Letër e hapur, Kryetarëve të pesë subjekteve politike shqiptare në Komunën e Ulqinit – Xheladin Zeneli

Z. Ali Rexha (PPD), Z. Ali Doda (BDSH), Z. Amir Hollaj ( LQ “Perspektiva”), Z. Mehmet Bardhi (LDMZ) , dhe Z. Nazif Cungu (FD)

Të nderuar zotërinj Kryetar,

Fillimisht, n’a vjen keq që zgjedhjet e muajit Maj të këtij viti nuk u kurorëzuan më një kualicion të partive shqiptare për formimin e pushtetit lokal, por megjithate, me caktimin e zgjedhjeve te reja lokale në Komunën e Ulqinit,me 17 tetor 2010, paraqitet mundësi e re e formimit të një koalicioni parazgjedhor të partive politike shqiptare të opozitës, në këtë Komunë.

Unë mendoj se, të gjithë Ju, pajtoheni me atë që pushteti lokal në Komunën e Ulqinit,duhet ndërruar dhe duhet ndërruar tani. Arsyet se pse duhet të ndërrohet ky pushtet, Ju i dini shumë më mirë se unë.Gjithashtu, Ju jeni të vetëdijshëm edhe për faktin se asnjëri nga Ju (pra,subjekti politik që Ju përfaqësoni), nuk mund të arrijë deri te fitorja pa ndihmë dhe bashkëpunim më njëri-tjetërin.Nëse kemi mësuar diçka nga zgjedhjet e fundit,atëherë është ajo,se paraqitja në zgjedhje, të ndarë dhe me lista të veçanta, nuk jep rezultatin e pritur.

Shumë nga Ju, në deklaratat e Juaja publike konstatoni se jeni “për bashkëpunim dhe bashkëveprim”, atëherë, vetvetiu shtrohet pyetja se çfarë presim, pse nuk po bashkpunojmë ?!

Ndigjojmë, që pengesë kryesore e mosrealizimit të kualicionit deri më tani, janë kushtet lidhur me postet dhe pozitat në qeverinë e ardhshme eventuale, që një subjekt politik ia parashtron subjektit tjetër politik.!
Të nderuar zotërinj,

Në të gjithë botën demokratike, postet ndahen sipas përqindjes proporcionale të votave të mbledhura. Gjithashtu, me rastin e marrëveshjeve lidhur me ndarjen e pushtetit të ardhshëm eventual,duhet të jemi të sinqertë me vetvehten dhe të kemi kërkesa reale dhe racionale.

Pra,pengesat dhe vështirësit egzistojnë, por këto pengesa nuk duhen të jenë faktor, kur qëllimi është i përbashkët. E qëllimi është që në katër vitet e ardhshme, në Komunë të Ulqinit të udhëheq një forcë e re politike.

Megjithate, shpresoj se Ju do të gjeni motivim, energji dhe mirëkuptim të ndërsjelltë që të realizoni formimin e Kualicionit të Pesë Subjekteve Politike Shqiptare.Ky do të ishte një kualicion i natyrshëm dhe si i tillë, Jam i bindur që ka shansin më të mirë që të fitojë shumicën parlamentare në Kuvendin e ardhshëm të Komunës së Ulqinit.

Xheladin Zeneli (Ish- deputet)
4 Shtator 2010, New York

KOMENTOJE

Furra Tahiri