Fillojnë punimet për rikonstrukimin e rrugës Tuz – Bozhaj

Rruga e re lehtëson qarkullimin

Ndërmarrja ndërtimore “Tehnoput” ka filluar javën e kaluar punimet në rikonstruktimin e rrugës Tuz –Bozhaj. Sipërmarrja “Geoprojekt”, nënkontraktore e angazhuar nga kompania “Tehnoput” për kryerjen e punëve gjeodezike, ka përfunduar tashmë matjet e rrugës dhe përgatitjen e dokumentacionit përkatës.
Kompania “Tehnoput” u shpall fituese e tenderit për rikonstruktimin e pjesës së aksit rrugor Tuz Bozhaj, me gjatësi 8.8 kilometra.
Punimet e rikonstruktimit do të kushtojnë 1.9 milion euro dhe ato do të financohen nga Drejtoria për Komunikacion.
Afati për përfundimin e punimeve të rikonstruktimit është gjashtë muaj.
Rruga Tuz- Bozhaj, me gjatësi prej 12 km, përbën një aks me rëndësi ndërkombëtare. Ajo shtrihet nëpër terren rural pothuajse në tërë gjatësinë e saj. Rruga aktuale është e ngushtë, me kthesa të shumta dhe si e tillë paraqet pengesë për komunikacionin e automjeteve, sidomos të atyre të tonazhit të lartë.
Rikonstruktimi parashikon zgjerimin e rrugës dhe mënjanimin e kthesave ekzistuese të shumta. Prandaj pritet që pas rikonstruktimit, kjo rrugë do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve dhe do të shkurtojë kohën e duhur të përshkimit të saj. /Koha Javore/

KOMENTOJE