Edhe pse seanca konstituive e Parlamentit vendor të Ulqinit është thirrur për ditën e hënë për të verifikuar mandatet e dala nga zgjedhjet lokale të 23 majit, qeverisja e re vendore nuk shihet as në horizont.
Dy udhëheqësit kryesorë të koalicionit “Për Ulqinin evropian”, Gëzim Hajdinaga nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve /UDSH/, bartës i listës zgjedhore dhe Luigj Shkreli, kryetar i Këshillit komunal të Partisë Demokratike të Socialistëve /PDS/, një ditë pas zgjedhjeve, patën deklaruar për KosovaLive se kanë siguruar 14 këshilltarë dhe “me dy partnerët bashkëqeverisës që në mandatin e kaluar, Partinë e Prosperitetit Demokratik dhe Partinë Socialdemokratike /PSD/, të cilat fituan nga dy mandate, është harmonizuar çdo gjë për të formuar pushtetin e ri”, kjo nuk ka ndodhur as sot e kësaj dite.
Funksionari i lartë i Socialdemokratëve të Ulqinit, Skënder Elezaga, tha për KosovaLive se koalicionit “Për Ulqin evropian” i kemi kërkuar ofertë me shkrim, por ajo nuk na ka arritur dot.
Pikërisht, një javë më parë kryesocialisti i Ulqinit, Luigj Shkreli, pat shprehur bindjen se qeveria e re lokale në Ulqin do të themelohet këtë fundjavë, apo në fillim të javës së ardhshme, mirëpo ende nuk është bërë asnjë lëvizje në këtë drejtim.
Por, siç thonë analistët e pavarur të rrethanave politike në Ulqin, qeverinë e re të kësaj komune po e mban peng Podgorica, sepse raportet që zotërojnë në Podgoricë, reflektohen në të gjitha komunat ku deri më tash kanë bashkëqeverisur PDS dhe PSD, të cilat do të vendosin për formimin e pushtetit të ri edhe në Ulqin.
Me të drejtë analistët e pavarur thonë se ky është një absurditet i paparë, është shpërfillje e votuesve të komunës së Ulqinit, që mbi bazat e rezultateve të arritura, të mos arrihet një shumicë, e cila do të udhëheq me këtë qytet në katër vitetet e ardhshme, por duhet pritur se çfarë do të vendoset në Podgoricë.
Nga selia e Forcës së Re Demokratike mësojmë se ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Socialdemokratët e këtushëm pas ofertës “për një qeverisje më të përgjegjshme dhe më funksionale”, por vazhdojnë kontaktet mes tyre.
Nga sa shihet, Ulqini nuk ka fuqi politike për të formuar qeverinë e re lokale, pa i dhënë leje Podgorica. Kjo gjendje, natyrisht se sjell pasoja, sidomos në fushën e turizmit mbi të gjitha, duke e ditur se është dega e vetme ekonomike që funksionon në këtë qytet me papunësi më të lartë në Mal të Zi.