Gjukanoviqi nuk iu frikësuaka komunës së plotë të Malësisë, pse nuk e lejoi deri tani pra?!

Ata që shpirtërisht e duan Malësinë nuk mund të qëndrojnë gjakëtoftë këtyre ditëve. Duke lexuar e duke dëgjuar edhe deklarata të publikuara përmes video incizimeve të liderëve të lartë nga Podgorica dhe atyre shqiptarë, nuk ka si të mos e mbërthejnë shumë pyetje e shqetësime. Gjukanoviqi publikisht thotë se nuk ka pse t’i frikësohet qeveria e Podgoricës komunës së plotë të Malësisë. Nëse është kështu atëherë vështruesi nga jashtë Malësisë e shtron një pyetje të thjeshtë: “Pse qeveria malazeze dhe Gjukanviqi nuk debatuan shtruar me Malësinë për komunën e plotë në ditët e shkuara e para fushatës zgjedhore dhe bashkërisht ta lejonin realizimin e kësaj kërkese të malësorëve që qindra herë ishte bërë publike? Apo pyetja tjetër pse mu tani në fushatë ky Gjukanoviqi bëhet dorëlirë dhe premton referendum për këtë çështje. Atij i duartrokasin dhe i pohojnë me kokë edhe liderë e simpatizantë shqiptarë në një tubim elektoral me plot flamuj malazez, boshnjakë e me vetëm një flamur shqiptar. Këto pamje mund të lexohen se sa ka sinqeritet dhe premtime të forta për shqiptarët. Gjukanoviqi dhe gjithë liderët e shqiptarët që janë pranë tij e me të pse nuk ulën kokë me kokë dhe për ta treguar seriozitetin e deklarimeve nuk e pranojnë Malësinë si komunë të plotë në takimin e parlamentit malazez e pastaj të shkohet në votime. Kështu populli do të bindej se Gjukanoviqi dhe satelitët e tij e kanë seriozisht dhe se i kanë rënë pishman për gjithë padrejtësitë që iu bën Malësisë e malësorëve nga shpallja e pavarësisë së Malit të Zi. Nuk e bëjnë këtë sepse duan të tregojnë se nuk bazohen në drejtësinë dhe se nuk qajnë kokën për të vërtetën. Ata duan t’i tregojnë malësorëve se komuna e plotë u ka takuar gjithmonë , por se janë ata Gjuka dhe disa progjukanoviq që vrajnë e kthjellin dhe se ata vendosin për fatin e Malësisë dhe për faktin se a do të jetë a nuk do të jetë komuna e plotë atje.

Duke lexuar për gjithë këto e duke dëgjuar paraqitjen ën fushatë të Gjukanoviqit e Dinoshës njeriu nga jashtë Malësisë e që e nderon shumë këtë truall të Dedë Gjo Lulit habitet dhe nuk di çfarë të thotë. Malësisë Gjukanoviqi e Dinosha po i premtojnë gjërat që asaj i takuan po mu këta ia mohuan. Gjukanoviqi po flet publikisht se Mali i Zi është shembull i tolerancës dhe jetës së mirë të pakicave e nga ana tjetër në shtetin, që ai drejton, u ushtrua tmerr e dhunë e paparë ndaj malësorëve të pafajshëm?! A duhet besuar Malësia deklaratave të tilla ? A po pse u dashka të jetë komuna e plotë njëra prej premtimeve që po duan, ata që e penguan, ta realizojnë brenda katër viteve të ardhshme nëse u besohet vota, kuptohet ?

Gjithë këto dyshime nga brenda e jashtë Malësisë do të hiqeshin me një veprim e brenda ditës. Gjukanoviqi, Dinosha dhe gjithë qeveritarët e pro qeveritarët në Podgoricë le ta mbajnë një mbledhje të parlamentit malazez dhe le ta shpallin të ligjshme e legjitime kërkesën e bërë sa e sa herë të malësorëve për komunë të plotë e pastaj më 23 maj malësorët do të dilnin në votime dhe do të dinin se po votojnë për organe legjitime e të plota të një komune të tyre. Kështu me komunë urbane e me premtime boshe e të afatizuara vështirë e ka malësori dhe Malësia. Neve në Kosovë na kanë mashtruar shumë liderë e parti në fushata edhe pse ishin shqiptarë si ne, a mund t’ju besohet Gjukanoviqit e proqeveritarëve tjerë? Malësia e di këtë më se miri.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE

Furra Tahiri