Kosovë – Mali i Zi, bashkëpunim në fushën e sigurisë

Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Boro Vucinic dhe Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, nënshkruan të mërkurën në Podgoricë Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet dy ministrive.

Mujota tha se nënshkrimi i marrëveshjes është një rast i jashtëzakonshëm jo vetëm për dy ministritë dhe dy shtetet, por është porosi e fuqishme edhe për gjithë rajonin.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi dhe Ministrisë së Forcës së Sigurisë do të thotë bashkëpunim dhe siguri më e madhe në rajon, si dhe ndjekje e sigurt e rrugës së integrimit euroatlantik”, tha ministri Mujota.

Ai shprehu bindjen se nga Kosova do të vijnë porosi të fuqishme të mirëqenies, të paqes, të sigurisë për gjithë rajonin.

Ministri malazez e cilësoi vizitën e delegacionit nga Kosova si kontribut për stabilizimin e rrethanave në rajon. Ai tha se bashkëpunimi do të zhvillohet në fushën e sigurisë në rajon, për planifikimin, edukimin, stërvitjet e përbashkëta dhe menaxhimin e krizave. /Telegrafi/

KOMENTOJE