Demokracia e papërfunduar – Dr. Nail Draga

Pothuaj në të gjitha vendet në tranzicion proceset demokratike kanë të njëjtat vështirësi, sepse është vështirë të ndryshojë vetëdija politike e strukturave udhëheqëse e cila është ngulitur dekada më radhë, andaj me të drejtë mund të themi së kemi të bëjmë me demokraci të papërfunduar, deri sa të krijohet një klasë e re politike e cila nuk vuan nga hipotekat e kaluara.

Dr.Nail Draga

Nuk është diçka e re e as e panjohur se çdo sistem shoqëror ka krijuar strukturën e vet udhëheqëse e cila me fjalorin bashkëkohor quhet klasë politike. Kështu edhe sistemi monist kishte krijuar klasën e vet politike e cila ishte sionim i pushtetit. Eshtë çështje tjetër se sa strukturat udhëheqësëse të kohës kanë qenë në nivelin e duhur për të kryer obligimet përkatëse dhe në favor të interesave të përgjithshme të qytetarëve. Nuk ka dilemë së një qasje e tillë paraqet çështje të veçantë për mjediset multinacionale ku në ketë aspekt ne shqiptarët kemi përvojë dhe argumente të mjaftueshme, sepse vazhdimisht ka munguar barazia praktike qytetare e sidomos ajo nacionale.

Klasa politike dhe hipotekat e kaluara

Duke pasur parasysh rrethanat shoqërore dhe diskursin e vazhdueshëm nga ana e pushtetit ndaj shqiptarëve me keqardhje duhet thënë së shqiptarët nuk kanë pasur klasë politike. Jo se shqiptarët nuk kanë dëshiruar, por rrethanat kanë qenë të tilla dhe kanë qenë të kushtezuara nga pushteti i kohës. Tjetër gjë është nëse ka ekzistuar ndonjë individ i cili është dalluar më përgatitjen profesionale apo guximin personal.
Një dukuri e tillë nuk meriton ndonjë analizë të veçantë sepse sistemi i kohës përgatiste kuadro për t’i shërbyer ideologjisë e jo popujve të cilëve iu takonin.Të ndodhur në situatë të tillë nën ombrellën e partisë-shtet edhe iniciativat për çështje elementare janë trajtuar me qasje tjetër. Sepse çdo gjë duhej të ishte në frymën e politikës së pushtetit, ndërsa nëse ishte e kundërta ekzistonin gjasat që t’iu atribuonin epitete të ndryshme duke filluar me sintagmen i papërshtatshëm, deri tek ato armiqësore.
Ishte ky një veprim perfid i pushtetit për të kontrolluar çdo qelizë të pjesëtarëve të popujve pakicë ku shqiptarët ishin të veçantë nga aspekti i qasjes jo vetëm ideologjike. Dhe të ndodhur në situata të tilla më apo pa vetëdije duke i shërbyer partisë-shtet madje edhe me tepër se ajo çka ka kërkuar, disa individë shqiptarë si atëherë edhe sot sot mbajnë hipotekat nga e kaluara.
Kuadrot e tilla të asaj kohe nga aspekti profesional kryesisht ishin me shkollë të mesme e rrallë ndonjë me atë të lartë e superiore. Ndonëse me kalimin e kohës numri i atyre me shkollim të lartë dhe superior filloj të rritet dukshëm mundësitë e punësimit si dhe të ndikimit në mjedisin përkatës ishin të kufizuara.

Pluralizmi dhe klasa e re politike

Me vendosjen e pluralizmit nga viti 1990 u mundësua që në skenën politike të paraqiten individë të rinj të cilët filluan të jenë sinonim i klasës së re politike. Por, edhe pse për nga përgatitja profesionale dalloheshin nga paraardhësit ata kishin mungesën e përvojës që u hetua menjëherë në zgjedhjet e para pluraliste. Ndërsa nga ana tjetër këto kishin një përparësi sepse nuk vuajnë nga hipotekat e kaluara, duke marrë parasysh se pjesa dërrmuese e tyre nuk kanë qenë pjesë e strukturave të pushtetit monist.
Andaj duke pasur parasysh të kaluarën tonë për të parën herë u dha mundësia të kemi një klasë të re politike e cila përfaqësohej kryesisht përmes subjekteve politike. Fillimisht qasja e kësaj klase politike ishte tërësisht opozitare ndaj pushtetit sepse për të parën herë u prezantuan çështjet ashtu siç ishin realisht e jo si i diktonte pushteti i kohës, dekada me radhë.
Në rrethana të reja shoqërore nuk ka dilemë se duheshin individ të përgatitur dhe të guximshëm, për ti paraqitur të gjitha çështjet në mënyrë të argumentuar dhe transparente. Ndërsa është çështje tjetër se sa janë arritur rezultate konkrete në ketë drejtim.

Demokracia e papërfunduar

Ndonse po bëhën njëzet vite nga miratimi i pluralizmit sikurse në vendet e tjera të Evropës Juglindore edhe në Mal të Zi ende nuk kemi një demokraci të konsoliduar. Edhe pse ky vend është më i vogli për nga numëri i banorëve në sajë të rrjedhave aktuale shoqërore nuk gabojmë nëse themi së ketu demokracia ende është e papërfunduar. Një dukuri e tillë vërehet tek institucionet e sistemit sepse aparati shtetëror është pothuaj tërësisht i politizuar. Fjalën e kemi te strukturat kadrovike të cilët të gjithë janë pjesëtarë të subjekteve të ndryshme politike të shumicës parlamentare, duke anashkaluar pothuaj në tërësi kriterin profesional.
Dhe nga një praktikë e tillë përfaqësues të ndryshëm nga opozita apo shoqëria civile janë të anashkaluar apo nuk kanë gjasa për të qenë pjesë e institucioneve qeverisëse, qoftë në nivelin lokal apo atë qendror. Nuk ka dilemë se nga një gjendje e tillë del qartë se kemi të bëjmë me keqpërdorim të funksioneve ku vjen në shprehje subjektivizmi profesional dhe nepotizmi e jo vlerat e mirëfillta profesionale. Një veprim i tillë paraqet kundërshtim flagrant të normave elementare demokratike, sepse në çdo shoqëri të denjë demokratike vlerat profesionale janë mbi ato partiake, klanore e familjare.
Ndërsa nga ana tjetër edhe pse janë pritur se do të bëhën ndryshime cilësore nga ana e pushtetit, duke kaluar nga fjalët në vepra, pjesëtarët e pakicave nacionale nuk janë të kënaqur me statusin e tyre, sepse edhe në pluralizëm është punuar pak për përfaqësimin proporcional të tyre në institucionet qeveritare në nivelin lokal dhe ate qendror.
Me pjesëmarrjen prej rreth 0,5 përqind nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në nivel shtetëror shqiptarët në Mal të Zi janë dëshmi transparente e pabarazisë praktike në politikën e punësimit, çka flet qartë edhe për statusin e tyre politik, social dhe kulturor në ketë mjedis.

Udhëheqje autoritare e partive politike

Duket paradoksale por edhe në pluralizëm në disa aspekte vazhdon mentaliteti i trashëguar nga monizmi. Fjala është për pikëpamjet dhe mendimet e ndryshme të prezantuara në lidhje me subjektet politike apo individet në strukturat e tyre udhëheqëse. Në raste të tilla madje edhe kritika më konstruktive dhe e argumentuar nga individet e ndryshëm është e papranueshme për liderët apo pjesëtarët e stafeve të tyre drejtuese. Madje qasjet e tilla cilësohen të rrezikshme sepse nuk janë në favor të vizionit të tyre, ku nga një qëndrim i tillë janë paraqitur fërkime të brendshme të subjektet politike. Dhe nga një mosdurim i tillë të gjithë jemi dëshmitarë të krijimit të fraksioneve të ndryshme politike të cilat më pas kanë çuar në formimin e subjekteve të reja politike. Pavarësisht së një numër i subjekteve të tilla janë minore dhe pa ndonjë ndikim në jetën politike, ata janë bërë pjesë e mozaikut të përgjithshëm politik në mjediset përkatëse.
Një veprim i tillë nuk ka dilemë se krijon huti të elektorati duke e dobësuar ate, por edhe zvogëlon potencen politike të subjekteve më të mëdha. Nga ana tjetër, veprimi i tillë i legjitimitetit të këtyre subjekteve minore i mundëson gjithnjë veprimin autoritar individëve udhëheqës. Kështu me largimin e individeve të tillë të cilët quheshin si të padëgjueshëm i hapnin mun
dësi liderit partiak të vepronte në mënyrë autoritare pa shqetësime. Nëse një veprim i tillë është shpëtimtar për liderin autoritar duke mbetur aty ku ishte më parë, ai është i dëmshëm për qytetarët, proceset demokratike dhe elektoratin votues në veçanti.
Ndërsa është çështje tjetër dimensioni politik i veprimeve të tilla, sepse politika nuk bëhet duke larguar individë por duke i afruar ata.
Fatkeqësisht ky formulim vazhdon gjithnjë të jetë prezent për lideret autoritarë, që janë bërë pengesë reale e ndryshimeve pozitive në skenën politike pothuaj në tërë hapësirën etnogjeografike shqiptare..

Roli i shoqërisë civile

Nuk ka dilemë se aty ku funksionon shoqëria civile ekziston qasja kritike për çështje të ndryshme shoqërore. Madje ne vendet demokratike ndaj subjekteve të ndryshme të shoqërisë civile iu rezervohet kujdes i veçantë. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse ne kuadër të subjekteve të tilla ekziston i angazhuar apo i përfshirë një numër i konsideruar i kuadrove të profileve të ndryshme. Madje kuadrot e tilla në shumë raste janë më të përgatitur se kuadrot e ndryshme drejtuese të dikasterëve përkatës. Ndërsa nga ana tjetër pasi këto kuadro nuk kanë hipotekat e strukturave qeveritare, janë transparente dhe konkrete në qasjet e tyre për çështjet preokupuese për qytetarët në mjediset e ndryshme.
Ne vendet demokratike pikëpamjet e prezantuara nga shoqëria civile merren parasysh dhe ato bëhën pjesë e programeve të projekteve konkrete, jo vetëm në mënyrë deklarative, por madje edhe duke angazhuar individë konkretë të cilët janë dëshmuar në aspektin profesional për çështjet gjegjëse.
Qeverit e përgjegjshme qofshin ata në nivelin lokal apo qendror pranojnë vlerësimet kritike nga shoqëria civile dhe angazhohen për bashkëpunim të përbashkët për eliminimin e defekteve ekzistuese. Përjashtim bëjnë vetëm ato struktura autoritare të cilat vuajnë nga kompleksi i atavizmit që nuk ka dilemë së janë të dëmshme jo vetëm për momentin por edhe në të ardhmën në mjedisn përkatës./Koha Javore/

KOMENTOJE

Furra Tahiri