MMC ka biseduar me Berishajn, ekspert ky për çështjen shqiptare, me rastin e përvjetorit të dytë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Para dy vjetësh në Prishtinë e shpallën njëanshëm pavarësinë nga Serbia, gjë të cilën Beogradi e kundërshtohet ende. Pas disa vjet negociata të pasuksesshme ndërmjet Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës u “realizua ëndrra e shumë gjeneratave”. Shteti i ri e mori për themel të vet të ashtuquajturin Planin e Ahtisarit, që parasheh pavarësi të mbikëqyrur. Prishtina po ballafaqohet me probleme të shumta, për zgjidhjen e të cilave i ndihmon bashkësia ndërkombëtare.
Berishaj është dekan në Fakultetin e Marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë në Prishtinë, si dhe drejtor i Qendrës për Studime Shqiptare Albanica në Lublanë.
Kosovën e pavarur e kanë pranuar deri më tani 65 shtete, kurse vitin e fundit është bërë anëtare e dy institucioneve të rëndësishme financiare, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar ndërkombëtar. Sigurisht se Prishtina do të dëshironte kyçje më të shpejtë në bashkësinë ndërkombëtare?
Kosova, si çdo shtet tjetër, që është në rrugën e integrimeve evropiane, do të dëshironte, që kjo kyçje të zhvillohej më shpejt, megjithëse jemi të kënaqur si me procesin e njohjes, ashtu edhe me procesin e anëtarësimit të Kosovës në institucione të rëndësishme financiare. Kosovën e kanë pranuar deri më tani 65 shtete. Pas raportit të Gjykatës Ndërkombëtare të Haagut në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që përndryshe nuk prodhon obligim juridik, presim se njihja do të vazhdojë. Presioni diplomatik i Serbisë mbi Gjykatën Ndërkombëtare në Haag përjetohet në Kosovë si prova e fundit e elitës politike serbe, që popullit të vet “t’ia arsyetojë humbjen e Kosovës”.
Kritikët, gjegjësisht kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës pohojnë se Kosova nuk është e pavarur, pasi që nuk e kontrollon tërë territorin, e përpos kësaj, rol të rëndësishëm atje ka ende bashkësia ndërkombëtare.
Kosova është subjekt i të drejtës ndërkombëtare, që takohet çdo ditë me probleme të ndryshme. Elita politike kosovare ende nuk e kontrollon tërë territorin. Si pengesë kryesore tërë kohën paraqitet raporti i politikës zyrtare të Beogradit ndaj shtetit kosovar, që “e mbështet” pakicën serbe gjatë padëgjueshmërisë qytetare në procesin e (mos)integrimit në sistemin kosovar të institucioneve politike. Politika serbe kishte monopol mbi serbët e Kosovës deri në zgjedhjet e fundit, mirëpo në këto zgjedhje lokale, një pjesë e pakicës serbe në Kosovë ka vendosur të marrë pjesë dhe në tri komuna, ku janë serbët shumicë kanë pasur sukses të fitojnë dhe të krijojnë administratën e vet brenda institucioneve të shtetit kosovar. Këtu duhet përmendur se Shqipëria e ka mbështetur komunën e Graçanicës me 400 mijë euro për krijimin e administratës lokale.
Sa i përket rolit të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, ky është i dukshëm. Bashkësia ndërkombëtare që nga fillimi është mbështetja kryesore e shtetit kosovar. Kosova si shtet është projekt ndërkombëtar, ku po ndërtohet një model i suksesshëm i shtetit multikulturor dhe multinacional. Duhet të ceki, se Kushtetuta e Kosovës, sa i përket raportit të shtetit ndaj pakicave, është kushtetuta e vetme në botë, që u garanton pakicave barazi të vërtetë. Shqiptarët si popull shumicë në Kosovë e kanë pranuar të ashtuquajturën kushtetutë të Marti Ahtisarit dhe e përjetojnë atë si projekt të vetin.
Me rastin e përvjetorit të parë të pavarësisë, kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se pavarësia është realizim i ëndrrave të shumë gjeneratave. A mendojnë kështu edhe shqiptarët, apo, pas euforisë me rastin e pavarësimit kanë rënë të tokë reale, a ndihet zhgënjimi?
Për ngjarje të mëdha, siç është shpallja e pavarësisë është krejtësisht normale të përdoren fjalë të mëdha. Në vigjiljen e pavarësisë sllovene, Kuçani i tha këto fjalë: ‘Sonte lejohen ëndrrat…’, apo ta marrim retorikën e kryetarit të Kroacisë Franjo Tugjmanit me rastin e shpalljes së pavarësisë kroate. Personalisht mendoj se pavarësia e Kosovës është një proces logjik i vazhdimësisë së emancipimit të shqiptarëve në Kosovë. “Honey moon-i” (muaji i mjaltit, vër e përkth.) kosovar ka kaluar. Shtrohet pyetja, çka do të thotë të zhgënjehesh? Duhet të jesh, përpara kësaj, i fascinuar, që të ballafaqohesh me zhgënjimin! Shtetasit kosovarë e jetojnë përditshmërinë. Fillimisht u zhgënjye ajo pjesë e popullatës, që “nuk fitoi nga shteti atë që e priste”, pasi që shteti kushton. Kosova është shtet i varfër, në Kosovë ka shumë të papunësuar, kriza, kriza botërore është paraqitur edhe në Kosovë. Numri i të papunësuarve assesi nuk mund të stigmatizohet me pozitën e të zhgënjyerve. Të zhgënjyer, para të gjithve mund të jenë ata serbë, që kanë menduar se Kosova nuk do të bëhet askurrë shtet; roli kryesor i elitës politike të serbëve në Kosovë, është që atë grup njerëzish ta vendosë para realitetit, se Kosova është shtet.
Pozita ekonomike e Kosovës nuk është e pëlqyeshme, papunësia është e madhe. Si jetojnë njerëzit, a është standardi i tyre jetësor më i mirë seç ishte para pavarësimit?
Njerëzit në Kosovë kacafyten me pozitë të vështirë ekonomike, standardi i tyre, në krahasim me standardin para pavarësimit është duke lëvizur ngadalë për të mirë. Përkundër pozitës së vështrë ekonomike, në Kosovë veç po tregohen lëvizjet e para. Para së gjithash, bashkësia ndërkombëtare i mundësoi Kosovës që të anëtarësohet në institucione tejet të rëndësishme financiare, që do ta ndihmojnë dhe ta mbështesin qeverinë e Kosovës gjatë realizimit të zhvillimit të saj strategjik ekonomik; si prioritet të zhvillimit ekonomik qeveria e Kosovës e ka shtruar investimin në energjetikë dhe në infrastrukturën rrugore.
Sa është kriminaliteti problem i madh dhe si ballafaqohet pushteti kosovar me këtë problem. Sa të (pa)suksesshëm janë këtu?
Do të thosha se raporti ndaj shtetit është subjektiv, varësisht nga ajo, se nga cili këndvështrim i qasemi. Nëse dëshirojmë t’i qasemi nga këndvështrimi kulturor, atëherë do të mund të numëronim shumë ngjarje të suksesshme kulturore, dhe kjo do ta shtynte shtetin ndër shtete të suksesshme, e nëse dëshirojmë ta shikojmë përmes prizmit të kriminalitetit, gjithsesi do ta gjejmë edhe atë. Sidoqoftë, mendoj se Kosovën si shtet të ri duhet ta shikojmë nga aspekti se si ka pasur sukses ta rregullojë pavarësinë e gjyqësisë. Këtu duhet theksuar se bashkësia ndërkombëtare e ndihmon me sukses Kosovën në zhvillimit e kësaj dege të pavarur të pushtetit. Në Kosovë funksionon gjyqësia e pavarur dhe Kosova kacafytet me kriminalitetin si të gjitha shtetet e reja. Kosova këtu nuk është kurrfarë përjashtimi. Ndonëse disa dëshirojnë ta potencojnë pikërisht atë përmasë! Për fat të keq të atyre, që dëshirojnë ta renditin Kosovën në grupin e shteteve, ku “lulëzon” krimi, më duhet t’i them, se nuk është ashtu.
Me rastin e shpalljes së pavarësisë, para dy vjetësh, është folur se Kosova herët a vonë do t’i bashkëngjitet Shqipërisë. A ekzistojnë (ende) projekte të ngjashme për të ashtuquajturën Shqipëri të Madhe, apo Kosova dëshiron të mbetet / bëhet plotësisht e pavarur?
Shqipëria e Madhe nuk ekziston, kjo ekziston në kokat e disa ideologëve serbë të shekullit të 20., që kanë dashtë ta arsyetojnë “Drang nach Osten-in” e vet politik dhe idenë e Serbisë së Madhe. Ekziston Shqipëria etnike dhe për Shqipërinë etnike mund të flasim si për hapësirën shqiptare etnike dhe kulturore. Pra, në këtë hapësirë ekzistojnë dy shtete: Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, që zhvillojnë marrëdhënie shumë të mira fqinjësore. Ndoshta disa e kanë parë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, në qershor të vitit të kaluar, kur u hap autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Durrësit. Nëse dikush e vlerëson këtë zhvillim ekonomik si bashkim me Shqipërinë, atëherë ky është bashkim me Shqipërinë. Mirëpo, shqiptarët mendojmë ndryshe. Matrica themelore është zhvillimi ekonomik i të dy shteteve. Jermi të vetëdijshëm se në Ballkan nuk do të vijë deri te ndryshimi i kufijve. E nëse vjen, atëherë do të ndryshojë edhe retorika. Kosova dhe Shqipëria janë në rrugën e kyçjes në BE, dhe nëse vjen deri te bashkimi, ky sigurisht do të ndodhë në Bruksel. Të jetosh në Prizren dhe të punosh në Kukës është njësoj si të jetosh në Jesenice dhe të punosh në Beljak.
Për ta kuptuar më lehtë, nëse nuk ka kufi ndërmjet Sllovenisë dhe Austrisë, prapëseprapë mund të flasim për hapësirën kulturore sllovene, edhe përkundër faktit se ekzistojnë dy shtete të pavarura dhe ndërkombëtarisht të pranuara. Çdo tentativë që të ngarkohet çështja shqiptare me ideologjitë “e të mëdhenjve dhe të vegjëlve” do të jetë e pasuksesshme. Shteti Kosovar nuk është arnë ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, por është shtet i pranuar ndërkombëtarisht. Ata që dëshirojnë ta shohin Kosovën si arnë, si njëfarë krijese të përkohshme, na duhet tu themi se mendojnë gabimisht për ardhmërinë e Ballkanit dhe të Evropës.
Pas shpalljes së pavarësisë nuk ka ardhur deri te ajo, që janë frikësur disa, pra deri te shpërthimi më i madh i dhunës. Apro po faktit se popullata serbe në Kosovë nuk e njeh pushtetin në Prishtinë, a mund të themi, se n[ë të ardhmen mund të pritet, se mund të vijë deri te farë trazirash më të mëdha?
Kjo “arkitekturë” e destruksionit dhe projektim i politikës serbe është reflektuar në kokat e tyre në kuptimin “se nëse vjen dhe kur të vijë deri te Kosova e pavarur, shqiptarët do t’i presin serbët në qafë” duke menduar se “logjikisht” shqiptarët do ta vazhdojnë gjenocide qindvjeçare serbe në Kosovë.
Së pari, çështja shqiptare është çështje civilizuese. Së dyti, ata që presin dhunë prej nesh, e kanë konstruktin e dhunës vetëm në kokat e tyre. Shqiptarët nuk mendojnë sipas këtyre parametrave, sipas kësaj matrice nuk kanë menduar as gjatë luftës për mëvetësi të Kosovës. Fatkeqësisht të tjerët e kanë kuptuar ndryshe. Refleks i gjithë kësaj është fakti, se si është pranuar bashkësia serbe në Kushtetutën e Kosovës, të tjerët e quajnë pakicë serbe, e na do ta quajmë bashkësi serbe në Kosovë, që është plotësisht e barabartë me të tjerët, me shqiptarë, turq, romë, malazias …
Problemi i serbëve në Kosovë nuk është se nuk janë të barabartë, përkundër, problemi i tyre është se janë bërë të barabartë me të gjithë tjerët në Kosovë! Për fat të keq, barazinë ata e përjetojnë si nënshtrim. Shqiptarët si popull shumicë do tu ndihmojnë atyre ta kuptojnë këtë “përzierje”.
Çfarë “roli”, gjegjësisht vendi i ka destinuar Qeveria e Kosovës pakicës serbe? Si e sheh qeveria “bashkëjetesën” me ta?
Serbët që jetojnë në Kosovë janë shtetas të Republikës së Kosovës. Në zgjedhjet e fundit u janë kundërvu presioneve të Serbisë dhe kanë dalë në zgjedhje dhe tani i mbikëqyrin, gjegjësisht i udhëheqin tri komuna në kosovë.
Mendoj se ata shtetas, që e shohin Kosovën si shtet të tyre do të duhet të ballafaqohen me sfidën demokratike të rregullimit të të drejtave të veta qytetare të garantuara me kushtetutë. Procesi i decentralizimit është hapi i parë kah integrimi i pakicës serbe në Kosovë.
Serbia edhe më tutje e kundërshton pavarësinë e Kosovës, ka pasur sukses, që rreth (jo)ligjshmërisë së shpalljes së njëanshme të vendosë Gjykata Ndërshtetërore në Haag. Kosova pohon se pavarësia nuk mund të fshihet, ndërsa Serbia këmbëngul se shpallja ishte joligjore …
Si çështje juridike, Kosova tashmë është rregulluar. Juridikisht nuk është rregulluar vetëm në disa “koka” të elitës politike serbe.
Elitës politike serbe i mbetet një shije e thartë për shkak të mossukseseve të tyre politike dhe historike në Kosovë. Mossuksesi i tyre politik dhe historik është bazuar në sjelljen jocivilizuese me shqiptarët dhe me çështjen e Kosovës. Kosova sot nuk është Kosova e viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, por Kosova e 2010-tës. Kosova sot nuk është koloni serbe, është shtet, që dëshiron të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe me të gjithë fqinjët e vet. Kosova sot paraqet sfidë për Evropën politike në kuptimin e pranimit të shtetit më të ri në këtë pjesë të Evropës. Raporti serb ndaj Kosovës është, para së gjithash, raport civilizues ndaj vetes, e jo ndaj Kosovës. Për fat të keq, elita politike serbe e bartë barrën historike të nacionalizmit serbomadh dhe në fakt, kurrë nuk ia ka marrë për të madhe Millosheviqit, që e ka filluar luftën për Serbinë e Madhe, por ia kanë marrë për të madhe, që nuk e ka realizuar Serbinë e Madhe.
Sllovenia e ka pranuar Kosovën e pavarur në mars të vitit 2008, atëherë kur e kryesonte Bashkimin Evropian, në Kosovë janë edhe ushtarët sllovenë. Çfarë roli mund të luaj Sllovenia në të ardhmen në Kosovë?
Marrëdhëniet kosovare, gjegjësisht shqiptare – sllovene datojnë që nga shekulli i 19. Askurrë gjatë historisë shqiptarët dhe sllovenët nuk kanë pasur kurrfarë problemesh. Sllovenia e ka mbështetur Kosovën edhe në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar. Pas shpalljes së pavarësisë, Sllovenia ishte ndër shtetet e para që e pranoi Kosovën.
Në Pejë ka ekzistuar kontingjenti i ushtrisë sllovene, që është pranuar në mënyrë tejet miqësore praj shqiptarëve të Kosovës dhe prej të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Kosova për Slloveninë është sfidë e madhe ekonomike. Shteti kosovar ka siguruar infrastrukturë ligjore për investimet dhe investuesit, ndaj ndërmarrjeve sllovene ka dhe do të ketë qëndrim pozitiv, siç ka pasur gjithmonë edhe ndaj çështjes sllovene. Ndërmarrjet sllovene do të jenë në listën prioritare kosovare. /RTV SLO/ LINK