Shënimi i 100 vjetorit i Kryengritjes së Malësisë së Madhe në Shkodër (FOTO + VIDEO)

Presidenti Topi përshëndet mbrëmjen artistike festive “Ku e muer emrin Malësia” me rastin e 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe

Shkodër, 24 mars 2011 – Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit mori pjesë sonte në mbrëmjen artistike festive “Ku e muer emrin Malësia” të zhvilluar në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Ky koncert i madh festiv i organizuar nga Shoqata Kulturore “Kënga Jonë” e Shkodrës, nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, u mbajt me rastin e 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe ngritjes së flamurit kombëtar nga Heroi i Popullit, Dedë Gjo Luli në Deçiq.

Në këtë mbrëmje festive, ku u shpalosën vlerat më të spikatura të krijimtarisë artistike të Malësisë së Madhe ndër breza kënduan, interpretuan dhe vallëzuan artistë nga të gjitha trevat shqiptare. Pasi ndoqi me interes të madh interpretimet dhe këngët e valet e shumta të artistëve shqiptarë nga Malësia e Madhe, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe nga diaspora, Presidenti Topi në shenjë admirimi dhe respekti të veçantë për këtë ngjarje historike: 100-vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe ngritjes së flamurit kombëtar, si dhe për vlerat artistike dhe krijuese, nderoi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” zonjën Liri Jushi (Rasha) me motivacionin: “Për kontribut shumëvjeçar në pasurimin e jetës artistike shqiptare, për interpretimin e rrallë mjeshtëror të këngës popullore, veçanërisht asaj të trevës së Dibrës” dhe zotin Tonin Tërshana me motivacionin: “Për kontribut shumëvjeçar në pasurimin e jetës artistike në vend, për interpretimin me individualitet artistik të këngës në muzikën e lehtë shqiptare”.

Gjithashtu Presidenti Topi dekoroi me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë” zotin Rrok Gjelaj për “Për kontribut të rëndësishëm në njohjen, hulumtimin e evidentimin e folkut muzikor dhe përdorimin me mjeshtëri të veglave muzikore popullore të trevës së Malësisë së Madhe”, zotin Gjelosh Gjokaj për “Për vlera të padiskutueshme artistike individuale dhe për një kontribut të madh e të pareshtur në njohjen e përhapjen e kulturës dhe artit shqiptar në Evropë e më gjerë, për më shumë se 40 vjet”; dhe zotin Ilir Shaqiri me motivacionin: “Për kontribut në pasurimin e jetës artistike shqiptare, nëpërmjet krijimit dhe interpretimit të këngëve popullore e të muzikës lirike si dhe organizimit të shumë koncerteve në trevat shqiptare e jashtë tyre”.

Ndërsa me “Medaljen e Mirënjohjes” u nderuan zonja Hana Nikprelaj “Për kontribut në pasurimin e jetës artistike shqiptare, nëpërmjet interpretimit me mjeshtëri të shumë këngëve të trashëgimisë folklorike” dhe zoti Çun Lajçi me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në teatrin dhe kinematografinë shqiptare, nëpërmjet sjelljes së shumë roleve me realizëm dhe individualitet artistik”. Artistët e dekoruar falenderuan Kryetarin e Shtetit për respektin e madh dhe vëmendjen e vazhdueshme që tregon ndaj vlerave të vërteta tradicionale të artit shqiptar.

Në fjalën e tij të rastit, Kryetari i Shtetit shqiptar theksoi:

“Të nderuar përfaqësues të Malësisë së Madhe!
Të dashur artistë,
Zonja dhe zotërinj!

Është kënaqësi dhe privilegj të jem sonte me ju për të lartësuar së bashku kujtimin e një ngjarje, e cila ka ndryshuar përgjithmonë historinë tonë dhe kujtimin e atij burri, i cili e ideoi atë dhe pas shekujsh robërie, shpalosi flamurin e Kastriotit në tokën shqiptare. Nuk mund të ndahen, janë një binom nga ato që historia prodhon në orët e saj më të ndritura për një komb apo vend! Ju i dini! E kanë emrin: Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe Dedë Gjo Luli!

Malësorët e vitit 1911 dhe prijësi i tyre u bënë zëdhënësit e drejtëpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare dhe platformës së tyre për liri. Në të njëjtën kohë, ata ishin vijues të traditës së tyre shekullore për rezistencë ndaj okupatorit! Kur ekzistenca e këtij kombi të lashtë ishte në rrezik nga pesha e pushtimit të gjatë dhe nga konjukturat politike të kohës, nën shembullin e heronjve antikë të kësaj toke, në skenën e përgjakshme të Ballkanit, në Malin Deçiç, ngjitet Dedë Gjo Luli si fuqi shpirtërore dhe ushtarake e një populli që do t’i thotë lamtumirë së keqes!

Me pushkën e qëndresës dhe me emblemën e identitetit shqiptar, me flamurin kuq e zi në dorë, ai do t’i përcillte botës mbarë kumtin e Skënderbeut se kjo tokë ka zot, se kjo tokë ka malësorë, shqiptarë dje dhe shqiptar sot, shqiptarë përgjithmonë!

Dedë Gjo Luli ngjitmas me fatin e Shqipërisë eci nëpër rrugë të vështira, rrugë që e çuan atë drejt Bratilës së Deçiçit, majë nga e cila shihej horizonti i Shqipërisë. Ajo ishte rruga e atdhedashurisë, rruga e cila e çoi drejt një vdekje prej martiri që pushtuesit ia kurdisën në vitin 1915, atëhere kur vendi përsëri ishte pranë greminës. Jam i bindur se një rrugë si ajo e Dedë Gjo Lulit fillon me jetën dhe mbaron me pavdeksinë.

Në panteonin e Atdheut, aty ku përjetësia dhe mirënjohja e brezave bëhen një, burrat e sojit të Dedë Gjo Lulit janë pushkë të ngrehuna të Shqipërisë siç do t’i quante Ismail Qemali asokohe, por edhe modele për çdo bir shqiptari! Rojtar i përjetshëm i fateve të Shqipërisë mbetet ai. Kryengritja që filloi më 24 Mars të vitit 1911, e ndezi flakë gjithë Shqipërinë, flakë që nuk u shua kurrë, kryengritje pas kryengritje deri në shpalljen e Pavarësisë me 28 nëntor 1912. Më lejoni të pohoj se shtizë e atij flamuri ishte Dedë Gjo Luli.

Të nderuar të pranishëm,

Shumë kryengritje kanë shenjuar jetën e Malësisë së Madhe, identitetin e saj dhe sigurisht të gjitha janë një kontribut i vyer në konsolidimin e Shqipërisë, por njëra prej tyre më shumë se çdo akt tjetër na rreshton përkrah atyre popujve që zgjodhën ta kundërshtojnë diktaturën komuniste, pavarësisht nga rrethanat e pafavorshme në të cilat u ndodhëm. Malësorët e Kelmendit dhe të gjithë Malësisë zgjodhën luftën në vend të nënshtrimit, ashtu siç këndohet në epet e tyre të vjetra, ashtu siç ua kishin lënë amanet të parët, ashtu siç ua lypte nderi dhe zakoni, sepse malësori në dijen time i është falur gjithmonë, Zotit dhe Shqipërisë, nderit dhe besës.

Të dashur miq,

Nuk është rastësi që shumë nga visaret tona kombëtare u endën në këto male dhe u bënë testamente të përjetshme kulture në Shkodrën historike. Eposi i Kreshnikëve, baladat, këngët, përrallat kombëtare, Kanuni i Maleve e shumëçka tjetër u mblodhën pikërisht edhe në krahinën e Malësisë së Madhe nga etërit françeskanë, të cilët në letërsinë e tyre ofruan malësorin dhe gjuhën e tij si model, sepse për ta gjuha do të thotë vazhdimësi, kulturë dhe rezistencë. Nga një traditë e tillë, natyrshëm, i imponohet kulturës kombëtare dhe sinkronizon me të emra të së djeshmes dhe të sotmes, intelektualë të rangut të parë si vëllezërit Mirash e Nikoll Ivanaj, artistë me rëndësi botërore si Luk Kaçaj dje, e Angjelin Prelocaj sot, tejet i famshëm në skenat botërore, shkrimtarë e memorialistë unikë si At Zef Pllumi, mit i disidencës antikomuniste, piktorë si Ismail Lulani që kanë përjetësuar në telajo historinë e këtij vendi, klerikë të
zonës, që shfaqen si elitë e lidhur me banorët dhe gjeografinë e vendit, martirë të besimit dhe fjalës së lirë, që kanë ndërtuar kultin modern pozitiv dhe të pashkatërrueshëm të malësorit shqiptar!

Me këtë vetëdije, kam kënaqësinë dhe nderin sonte të rri, të takoj, të komunikoj dhe të dekoroj të tjerë bij të Malësisë së Madhe, të tjerë personalite, që me veprën dhe punën e tyre, i kanë bërë nder Shqipërisë brenda dhe jashtë saj. Prandaj, në cilësinë e Presidentit të Republikës i falenderoj ata nga zemra për kontributin e tyre të vyer kulturor dhe patriotik.

Dhe, së fundmi, përvjetori i njëqindtë i Kryengritjes, i paraprin përvjetorit të njëqindtë të Pavarësisë së vendit vitin që vjen, përvjetor aq themelues në jetën e kombit, që duhet të nxisë një katarsis të domosdoshëm patriotik për çdo shqiptar pa dallim moshe, krahine, bindje apo besimi, duke u ballafaquar me modelet e Deçiçit dhe të Pavarësisë!

I përjetshëm qoftë kujtimi i Dedë Gjo Lulit dhe i Kryengritjes së Malësisë! Rroftë Malësia e Madhe! Rroftë Shqipëria!”

KOMENTOJE VIDEO

Furra Tahiri