Nënhelm, përmbytjet edhe brenda shtëpive

Tuz, Malësi – Nga reshjet e forta të shiut që vazhdojnë që disa ditë, përmbytjet përpos që mbuluan oborret, tashmë disa amvisëri të fshatit Nënhelm po përballen me përmbytjet e shtëpive, ku uji brenda shtëpive arrin rreth një gjysmë metër. Gjendja është alarmante dhe dëmet janë të shumta.
Niveli i liqenit të Shkodërs arriti në kuotën 547 cm i cili është më i larti në gjysmën e shekullit të fundit. Niveli i liqenit vazhdon të rritet.
Edhe rruga Tuz-Milesh-Dinoshë është e mbyllur nga rritja e lumit Cem dhe dalja e tij jashtë shtratit.

Gjendje e rëndë është edhe në Plavë e Guci ku të gjitha rrugët lidhëse me Plavën e Gucinë janë të mbyllura nga përmbytjet e që gjendja të jetë edhe më e vështirë nuk ka as rryme elektrike që dy ditë, dhe pritet që kështu të vazhdoj edhe për disa ditë tjera.
Gjendje e vështire është edhe në komunën e Ulqinit. Rruga që lidhë Ulqinin e Tivarin me Podgoricën është e mbyllur te tuneli Sozina.
Të gjitha pjesët e Malit të Zi po përballen me përmbytjet, mbylljen ose shkatërrimin e rrugëve dhe urave.

Gjendja më rëndë në rajon është në Shkodër dhe Malësinë e Madhe ku mijëra banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre, për herë të dytë gjatë këtij viti. Përmbytjet janë edhe më të mëdha nga ato të janarit të këtij viti. Policia dhe ushtria shqiptare po ndihmojnë banorët e këtyre zonave të evakuohen. Gjendja shumë e rënduar ka detyruar autoritetet shqiptare të kërkojnë ndihmën e Qeverisë së Kosovës të cilët shumë shpejt do të dërgojnë njësitë e ushtrisë së Kosovës FSK-së për të ndihmuar në këtë situatë të jashtëzakonshme. Kjo është hera e dytë që njësitë e FSK-së marrin pjesë për të ndihmuar banorët në veri të Shqipërisë. /Malesia.Org/

KOMENTOJE

Furra Tahiri