Zgjedhjet në Ulqin – UDSH për bisedime me PDS (DPS) kurse FORCA për bashkimin e partive shqiptare kunder pushtetit aktual

Dinosha: Bisedimet ende nuk kanë përfunduar

UDSH dhe PDS (DPS) ende nuk i kanë përfunduar bisedimet për pjesëmarrjen e përbashkët në zgjedhjet lokale në Ulqin të caktuar për me 17 tetor. Nga PDS me parë është paralajmëruar se kjo parti mund të dal edhe e vetme në zgjedhjet në Ulqin.

Kryetari i UDSH Ferhat Dinosha theksoi se partia e tij gjithnjë llogarit në bashkëpunimin me PDS pa marr para sysh formën e pjesëmarrjes në zgjedhje.

Sipas fjalëve të tij UDSH është duke vlerësuar nëse do të ishte mirë që koalicioni aktual me PDS të zgjerohet me bllokun e partive të gatshme për bashkëpunim. Në pyetjen nëse UDSH është i gatshëm të marr pjesë vetëm në zgjedhje, Dinosha u shpreh optimist. /RTCG/

FORCA për bashkim të faktorit Shqiptar kunder pushtetit aktual

Në mbledhjen e Këshillit qendror të mbajtur me 03.09.2010, pas vendimit të nxjerrë, Forca del me këtë deklaratë që e përcjellim:

Të nderuar qytetarë,

Forca e Re Demokratike, si partia shqiptare më e fuqishme në Komunën e Ulqinit ka ftuar në një tryezë të rrumbullakët të gjitha partitë shqiptare opozitare në përpjekje për t’u futur në zgjedhje të reja me një bashkim të faktorit shqiptar kundër pushtetit aktual. Ne kemi parashikuar një darkë pune me përfaqësuesit e këtyre partive të dielën.

Rezultatet e zgjedhjeve të kaluara e treguan qartë që qytetarët e Ulqinit kanë votuar për t’i thënë ndal qeverisjes së deritanishme. Duke patur parasysh kushtet ekstreme ku është katandisur komuna e Ulqinit nevojitet që të gjithë ne të angazhohemi për ta rimëkëmbur komunën dhe për t’i dhënë një të ardhme më të mirë fëmijëve tonë. Fatkeqësisht përçarja e partive ka bërë që shumë vota opozitare të shkojnë dëm e mos të përkthehen në mandate të anëtarëve të kuvendit komunal.

Gjithashtu kjo përçarje e madhe ka ngjallur skepticizëm të thellë tek qytetarët tanë dhe ka bërë që një pjesë e mirë e tyre të mos dalin fare në zgjedhje. Duhet vënë gjithashtu në dukje, se Forca e ndërmerr këtë iniciativë edhe në shenjë mirënjohje e konsiderate për kërkesat e vazhdueshme të diasporës sonë e cila nuk ka rreshtur së bëruri thirrje për bashkim. Përpos kësaj, sistemi zgjedhor parashikon ndarjen e mandateve nëpërmjet formulës d’Hondt prandaj ne jemi të bindur se nëpërmjet një koalicioni të gjerë do të sigurohen më shumë mandate për ta rrëzuar qeverisjen e deritanishme.

Prandaj ne ftojmë partitë e ndryshme opozitare shqiptare që të marrin të gjitha pjesë në këtë takim dhe të sillen në mënyrë sa më konstruktive dhe të përgjegjshme për të mirën e qytetarëve. Gjithashtu ne i bëjmë thirrje qytetarëve të Ulqinit dhe mbarë diasporës, që të ushtrojë presion ndaj përfaqësuesve e tyre të ndryshëm politik, në mënyrë që liderët e partive shqiptare të lënë mënjanë ndasitë, mosmarrëveshjet apo grindjet personale e të bashkëpunojnë për një të ardhme më të mirë të popullit tonë. /Qëndra Informative Forca/

KOMENTOJE

Furra Tahiri