Lufta për Shqipërinë e Jugut – Nga: MENTOR NAZARKO

Të shtunën, në një akt të paprecedent, konsulli i Greqisë në Korçë shpalli luftën për Vorio Epirin. Nuk e ekzagjerojmë: me një fytyrë arrogante, konsulli Ikonomus, që shkon në aktivitete politike pa kravatë dhe me xhup jakëngritur, tha në 20-vjetorin e OMONIA-s në Korçë, se regjistrimi i popullsisë është beteja e parë për Vorio Epirin në termat e vjetër. Ai shpalli vllehët e Korçës si grekë, para indiferencës thuajse të plotë të audiencës së vet, parisë administrative, e ndoshta intelektuale e Korçës. Janë disa momente analize për këtë deklarim. Së pari, koha e zgjedhur. Konsulli grek e zgjodhi në mënyrë thuajse perfekte kohën e këtij deklarimi. Ishte e shtunë, kur politika shkon me pushime; pak muaj para fillimit të procesit të regjistrimit, kur politika e dy krahëve është përfshirë në një luftë ku argumentet e konsullit janë jashtë vëmendjes; kur Greqia e dobët ndërkombëtarisht merr veten me të mirë me beteja të tilla ndaj fqinjëve të dobët dhe të varfër. Prononcimi agresiv i konsullit është kështu një ballon prove për luftën e shekullit XXI për Vorio Epirin, që sipas tij do të fillojë me regjistrimin dhe nuk mbyllet me regjistrimin. Fillimin e kësaj lufte e kishte shpallur ideologu në pension i kauzës së Vorio Epirit, Nikolas Geixh. Vetëm para pak ditësh në sinkron me konsullin, gjithashtu në një formë arrogante, Geixh përdori termin Vorio Epir për Shqipërinë e Jugut, një term që diplomacia komuniste dhe ajo greke e viteve ‘80 kishin rënë dakord për ta hequr nga përdorimi zyrtar.
Së dyti, meriton vëmendje personi i zgjedhur për shpalljen e luftës. Greqia zyrtare zgjodhi një konsull. Ky akt është gjithashtu pjesë e mirëmenduar e provokimit. Konsulli në veprimtarinë ndërkombëtare të një shteti është thjesht figurë administrative dhe jo politike, figurë e profilit të ulët, dhe me zgjedhjen e tij, Greqia ka dashur ndoshta të lërë një moment tërheqjeje për diplomacinë e vendit të vet, nëse Shqipëria do të reagojë me forcë. Pra të thotë se ishte thjesht një konsull dhe jo ambasadori, apo një titullar i politikës së jashtme që bëri deklarime të tilla. Ndërkohë, me zgjedhjen e një niveli të ulët të përfaqësimit për të lëshuar deklarata kaq të forta, Greqia duket sikur do të dekurajojë dhe nivelet e larta të reagimit shqiptar. Edhe sikur ta zëmë, Berisha të jetë shqetësuar shumë, ai s’do të duhej të reagonte publikisht pas provokimit të një konsulli. Por ndërkohë është krejt e sigurt se ky konsull nuk ka dalë me mendjen e vet të bëjë shpallje lufte, anipse me një veshje të dikujt që është gati për luftë.
Së treti, qyteti i zgjedhur për të bërë provokimin dhe popullsia të cilës i referohej konsulli Ikonomu. Korça është një qytet plot histori, dhe madje me një jetë të sotme të gjallë, me cilësi urbane të shquara; korçarët janë shumë individë apo familje, madje që i kanë dhënë tonin jetës së qyteteve të mëdha të Veriut të Greqisë si Selaniku. Korça që u krijon zili grekëve është zemra e Rilindjes shqiptare dhe së bashku me Shkodrën janë dy vatrat e qytetërimit tonë kombëtar brenda kufijve të Shqipërisë politike. Por siç duket, Ikonomu, figura më e rëndësishme publike e këtij qyteti për shkak të peshës së tij të madhe prej vizave apo pensioneve, mundësive të pafundme të punësimit që ka pasur në dorë, sot njeh një Korçë tjetër. Në zyrën e tij, ai ka parë të poshtërohen për një vizë, për një pension, për kurim në spitalet greke, për mundësi punësimi shumë prej individëve të parisë korçare, të qytetarëve të kësaj krahine, ndaj ai është i bindur se kur të vijë regjistrimi, do të kemi një pamje etnike tjetër të Korçës. Nëse fëmijët e testuar nga misioni ndërkombëtar i kontrollit nëpërmjet sheqerkave të hedhura në tokë folën shqip gjatë Luftës së Parë Botërore, shumë prej parisë korçare të sotme kanë filluar të flasin greqisht, pasi kanë ngrënë sheqerkat e konsujve grekë. Kështu shpjegohet mungesa e reagimit të tyre në tubimin e 20-vjetorit të një organizate që jo vetëm ka ngrënë sheqerkat helene, por dhe i ka shitur ato siç dëshmojnë hetimet e prokurorisë për trafikun e vizave prej Organizatës Omonia.
Së katërti, grupi kulturor i zgjedhur për t’u shpallur grekë prej konsullit janë vllehtë. Vllehtë e Korçës gjithashtu kanë qenë pjesë integrale e Rilindjes sonë kombëtare, e qytetërimit tonë kombëtar. Në vendin tonë ka shoqata vllehsh që deklarohen rumunë dhe ka të tjerë që deklarohen shqiptarë. Lexoni Noel Malkolmin në “Një histori e shkurtër e Kosovës” për origjinën shqiptare të vllehve. Ndërkohë, në gjithë Ballkanin ka vlleh që s’deklarohen grekë, ashtu si madje dhe vetë ka vlleh të Greqisë që nuk e deklarojnë veten si grekë. Pse grekët e Korçës duhet të jenë grekë? Apo për shkak të sheqerkave të konsujve dhënë falas apo me para nëpërmjet OMONIA-s së Korçës?
Çfarë reagimi duhet në pikëpamje cilësore dhe sasiore pas kësaj shpalljeje arrogante të luftës për Vorio Epirin? Ky deklarim u jep të drejtë të gjithë kritikëve vigjilentë të politikës greke në Shqipëri, që kanë thënë se kjo politikë nuk është modernizuar, por ajo është e një shekulli më parë, madje më e hershme. Referimi tek e ashtuquajtura Marrëveshje e Korfuzit, e zhbërë nga shumë marrëveshje të tjera ndërkombëtare, vijimësia e politikës së jashtme greke në të gjithë historinë e këtyre 150 vjetëve të fundit tregon se politika e jashtme greke është konstante. Ky deklarim vërteton shqetësimet e kritikëve për procesin e regjistrimit në këtë kohë dhe me këto kushte, se do të krijohet problematikë e re në marrëdhëniet me fqinjët. Kjo shpallje lufte për Vorio Epirin nga Greqia, vjen pas një zbythjeje sistematike të politikës së jashtme të Shqipërisë që ka nisur me Enver Hoxhën dhe ka vijuar me qeveritë e pas komunizmit, me ardhjen e kryepeshkopit Janullatos, me varrezat e ushtrisë greke, për të kulmuar me dhënien e 240 kilometrave katrorë ujëra, etj., etj. Por momentet e dobësisë së një kombi ndonjëherë shndërrohen në momente force. Ministria jonë e Jashtme duhet ta shpallë non grata këtë individ, dhe kështu jo vetëm do të tregojë forcë dhe dinjitet, por dhe do testojë sa serioze është politika greke në objektivat e veta. Opinioni publik korçar, të rinjtë veçanërisht, duhet të tregojnë se nuk e shesin identitetin e vet kombëtar për viza, pensione, mundësi kurimi në spitalet greke. Korça e shekullit XXI s’ka arsye të jetë më pak patriotike sot sesa ajo e Luftës së Parë Botërore, apo e mëvonshmja. Krerët politikë të Shqipërisë, dhe Berisha veçanërisht, duhet të mos na japin rast të kuptojmë sa larg janë patriotizmit të Ahmet Zogut dhe qeverisë së tij, i cili trashëgoi një shtet të dobët, e forcoi atë dhe i dha dinjitet të lartë këtij shteti, dinjitet që po rrënohet sot para “konsujve” të Vorio Epirit. Opozita e sotme duhet të reagojë në mënyrë të njëjtë siç bëri me Marrëveshjen e Ujërave, duke treguar patriotizmin e saj. Përndryshe, pas konsullit do presim reagime të tjera, pjesë e një lufte të re për Vorio Epirin. Kur nuk kërkon atë që të takon, do vijnë e të marrin diçka tënden. Duke heshtur për Çamërinë, për pronat e shqiptarëve në Greqi, politika shqiptare i ka ofruar mundësi politikës greke të rivendikojë të drejta të paqena, në territorin tonë. Kështu historia vazhdon. /Gazeta Panorama/

KOMENTOJE