Subjektet politike shqiptare në Malësi pa marrëveshje, mbeten vetëm disa orë afat për një koalicion

Interesi personal e partiak në rënd të parë, po Malësia!?

Sot në mesnatë përfundon afati i dorëzimit të listave zgjedhore për zgjedhjet lokale të 23 majit, kurse subjektet politike shqiptare që në zgjedhjet e fundit lokale të 2006 dolën në koalicion parazgjedhor së bashku, ende nuk arritën marrëveshje për një koalicion të përbashkët. Sipas informacioneve jozyrtare në bisedat e fundit Iniciativës Qytetare, Lidhjes Demokratike dhe Alternativës Shqiptare ju bashkëngjit edhe një subjekt tjetër që përfaqësoi Angjell Gojçaj.
Në fillim, disa javë më parë, në takimin e parë që patën këto subjekte, nga zyrat e tyre lajmëruan për një fillim mjaft optimistik për krijimin e një koalicioni të gjerë shqiptarë. Patën lajmëruar se bisedimet do të vazhdojnë pa kushtëzime. Këtë “pakushtëzime” e kuptova se kjo do të thotë se qëllimi parimor është krijimi i një koalicioni shqiptarë ku do të punohet për krijimin e një komune të plotë për Malësi. Do të sakrifikohet dhe punohet për një jetë më të mirë për qytetarët e Malësise. Do të punohet që në atë komunë sido që të jetë, urbane apo e plotë, të flitet shqip etj.
Kurse sot, pas gjitha atyre bisedimeve, ka vetëm disa orë për afatin e fundit për dorëzimin e listave zgjedhore, e subjektet shqiptare ende nuk kanë një përgjigje për votuesit, për ata të cilët i votuan.
Kjo situatë dëmton vet qytetarët e Malësisë e do ti kushtoj shtrenjtë edhe subjekteve politike shqiptare që veprojnë në Malësi. Kjo do të krijojë mosbesim, huti dhe mosinteresim tek trupi votues në Malësi.
Mosarritja e një marrëveshje koalicioni shqiptarë në Malësi do të bindë malësorët se subjektet politike shqiptare në Malësi primare e kanë pozitën, karrigen dhe interesin personal, pasi siç dihet programin politik përafërsisht të gjithë e kanë të njëjtë.
E si të votojë atëherë malësori? Të mos dalin në zgjedhje fare, apo të votojnë partitë të cilat votën do të ua shpërblejnë me një copë asfalti, punësim, leje ndërtimit apo lirim nga ndonjë borxh rryme…
Që të dëshpërohesh edhe më shumë, disa shqiptarë nuk mund gjejnë gjuhë të përbashkët në mes veti por, atë e gjejnë me parti malazeze e boshnjake. Kjo nuk është gjë e re pasi Unioni Demokratik që shumë vjet zgjodhi këtë rrugë. Por, e re është se koalicioni me PSD (DPS) Gjukanoviq dhe me Partin Boshnjake u paska bërë me një marrëveshje që malësorëve të ju mundësohet referendumi për komunë të plotë, që deri tash UDSH-ja e kundërshtonte.
E kundërshtonte duke u arsyetuar se Malësia nuk ka kuadro, dhe forcë ekonomike ta mbajë vetën.
Po a thua se në këtë periudhë kohore, gjatë krizës globale, më të rrepte që mbas luftës së dytë botërore, Malësia i bëri kuadrot, u forcua ekonomikisht dhe mund të mbijetoj pa ndihmën e kryeqytetit. A thua është kjo e vërtet apo ndoshta UDSH-ja do ta nxjerrë lejen e referendumit nga Gjukanoviqi, e mbasandaj të kërkoj nga votuesit e sajë që mos të votojnë për komunë të plotë të Malësisë. / R. Ivezaj /

KOMENTOJE

Furra Tahiri