Shqiptarët në Mal të Zi humbin njësinë e tyre zgjedhore

Edhe pse që të gjithë deputetët e partive nacionale parlamentare shqiptare kanë qenë këmbëngulës, që me ligjin e ri zgjedhor, i cili është në periudhën e finalizimit, të definohet njësia e posaçme zgjedhorore shqiptare, nga e cila do të dilnin 5 deputetë, përvojë kjo që aplikohet tash 13 vjet në Malin e Zi, Grupi punues kuvendor nuk e mori parasysh këtë, bën të ditur KosovaLive.
Pikërisht pesë deputetët shqiptarë nga zona e posaçme e tyre zgjedhore, ishin përcaktues që Mali i Zi të shpallet shtet i pavarur dhe sovran dhe të miratojë Kushtetutën e re, që e definon këtë.
“Mali i Zi do të jetë një njësi zgjedhore, pa mandate të garantuara për çka kanë insistuar shqiptarët, dhe në Parlament do të mund të hyjnë komunitetet që e kalojnë cenzusin e karakterit qytetar prej 3 për qind,” thotë bashkërenduesi i Grupit punues parlamentar, Miodrag Vukoviq, duke theksuar se përveç përfaqësuesve shqiptarë, të gjithë anëtarët tjerë ishin unikë për këtë model.
Përfaqësuesi i socialistëve në pushtet, Vukoviq nënvizion se bashkësitë nacionale, të cilat në numrin e përgjithshëm të popullsisë marrin pjesë me mbi 2 për qind, duhet të arrijnë pragun prej 3 për qind.
Sipas tij, këtë model e kanë pranuar të gjitha partitë përveç atyre shqiptare, të cilat kërkojnë përfaqësim autentik sipas ligjit të deritashëm.
Përfaqësuesi i Partisë boshnjake, Kemal Purishiq vlerëson se minoritetet, që në strukturën shtetërore janë më pak se 2 për qind (siç janë kroatët), nuk mund të arrijnë kushtin për t’u përfaqësuar në parlament.
Kështu, pas një debati dyvjeçar shumë të nxehtë politik, merr fund insistimi i shqiptarëve për pesë mandatet nga zona e tyre zgjedhore. Ky propozim i ligjit së shpejti do të miratohet në parlamentin malazias. /Koha Net/


Nimanbegu: Koalicioni qeverisës heq të drejtat e arritura të shqiptarëve

Partitë politike parlamentre shqiptare, hiq Unionin Demokratik të Shqiptarëve që merr pjesë në qeverinë malazeze, Forca e Re Demokratike – Forca, Lidhja Demokratike në Malin e Zi dhe Lista shqiptare – Perspektiva e quajnë të papranueshëm propozimin e grupit punues për harmonizimin e ligjit zgjedhor me Kushtetutën.
Nënkryetari dhe deputeti i Forcës, Genci Nimanbegu, në mbrëmjen e së premtes deklaroi për media se propozimi i mazhorancës që “partive të pakicave , të cilat në strukturën e përgjithshme të popullsisë marrin pjesë prej 2 deri në 13 për qind, u takon nga një mandat nëse nuk e tejkalojnë pragun natyror prej 4 mijë votash”.
Sipas tij, koalicioni qeverisës dëshiron të heqë të drejtën e shqiptarëve për pesë mandatet e garantuara në parlament, meqë në zgjedhjet e vitit 2009 ka pësuar humbje bindëse në njësinë e posaçme zgjedhore.
Nimanbegu thotë se Forca angazhohet për të drejtat dhjetëvjeçare të realizuar me ligjin zgjedhor, mbi bazat e së cilit zgjidhen pesë mandate nga zona zgjedhore shqiptare.
Këtë qëndrim e mbrojnë edhe dy deputetët tjerë shqiptarë, Mehmet Bardhi dhe Amir Hollaj.
Ndërkaq, bashkërenduesi i grupit punues për harmonizimin e Ligjit të ri zgjedhor me Kushtetutën, Miodrag Vukoviq, siç ka njoftuar KosovaLive, deklaroi të premten se është optimist se ky trup deri më 5 shkurt do ta përfundojë këtë obligim, i cili duhet të miratohet në parlament më 30 prill.
Deputetët shqiptarë thonë se deri në vitin 2006, kur u shpall Mali i Zi shtet i pavarur edhe u miratua kushtetuta, ”ka qenë në rregull zona zgjedhore shqiptare me pesë mandate”, por tash shumicës nuk i lypsen votat e partive nacionale të shqiptarëve, meqë “janë kryer punët madhore”. /Koha Net/

KOMENTOJE

Furra Tahiri