Katër furgonë e 40 policë për arrestimin e Albin Kurtit me shokë

Prishtinë, 12 qershor (E plotësuar) – Policia e Kosovës ka arrestuar liderin e Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti. Lajmi është bërë i ditur nga përfaqësues të kësaj lëvizjeje, të cilët kanë thënë se së bashku me Kurtin janë arrestuar edhe disa aktivistë të tjerë.
Sipas një komunikate për media të “Vetëvendosjes”, Kurti është arrestuar nga njësitë speciale, ku kanë marrë pjesë rreth 40 njësi speciale, në 4 furgonë, me ç’rast është përdorur edhe gaz lotsjellës. Burime brenda selisë kanë bërë të ditur se policia ka përdorur edhe dhunë gjatë arrestimit të Kurtit.
Këtë e ka konfirmuar për RTV21 edhe zëdhënësi i Policisë, Arbër Beka.
Kurti u arrestua në selinë e “Vetëvendosjes”, pak orë pasi mbajti një konferencë për gazetarë, ku njoftoi se Lëvizja “Vetëvendosje” do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Njëri nga aktivistët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i tha BBC-së se ndërhyrja e policisë për arrestimin e Kurtit, në selinë e Lëvizjes, ishte e dhunshme. Por zyrtarë të policisë i thanë BBC-së se policia nuk ka përdorur dhunë në rastin e zotit Kurti.
Konjufca tha se në orët e ardhshme Lëvizja do të vendosë se cilat do të jenë hapat e mëtejshme pas arrestimit të udhëheqësit të saj.
Një gjykatës i EULEX-it ka lëshuar urdhër arrest për Kurti, i cili akuzohet “për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale dhe për pjesëmarrje në një grup, që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare”.
Akuzat kanë të bëjnë me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës në të cilat u vranë dy protestues.
Akuza për “thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës” është kërkuar të hidhet poshtë nga vetë prokuroria. Kurti ka thënë se këtë proces gjyqësor e sheh si “proces me motive politike”.
Ndërkohë, para selisë janë mbledhur spontanisht dhjetëra qytetarë, të cilët po protestojnë ndaj arrestimit të Kurtit dhe kërkojnë lirimin e menjëhershëm të tij. /Koha Net/

KOMENTOJE

Furra Tahiri