin Bill Clinton në lagjen “Dardania”, në Prishtinë, ka një bazament prej tre metra të lartë, është e gjatë 3 metra, respektivisht 6 metra, kurse peshon 900 kilogramë.
Presidenti Klinton në Kosovë gëzon respekt të jashtëzakonshëm, për rolin që ka pasur në fushatën ajrore të aleancës veri-atlantike kundër forcave serbe të sigurimit më 1999.

Vizita e presidentit Klinton në Kosovë, është e treta me radhë që prej përfundimit të luftës dhe e para që prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Shiko Video 12

KOMENTOJE

Furra Tahiri