Gjendje e rëndë ekzistenciale të ish-punëtorëve kosovarë,shtetas të Malit të Zi
Shkruan:Ibrahim Berjashi / korrespondent i Rilindjes, Ulqin
Në Ulqin, por edhe në qendrat tjera në Malin e Zi, shtetas të këtij vendi, është një numër të konsiderueshëm ish-punonjës të ndërmarrjeve dhe institucioneve të Kosovës, të cilët në fund të viteve 80-të e kur Kosovën e okupoi regjimi vrastar i Millosheviqit, kanë mbetur në rrugë të madhe, pa punë pa të ardhura, pa ekzistencë.
Një numër i tyre ka arritur të punësohet nëpër shkolla, administrata lokale, apo ndërmarrje publike. Të shumtën këtë e kanë realizuar në saje të “kontributeve” në partitë politike, por pjesa më e madhe, sidomos ajo që është dashur apo duhet të shkojë në pension ka mbetur e anashkaluar edhe në gjendje shumë të rëndë ekonomike. Në Malin e Zi ende ekzistojnë mundësitë që të marrin pension të përkohshëm personat që kanë stazh pune 15 – vjeçar në Mal të Zi, që arrin deri në 150 euro në muaj. Fatkeqësisht, është një numër më i madh i atyre që nuk i kanë as dhjetë vjet pune në Mal të Zi, ndërsa në Kosovë edhe deri në 35 punë në ndërmarrjet e atjeshme. Shumica e tyre janë privatizuar, ose nuk ekzistojnë më.
Që nga viti 2000 e këndej ish-punëtorët e Kosovës nga Mali i Zi kanë mbetur në udhëkryq- ku të kërkojnë të drejtat e tyre, në mënyrë që tash në pleqëri të gëzojnë kontributin e punës në ditët e rinisë.
Enti pensionist Invalidor i Malit të Zi kërkon dëshmi të kontributpaguesve, formularin M-4. Me shpresë se do të gjejnë atë, me dhjetra individë të kësaj kategorie kanë trokitur në zyra të ndryshme nëpër qytetet e Serbisë. Kanë thënë haptas se kanë paguar shuma të mëdha të parave, të cilat, për një dekadë të tërë nuk do të mund t i kompenzonin sikur të merrnin pension mbi 300 euro në muaj. Nga stërmundime shpirtërore, ekonomike dhe fizike, pa realizuar pensionin e merituar shumë edhe kanë vdekur ose janë në gjendje të rënduar psikike.
Iniciativë për themelimin e shoqatës
Janë duke u bërë përpjekje që të themelohet Shoqata e ish-punëtorëve të Kosovës, shtetas të Malit të Zi. Të gjithë janë shqiptarë. Por, nuk e dinë fare kujt i takojnë, ata, nga cila organizatë sindikale, apo pensioniste në Kosovë, ent, agjenci apo ministri për të kërkuar realizimin e të drejtave të tyre. Sikundër koleget e tyre në Kosovë, kanë përjetuar fatin e të gjithë punëtorëve të atëhershëm nën okupimin e Serbisë, të përjashtuar, pa paga, siguri shëndetësore, në rrugë të madhe… As sot e kësaj dite nuk ka ndryshuar ky status. Mbi 80 për qind të tyre është e moshës 60 vjeç e më shumë.
Deri më tash asnjë zyrtar, së paku nuk është thënë publikisht, nga Mali i Zi, përkatësisht Kosova, kur janë takuar në Podgoricë apo në Prishtinë, të kenë përmendur numrin e konsiderueshëm të ish-punëtorëve në ndërmarrjet kosovare, shtetas të Malit të Zi. Në të vërtetë, është përmendur edhe vazhdon të potencohet çështja e refugjatëve nga Kosova në Mal të Zi, që kanë ardhur në vitin 1999 pas çlirimit të Kosovës. Për ta qeveria malazeze ka përkujdesje të posaçme. Nuk kemi dijeni se nga kush i marrin pensionet ata, nga Mali i Zi, Serbia apo Kosova.
Për ish-punënëtorët kosovarë, shtetas të Malit të Zi, nuk kujdeset askush. Kryetari i Malit të Zi nuk nënshkruan dot dekretin e shkëmbimit të ambasadorëve pa e njohur me Kushtetutën e Kosovës minoritetin malazias atje.
Për ish-punëtorët e ndërmarrjeve kosovare, shtetas dhe banues në Mal të Zi nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme, por janë duke rënë pre e mashturuesve dhe matrapazëve të ndryshëm nëpër disa qytete të Serbisë, ku thuhet se “I rregullojnë këto punë.”
Nuk dihet saktësisht numri i tyre i saktë, por sigurisht se me themelimin e shoqatës së këtyre ish-punëtorëve të Kosovës, shtetas të Malit të Zi, do të dihet një pasqyrë më e qartë.
Ministri i jashtëm i Malit të Zi, Millan Roqen ditë më parë deklaroi se, “ndonëse nuk është bërë shkëmbimi i ambasadorëve me Prishtinën, meqë nuk ka pasur iniciativë nga pala kosovare për të emruar ambasadorin në Mal të Zi, Fakti se na nuk e kemi ambasadorin në Prishtinë dhe Kosova në Podgoricë, nuk i rëndon marrëdheniet tona.”
Prishtina e Podgorica duhet ta zgjidhin këtë çështje
Mendoj se rregullimi i statusit të stazhit të punës dhe pensioneve të ish-punëtorëve në ndërmarrjet e Kosovës, shtetas të Malit të Zi, duhet të jenë pjesë përbërëse e procesit të shkëmbimeve të ambasadorëve Prishtinë–Podgoricë dhe të çështjes së refugjatëve serbë nga Kosova në Mal të Zi. Ashtu siç kërkon pala malazeze nga Prishtina për kthimin e refugjatëve dhe statusin juridik të minoritetit malazias. Prishtina edhe faktori shqiptar në Mal të Zi, në veçanti Ministria mbi të drejtat e njeriut dhe pakicave, Këshilli Nacional i Shqiptarëve dhe partitë politike parlamentare, duhet të kërkojë zgjidhjen e njohjes së stazhit të punës në kohën e sundimit të dhunshëm të pushtetit të Millosheviqit mbi Kosovën deri në vitin 1999. Punëtorët nuk janë fajtorë për këtë. Është edhe një problem tjetër, se punëtorët e kësaj kagetorie, shumica nga Ulqini e Tuzi, thonë se janë djegur dokumentat pas ndërhyrjeve të policisë serbe nëpër ndërmarrjet kosovare, ose në ato kohëra lufte, nga frika e asgjësimit, ka raste kur librezat e punës janë mbyllur “aksidentalisht”, edhe sigurisht se me anë të dëshmitarëve, mbase edhe në gjyq, duhet konfirmuar vitet e sakta të punës në ato rrethana lufte në Kosovë.
Meqë në përbërjen e qeverisë se re të Kosovës është edhe zv/kryeministri, ish-kryeministri në ekzil të Kosovës, Bujar Bukoshi sigurisht se me Ligjin për sigurimin pensional dhe invalidor në Kosovë, duhet të na njihet edhe ajo periudhë e qeverisjes së udhëhequr nga ai.
Normalisht se edhe rreth çështjes së stazhit dhe pensionit edhe të këtyre ish-punëtorëve në ndërmarjet kosovare nën sundimin e Millosheviqit deri në vitin 1999, duhet të flasë edhe faktori ndërkombëtar.
Është edhe një e vërtetë tjetër, se shumica e ish-punëtorëve të ndërmarrjeve kosovare, shtetas të Malit të Zi, në vitet e luftës në Kosovë, me sakrifica të papara, kanë qenë personazhet kryesore të pritjes, strehimit dhe bashkimit të kalvarit, por edhe të informimit të të përndjekurve të mbi 120 mijë vetave në Ulqin, Anë të Malit, Krajë, Malësi, Plavë e Rozhajë.
Pushteti i Ulqinit në atë kohë udhëhiqej nga subjektet politike shqiptare, ishte mirë në dijeni se kanë humbur vendet e punës në Kosovë, jetonin pa asnjë të ardhur personale as familjare. Drejtorë të ndërmarrjeve të ndryshme apelonin me gojë edhe me shkrim që edhe kategoria e ish-punëtorëve të ndërmarrjeve kosovare, shtetas të Malit të Zi tu jepen ndihma edhe të trajtohen sikur refugjatët tjerë, kjo nuk ka ndodhur. Ndrëkaq, në saje të humanizmit dhe mirëkuptimit të anëtarëve të Këshillit të emergjencës – nga radhët e refugjatëve kosovarë, na janë ndarë ndihma të ardhura nga bashkësia ndërkombëtare.
Autori i këtij shkrimi, së bashku me kolegë–të përndjekur shqiptarë të Kosovës, edhe në saje të ndihmës financiare të pronarëve shqiptarë të shitoreve nga Tivari, Këshilli i emergjencës në Tuz, ndihma simbolike e udhëheqjes së atëhershme të Komunës së Ulqinit, kemi nxjerrë edhe
shpërndarë gazetën periodike “SHPRESA”/1998 dhe 1999/, burim i vetëm i informimit për të përndjekurit shqiptarë të Kosovës.
Janë vetëm disa të dhëna, nga angazhimet e ish-punëtorëve të ndërmarrjeve kosovare, shtetas të Malit të Zi. Personalisht kam qene korrespondent i “Rilindjes” nga Mali i Zi, me seli në Ulqin nga data 1 janar 1975 e deri ne ditën e mbylljes, më 21 shkurt 2002. Tash 11 vjet presim premtimin e ridaljes së kësaj gazete të përditshme edhe une çdo ngjarje dite të jetës së shqiptarëve në Mal të Zi e kam arkivuar nga ndjenja si obligim ndaj gazetës ku kam kaluar vitet më të bukura të jetës. Rilindja spo del dot.
Sigurisht se së shpejti me themelimin e Shoqatës së ish-punëtorëve të ndërmarrjeve kosovare, shtetas të Malit të Zi do të dimë edhe për të tjerët ku dhe sa kanë punuar.
Por,me kend të takohemi, të bisedojmë, të gjejmë zgjidhje.
Ulqin, më 26 shkurt 2011