Informacionet nga Malësia tregojnë se atje të hënën do të vendoset një “hyqymet” i deleguar nga Podgorica. U gjend kombinacion i zi dhe polli dueti Nikollë Gegaj e Ferhat Dinosha dhe haj medet për Malësinë . Nikolla nisi të shpalos planet e tij dhe të kërcënohet se shpallja e Referendumit për komunën e plotë të Malësisë qenka shkelje e ligjit dhe e statusit që i është caktuar si komunë urbane e Podgoricës. Dinosha po trashet e nuk po bën zë. Ia arriti dhe bëri , bashkë me të tjerët, pikë e pesë Malësinë. Erdhi në Shtëpinë e Kulturës “Malësia” me Gjykanoviqin e me një kamion flamuj malazez e me një flamur shqiptar. Të gjithë e panë këtë. Malësia pa edhe promovime të njerëzve që e duan Malësinë dhe deshën të bëjnë pak më shumë për të, por nuk di. U bën votat dhe Malësia votoi sikur të kishte qenë nën magji. Fitoi partia e Gjukanoviqit . Fituan mjeranët dhe tash po i vënë pushtet( hyqymet) Malësisë nga Podgorica. I vënë sepse kishin përgatitur rrugën e ndarjes e përçarjes me kohë dhe tash si dhuratë pse Malësia, ky vend i burrërisë dikur, i besës dikur, i Dedë Gjo Lulit dhe i flamurit kombëtar dikur, kishte rënë nën kthetrat e atyre që kishin lënë në vitrinë kombin dhe po merreshin me garat se kush është më katolik se priftërinjtë dhe kush është më mysliman se hoxhallarët, po i sjellin hyqymet nga Podgorica me Nikollë Gegajn, që është figurë e plotë për të zëvendësuar Ali Shukriun, Kolë Shirokën apo Sinan Hasanin e Kosovës, që ishin bërë kamxhik kundër popullit të tyre e po goditnin sipas urdhrave të Beogradit. Edhe ata kishin njëri atë e tjetri atë besim a fe, por shqiptarë nuk ishin hiç. Edhe Nikollë Gegaj karshi Ferhatit kanë besime të ndryshme, po sa i takon kombit tonë nuk kanë të bëjnë fare me të. Ky realitet po tregon se sa e tmerrshme ishte ndarja e përçarja në Malësi e diasporë kohëve të fundit rreth asaj se kush është i atij besimi e kush i tjetrit dhe gara se cili besim është më afër shqiptarisë. Malësia dhe diaspora kohëve të fundit janë marrë shumë me fetë e besimet e më pak me çështjet e kombit dhe kështu janë krijuar përçarje dhe prandaj vota iku e shkoi të kutitë e të paudhëve. Malësia e diaspora përplasej se ky prift tha kështu e ky hoxhë tha ashtu dhe i hapen vetë rrugë mjerakëve si Nikolla Gegaj e Dinosha për t’i sjellë “hyqymet” Tuzit. “Nuk na frikëson neve komuna e plotë e Tuzit”, kishte thënë gjatë vizitës së tij kryekapoja i DPS-sit , Gjukanoviqi. Dinosha kishte premtuar se në mandatin 4 vjeçar do të bëhej komuna e plotë dhe ja sa janë të fjalës. Do ta dërgojnë Gegajn nga Podgorica për të bërë pushtet në Malësi dhe haj medet për Malësinë. Në Malësinë e Dedë Gjo Lulit kishte zëra që shanin Çunmulajn, Vasilin, Nikollë Camajn dhe ja ata janë jashtë lojës tani, por kë e kemi vënë në lojë dhe lojën për Malësinë apo për Podgoricën do ta bëj ky Nikollë Shirokë Hasan Shukriu?
E nderuar Malësi, e nderuara diasporë shqiptare në Amerikë, ndoshta do t’u tingëllojnë ashpër këto fjalë, por më kuptoni unë e dua dhe e kam dashur gjithmonë Malësinë. Këtë vend burrërie e trimërie e kam konsideruar gjithmonë si vendlindje të dytë sepse njerëzit e saj kishin dhënë provime të atdhetarisë nëpër shekuj, por magjitë e zeza nga Beogradi e Podgorica e kanë zënë Malësisë dhe ajo i dha votën servilëve. Ky është tmerri dhe haj medet për gjithë ata që e duan dhe e kanë në zemër truallin e Dedë Gjo Lulit. Mjerë për ata që kanë hyrë në vallen e dreqërve dhe kanë harruar se kombi është një e besimet apo fetë janë çështje personale. Në Kosovë e në Shoqatën e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “ Martin Dreshaj” kurë nuk kemi shikuar se kush cilit besim i takon, por jemi nisur nga fakti se kush sa është i gatshëm të punojë për kombin dhe bashkimin e tij dhe prandaj në të njëjtën tavolinë e me të njëjtin ideal punojnë edhe Pren Marashi edhe Uka edhe Frashëri, Rexhepi, SHefkiu, Rrahmani, Ismeti e Ndou e Aleksi. Për ne ishte dhe do të mbetet në radhë të parë kombi dhe atdheu e sa për besimin le ta ketë kush cilin të dojë e ne bashkërisht do t’i shkojmë në festa. Kur jemi të bashkuar nuk mund të hapin gojën ata që punojnë për të huajt dhe nuk i japim rast që dikush të na caktojë në krye tipat e stilit të Gegajt, Dinoshajt, Shukriut, Shirokës e as Hasanit. Këtë do ta dëshmojmë edhe në festivalin “Sofra dardane” të Bajram Curr të Shqipërisë. Aty do të jemi bashkë të gjithë vëllezërit dhe do ta bëhemi, edhe kësaj radhe, zë i Malësisë dhe për Malësinë.
Rrahman Jasharaj