Lista për Tuzin del e vetme në zgjedhjet lokale

Tuz, 26 prill – Garuesve për Kuvendin e Komunës Urbane të Tuzit, në zgjedhjet lokale të 23 majit, u shtohet edhe grupi i qytetarëve i pagëzuar “Lista për Tuzin”, që kryesohet nga veprimtari, Muhamed Gjokaj, ndërsa Unionit Demokratik i Shqiptarëve e quan të leverdishme marrëveshjen për koalicion me Partinë Demokratike të Socialistëve.
Veprimtari Muhamed Gjokaj ka deklaruar për KosovaLive të hënën se ky vendim u mor, pikërisht, nga shkaku se „nuk duam të bëhemi pjesë e ndasive që vazhdimisht shfaqen në vigjile të zgjedhjeve“. Këto ndasi, sipas Gjokajt, shfrytëzohen për manipulimin e elektoratit nga subjektet politike, që veprojnë në trevën e Tuzit dhe të Malësisë.
„Ne mendojmë se duke dalë të pavarur në këto zgjedhje mund të tregojmë fuqinë e argumenteve dhe qëndrimeve tona që të sigurojmë një numër të caktuar votuesish, të cilët tashmë janë lodhur me ndasitë nëpër ‘fronte’ të ndryshme dhe se është në interesin e të gjithë neve zhvillimi dhe transformimi i trevës së Tuzit dhe të Malësisë“, mendon Gjokaj.
Në „Listën për Tuzin“ thonë se aktualisht nuk duan as nuk mund të paragjykojnë se kujt do t’ia japin përkrahjen nëse sigurojnë mandate për faktin se në grup ka edhe të tillë që në zgjedhjet për këshilltarë të Parlamentit të kryeqytetit, Podgoricës, do të mbështesin edhe pozitën edhe opozitën.
Gjokaj shton se gjatë disa muajve të fundit kanë punuar në terren në themelimin e degëve dhe këshillave vendore, kështu që do të jenë të pranishëm në të gjitha qendrat e votimit.
„Lista për Tuzin“ qëllim kryesor ka ngritjen e vetëdijes së qytetarëve që të mbështetet iniciativa për themelimin dhe realizimin e vetëqeverisjes së plotë lokale në trevën e Tuzit –Malësisë.
Ndërkaq, Unioni Demokratik i Shqiptarëve /UDSH/, ditën e hënë ka vlerësuar se “për statusin e ardhshëm të Malësisë, do të vendosin qytetarët e saj në referendumin që do të organizohet gjatë mandatit të ardhshëm, i cili fillon pas zgjedhjeve të 23 majit të këtij viti.
Zëdhënësja e UDSH, Xhenana Çaushi tha për KosovaLive se këtë e mundëson marrëveshtja që fundjavën e kaluar e kanë nënshkruar kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve /PDS/, Milo Gjukanoviq dhe kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Ferhat Dinosha.
“Kjo marrëveshtje vërteton arsyeshmërinë dhe leverdinë e partnerizmit dhe bashkëpunimit frytdhënës ndërmjet dy partive tash një kohë të gjatë dhe tregon se këto dy subjekte politike gjithnjë kanë parasysh, në radhë të parë, interesin e qytetarëve të cilët i përfaqësojnë”, nënvizon Çaushi.
Sipas saj, kjo marrëveshje dëshmon edhe arsyeshmërinë e hapave politikë të UDSH-së, i cili para 4 vjetëve kishte pranuar që Tuzi, si qendër e Malësisë, në një periudhë kalimtare, të ketë status të komunës urbane, i vetëdijshëm se kjo do të jetë bazë për të krijuar komunën e plotë. /Koha Ditore/

KOMENTOJE

Furra Tahiri