Shoqata “Martin Dreshaj” ka nisur me kohë përgatitjet për festën e madhe

Manifestim tre ditor i kujtimit për 100 vjetorin e Kryengritjes në Malësi

“Të nderuarit vëllezër kudo jeni në trojet etnike, Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe edhe këtë vit do të vazhdojë me angazhimet konkrete në shërbim të unifikimit e bashkimit të kombit tonë në një këngë, në një valle dhe në një sofër vëllazërore. Bukuria dhe madhështia e manifestimit këtë prill shtohet pasi në mënyrë dinjitoze shënojmë 100 VJETORIN E KRYENGRITJES NË MALËSI DHE NGRITJES SË FLAMURIT TONË KOMBËTAR NGA TRIMI I MALËSISË DEDË GJO LULI. Kemi nderin të njoftojmë me kohë gjithë Malësinë dhe vëllezërit tonë kudo janë në trojet etnike, në Evropë e SHBA me skenarin madhështor të këtij Manifestimi, i cili do të jetë i bukur e madhështor edhe falë përkrahjes suaj morale e materiale. I lusim malësorët kudo janë që përmes shkrimeve e komenteve e madje edhe me ndihma modeste të na bashkohen në mënyrë që Manifestimi ynë i përbashkët në shenjë të kujtimit të datës së madhe historike për kombin tonë dhe për atdhetarin e dëshmorin Dedë Gjo Luli e trimat tjerë të jetë sa më përmbajtjesor. Po ua dërgojmë përmes malësia.org edhe programin e gjithë Manifestimit . Na ndihmoni me shkrime, këshilla, sugjerime e përkrahje t ë mundshme materiale për ta bërë madhështore këtë kujtesë ndaj datës së madhe në 100 vjetorin e kryengritjes në Malësi”, nis bisedën për malësia.org, Ukshin Jashari ,kryetar i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”. Ai e di se duhet bërë shumë angazhime në përgatitjen e këtij Manifestimi madhështor, por është optimist se çdo gjë do të shkojë mirë fal ndihmës së Zotit dhe të njerëzve të vullnetit të mirë.

E pyesim Ukshinin që për lexuesit e malesia.org të shpalos pjesë nga skenari i Manifestimit, që si thotë ai, do të nis më 22 prill dhe do të jetë në lartësim të kujtimit për 100 vjetorin e Kryengritjes në Malësi

“Manifestimi “Zëri i Vëllazërisë 2011” është planifikuar të zgjas tri ditë duke bërë bashkë në një marrshim krenar drejt shtigjeve të lirisë veprimtarë, këngëtarë e artistë nga Shkodra e Tirana, nga Malësia e Madhe e Dedë Gjo Lulit, nga Kosova Lindore dhe nga komunat e Rrafshit të Dukagjinit. Mikpritja tipike shqiptare nga kreu i institucioneve komunale në Pejë, Istog dhe Deçan dhe i popullit dhe veprimtarëve të kulturës në këto komuna të Kosovës për pjesëmarrësit e Manifestimit tonë të përbashkët në prillin e vitit të kaluar ka lënë mbresa të shkëlqyera te pjesëmarrësit nga trojet etnike dhe ka forcuar gatishmërinë për pjesëmarrje në aktivitete të përbashkëta vëllazërore. Kështu Manifestimi “Zëri i Vëllazërisë 2011” do të bëj bashkë 130- 150 pjesëmarrës nga trojet etnike shqiptare. Jemi krenar me përkrahjen e bërë nga udhëheqësit e institucioneve të këtyre tri komunave dhe presim një përkrahje , si ajo e vitit të kaluar , edhe këtë vit në mënyrë që krenar e kokëlart t’i presim vëllezërit tonë pjesëmarrës në “Zëri i Vëllazërisë 2011”, flet Ukshini duke shpalosur pastaj pjesë nga programet e parapara për tri ditët e Manifestimit.

“Ky Manifestim me përkrahjen e njerëzve të vullnetit të mirë dhe institucioneve komunale të tri komunave të Dukagjinit dhe ndihmën e Zotit do të nis në mëngjesin e 22 prillit me bashkimin simbolik të pjesëmarrësve nga Malësia e Dedë Gjo Lulit , Shkodra e Tirana dhe delegacioneve simbolike nga tri komunat e Kosovës pra shtatores së atdhetarit Isa Boletini. Pjesëmarrësit nga këtu e të udhëhequr nga flamurtari i Shoqatës do të shkojnë drejt Lezhës dhe do të ndalojnë te Kompleksi i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Rrugëtimin do ta vazhdojnë drejt Kukësit dhe do të ndalen aty për disa momente për të shprehur falënderimin për banorët e këtij qyteti dhe gjithë Shqipërisë për gjithë atë mikpritje në kohën e katrahurave. Pas kësaj marshimi do të vazhdojë për t’u ndaluar në Prizrenin e historisë sonë dhe aty presim të na ofrojnë mirëseardhje përfaqësues të pushtetit, të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe veprimtarë nga ky qytet i lashtësisë sonë. Në orët e pasdites së të premtes në marrëveshje me institucionet komunale të Deçanit do të organizojmë vizitën në Gllogjan për të lartësuar bashkërisht kujtimin për dëshmorët e kombit të Kompleksi i Varrezave e pastaj do të vizitojmë Deçanin për të shpalosur një program të pasur e të përbashkët kulturor. Do të jenë momente këto kur pjesëmarrësit e këtij Manifestimi të madh do të jenë mysafirë të komunës së Deçanit. Edhe dita e dytë e Manifestimit tonë tradicional e në kujtim të 100 vjetorit të Kryengritjes në Malësi do të jetë me plot aktivitete. Këtë ditë pjesëmarrësit nga trojet etnike do të jenë mysafirë të komunës së Istogut. Edhe këtu do të ketë një defilimi me veshje kombëtare nëpër rrugët e kësaj qyteze dhe do të zhvillohen edhe takime spontane e vëllazërore me udhëheqësit e komunës dhe me banorët këtu. Po ashtu do të shpalosen pika të zgjedhura artistike nga pjesëmarrësit në këtë Manifestim. Në mbrëmjen e ditës së dytë të Manifestimit pjesëmarrësit do të jenë në qytetin e Pejës duke defiluar me veshje kombëtare e të shoqëruar me këngë e valle shqiptare në qendrën e qytetit të Pejës e pastaj do të lartësojnë kujtimin për dëshmorët e kombit duke vënë lule te përmendoret e shtatoret . Ata në Kino-teatrin “Jusuf Gërvalla” ose në ambiente të hapura në qendër të qyteti do të shpalosin vlera kulturore kombëtare dhe hidhen në valle bashkë me qytetarët. Rapsodi i njohur Mëhill Krasniqi dhe grupi “Bijtë e Marash Krasniqit” janë duke përgatitur një këngë kushtuar Dedë Gjo Lulit dhe ajo do të interpretohet për të parën herë publikisht pikërisht në këtë Manifestim “, ka treguar Ukshini. Ai shpalos edhe idenë se si do të bëhet mbyllja solemne e Manifestimit.

“Domethënie të veçantë do të ketë dita e tretë e Manifestimit. Pjesëmarrësit nga Peja do të rrugëtojnë drejt Prekazit . Për pak kohë do të ndalojnë në qytezën e Klinës për t’u takuar banorët dhe veprimtarët e kësaj qyteze. Pastaj pjesëmarrësit nisen drejt Prekazit të historisë për të nderuar e lartësuar kujtimin për komandantin Legjendar Adem Jashari dhe dëshmorët e kombit. Do të jetë këtu një defilim me veshje kombëtare dhe do të hidhen dy a tri valle. Në mesditë do të jenë në qendër të Skenderajt , te Shtatorja e Adem Jasharit për të shfaqur pika të zgjedhura artistike dhe vallëzojnë bashkë edhe me banorët e e këtij vendi”.

Ukshin Jashari, kryetar i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” e di se aktiviteti në kuadër të këtij manifestimi e në lartësim të kujtimit për Dedë Gjo Lulin dhe 100 vjetorin e Kryengritjes në Malësi do të jetë mjaft i gjerë e përmbajtjesor, por ai është i sigurt se nuk do të mungojë angazhimi i veprimtarëve të Shoqatës dhe përkrahja morale dhe ndihma materiale e gjithë atyre që e njohin dhe e respektojnë Shoqatën dhe aktivitetin e saj si zë i Malësisë dhe trojeve tjera. /Rrahman Jasharaj/

KOMENTOJE

Furra Tahiri