Malësia e Madhe edhe në “Sofra dardane” të qytetit Bajram Curr të Shqipërisë

Edicioni i tetë i festivalit “sofra dardane” ka bërë bashkë në natën e parë të festës Ansamble, Shoqëri Artistike, Grupe folklorike e Shoqata nga troje të ndryshme shqiptare. Qyteti i Bajram Currit ishte kthyer në një vend takimi të artistëve dhe mbrojtësve të vlerave shqiptare. Ishin në mbrëmjen e parë në këtë qytezë të historisë Vlora, Gjilani, Rugova e Alpeve Shqiptare, Vitia, Çamëria po edhe Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” në bashkëveprim me Grupin Folklorik “Shpëtimi”nga Medvegja e Kosovës Lindore. Të tjerët, mase kishin ardhur për pika e poenë para jurisë, por Shoqata “ Marin Dreshaj” bashkë me “Shpëtimin” shkuan në Tropojë e Bajram Curr për të dërguar mesazhe e për t’u bërë zë i trojeve shqiptare që ende po mbahen nën administrimin e Malit të Zi a të Serbisë. Nata e parë kishte ngjarjet e bukura vëllazërore që dhuronin vetë banorët e qytezës Bajram Curr, por kishte edhe pika të dobëta në organizim. Ishte z. Delibali që mundohej të krijonte autoritet mes pjesëmarrësve duke u treguar se kush është dhe sa minuta duhet ta shkurtojnë paraqitjen ca pjesëmarrës. Ai po harronte se po bisedonte me përfaqësues Ansamblesh e Shoqatash që një jetë e kanë kaluar me skenën dhe artin shqiptar. Fillimi i këtij festivali nga njohësit e kulturës mund të vlerësohet thjeshtë me MIRË dhe KEQ.

MIRË:
U vazhdua me traditën e organizimit të Manifestimeve kulturore dhe me takimet në një vend e në një festival të Ansambleve e Shoqatave kulturore nga të gjitha trojet shqiptare. U bë e mundur që anëtarë e përfaqësues të këtyre Ansambleve të takohen e të këmbejnë adresa e të shprehin gatishmëri për bashkëpunim vëllazëror. Është mirë sepse pjesëmarrësit vërejnë e shohin nga afër atë burrërinë e kësaj pjese të Shqipërisë. Ishte mirë sepse pjesëmarrësit defiluan bashkërisht dhe tropojanët kishin kënaqësinë të shihnin një kolorit të pasur të veshjeve shqiptare dhe të bëheshin pjesë e valleve dhe e festës në rrugët kryesore të qytezës që mban emrin e Bajram Currit, të këtij tribuni e atdhetari të madh shqiptar. Ishte mirë se publiku në numër të madh po gjendej në ambientet e terrenit veror të basketbollit. Ishte mirë se shqiptarët nga të gjithë trojet treguan se janë më të lumturit kur janë bashkë e në një vend .

KEQ:
Ishte keq sepse organizatori në Bajram Curr i prirë nga z. Delibali Manifestimin e ndjenin si shumë të tyrin dhe e bënin disi privat. Ishte keq sepse qindra shikues në pallatin veror të sporteve të vogla u molisën nga prezantimi shumë i gjatë i Ansamblit Kombëtar të Shqipërisë. I ngjante se ky Ansambël nuk ka ardhur ta përshëndes manifestimin dhe pjesëmarrësit po ka ardhur të bëj koncert në Bajram Curr. Disa valle e shumë këngë kanë zgjatur për një orë dhe kjo ua ka “vjedhur” kohën “ Ansambleve e Shoqatave pjesëmarrëse. Keq edhe se organizatori u kishte dërguar ftesa pjesëmarrësve dhe ata do të duhej të ndjeheshin të barabartë, por këtë nuk e la të bëhej ky Delibali nga Administrata e kulturës së kësaj qyteze mikpritëse. Ai hapur e me sjelljet e tij tregonte se ka në këtë mbrëmjen e parë Ansamble të privieigjura dhe nga ata , që sipas tij edhe kanë mundur të mos vijnë në festival, pa marrë parasysh që ftesën ua kishte drejtuar e nënshkruar presidenti i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, z. Azgan Haklaj. Gjithë këto lëshime, me apo pa qëllim, stërzgjatja e paraqitjes së Ansamblit Kombëtar, lejimi nga z. Delibali që disa pjesëmarrës të vazhdojnë sa t’u teket më paraqitjet e tyre kanë ndikuar që publiku të lëshojë pjesë-pjesë e në ritëm të vazhduar programin dhe , sa keq, Ansamblet e fundit konkurruese kanë shpalosur programet e tyre para jurisë dhe një numri tepër të vogël të shikuesve. Z. Delibalin po e pyes si gazetar a ka gjë më të keqe e më mëkat se të lodhet publiku i mrekullueshëm e pastaj Ansambli me emër e që kultivoi e ruajti vallen e bukur shqiptare për 65 vite, pra Ansambli Autokton “Rugova” të bëj gjithë atë rrugëtim deri në Bajram Curr e ti t’ia lodhësh publikun me tekat tua e duke lëshuar pe për të admiruarit tu. Ti e di z. Delibali sa pati publik kur shpalosen vlerat e tyre të mirëfillta shqiptare ansamblet e fundit të mbrëmjes së parë. Mëkat o zotëri pse të ishte rritur mendja. Mos harro se në detin e madh të artistëve të mirëfilltë shqiptar ti je as sa një lugë ujë. Mos harro se Ansambli “Rugova” me dekada e edhe në kohë furtunash ka mbajtur gjallë folklorin tipik të Alpeve Shqiptare. Këtij Ansambli i janë ngritur në këmbë edhe artistë e njohës të artit e muzikës nga trojet shqiptare, por edhe nga shtete të ndryshme. Ti edhe pse më the se punon për 50 vite në këtë sferë, je i vogël karshi mjeshtrit Kapllan Nikçi, valltarëve me dekada të këtij Ansambli dhe të Ansambleve tjera, që ti e me tekat tua i le të shpalosin programin në mungesë të publikut, që ishte i mrekulluar, por që u lodh nga prezantimet e të privilegjuarve tu. Shoqata jonë e organizon çdo vit Manifestimin Tradicional “Zëri i Vëllazërisë”, o z. Delibali, por për ne edhe fëmija pjesëmarrës në këtë festë të madhe tonën është më i madh e më i ditur se të gjithë ne që kemi shkruar libra, kemi bërë skenarë filmash, tekste dramash e që punojmë me organizimet kulturore me dekada. “Oda është e Zotit dhe e mikut”, thotë kanuni shqiptar e këtë e ka pranuar e vënë në jetë edhe qyteza jote, edhe Tropoja e trojet tjera shqiptare. Ti e ke harruar, si duket, këtë gjë dhe kjo është fort keq. Uroj që të këndellesh e t’u ofrosh ti personalisht mikpritje më të mirë atyre që janë pjesë e dy mbrëmjeve në vijim të “Sofra dardane” se për qytetarët e Tropojës e Bajram Currit çdo lëvdatë. Ata u treguan se ishim mes vëllezërve dhe Ju lumtë për këtë.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE

Furra Tahiri