Pacolli u zgjodh president i Kosovës

Në seancën e jashtëzakonshme parlamentare të të martës, i vetmi kandidat i nominuar për president, Behgjet Pacolli, është zgjedhur president i Republikës së Kosovës vetëm pas raundit të tretë të votimit.

Në raundin e tretë, ku nevojiteshin vetëm 61 vota, nga 67 deputetë të pranishëm në seancë, Pacolli mori 62 vota, kundër ishin katër dhe një votë ishte e pavlefshme.

Në raundin e parë për Pacollin kanë votuar 54 deputetë, kundër kanë qenë 11, ndërsa dy vota ishin të pavlefshme. Ndërsa në raundin e dytë nga 67 deputetë që kanë votuar, për Pacollin kanë votuar 58 deputetë, kundër kanë qenë shtatë, ndërsa dy vota ishin të pavlefshme.

Pasi është zgjedhur President i Republikës, Behgjet Pacolli dha betimin dhe më pas mbajti një fjalim, të cilin e nisi duke i falënderuar deputetët për besimin që ia kanë dhënë.
Ai u zotua se do të zbatojë Kushtetutën dhe do të punojë maksimalisht në konsolidimin e institucioneve të shtetit dhe ndërrimin për të mirë të imazhit të vendit.

Pacolli tha se do të punojë maksimalisht në pavarësimin e institucioneve për sundimin ligjit, sidomos të gjyqësorit. Ai tha se institucionet do ta kenë mbështetjen e tij maksimale në luftimin e korrupsionit dhe luftimin e krimit të organizuar.

Presidenti i sapozgjedhur falënderoi Shqipërinë për kontributin e dhënë në konsolidimin e shtetit dhe tha se do të punojë në avancimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me fqinjët. /Telegrafi/

KOMENTOJE

Furra Tahiri