Shqiptarët presin status të komunës së pavarur për Tuzin

Tuz – Malësia, 28 janar – Shqiptarët e Malësisë tash dy dekada fuqishëm kërkojnë status të komunës së pavarur për Tuzin, që konsiderohet kryeqendra e Malësisë, ndërsa, sipas tyre, i plotëson të gjitha parametrat territoriale, ekonomike e demografike për këtë status, madje edhe diaspora ka shprehur gatishmëri të bëjë investime të shumta.

Mirëpo, kryebashkiaku i Podgoricës, Miomir Mugosa, njeri nga kundërshtarët më të eksponuar të komunës së pavarur të Tuzit, me status sikundër 21 komunat tjera në Mal të Zi, thotë se nuk e di se kur kryeqendra e Malësisë mund të avancohet në këtë nivel.

Mugosa thekson se “me pavarësimin e komunës së Tuzit dhe të Golubovcit, Podgorica si kryeqytet, përkatësisht buxheti i saj, do të ketë një shkarkim të theksuar financiar, sepse ndarjet aktuale për këto dy qeverisje urbane janë shumë më të mëdha se sa të hyrat që arkëtohen në buxhet nga këto mjedise”. Pra, Podgorica shpenzon më shumë për Tuzin sesa Tuzi jep nga të ardhurat që ka.

Kryebashkiaku Mugosa i ka thënë të përjavshmes “Koha javore” të Podgoricës, se “çështja e pavarësimit eventual të dy komunave urbane nuk duhet të politizohet. Personalisht e di mirë se qytetarët e Malësisë pavarësinë e komunës së Tuzit e përjetojnë në mënyra të ndryshme”.

Në vazhdim kryebashkiaku i Podgoricës përkujton se me marrëveshjen politike të majit të kaluar midis kryetarit të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Milo Djukanovic dhe kreut të Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH), Ferhat Dinosha, për koalicion në ushtrimin e qeverisjes vendore në Tuz, parashihet që gjatë këtij mandati të organizohet referendum në të cilin qytetarët do të deklarohen se në çfarë komune dëshirojnë për të jetuar, urbane apo të pavarur.

UDSH dhe DPS gjatë fushatës parazgjedhore, e të cilët bashkë me Partin Boshnjake kanë shumicën e votave në Malësi, kanë premtuar organizimin e referendumit në Malësi dhe poashtu nënshkruan marrëveshje për referendum. Por, shtrohet pyetja a do të kërkojnë këto parti (DPS-UDSH-PB) nga votuesit e tyre që të votojnë për Komunë të plotë apo kundër sajë? /Koha.Net – Malesia.Org/

KOMENTOJE