Garë e ngushtë e Ramës dhe Bashës për Tiranën

Rezultatet nga numërimi i votave të 427 kutive nga 485 kuti, ngushtojnë diferencën midis kandidatit të Aleancës për Ardhmërinë – PS, Edi Rama dhe kandidatit të Aleancës për Qytetarin-PD, Lulzim Basha. Nga 427 kutive të numëruara, ka një epërsi të Ramës prej vetëm 114 votave kundrejt Bashës.

Sipas këtyre rezultateve:

Edi Rama – 109976
Lulzim Basha – 109862

Vijon numërimi në Tiranë, kryeson Basha

Numërimi i votave në njësitë e ndryshme në Tiranë ka bërë që dy kandidatët për bashkinë më të madhe në vend të jenë vetëm pak vota larg nga njëri tjetri.

Nga 180 kuti të numëruara nga 485 që janë gjithsej kandidati i koalicionit “aleanca për qytetarin” Lulzim Basha kryeson me 231 vota ndaj kandidatit të PS-së Edi Rama.

Kështu sipas rezultateve të deritanishme kandidati i djathtë Basha ka marrë 46110 vota kundrejt rivalit të tij Edi Rama i cili ka marrë 45 879 vota. /ORA/

Himara: Gjergji Goro u kthen Bashkine Shqiptareve

Gjergji Goro është fitues i zgjedhjeve për pushtet lokal në Bashkinë e Himarës. Përfundimi i numërimit të votimit të 15 kutive për bashkinë në fjalë shpall fitues me 30 vota epërsi kandidatin e Partisë Socialiste Z.Gjergji Goro kundrejt Kandidatit pro-grek të PBDNJ Vasil Bollano. Në shtabe elektorale situata paraqitet e qetë dhe në konsensus. Vota të pavlefshme janë vetëm 3. Rezultati i votimit pritet të zyrtarizohet nga KQZ. Partia Socialiste në Himarë ka nisur prej orësh festimet me motive etno-shqiptare. Lajmi sipas korrespondentit te ORA Tv ne Himare. /ORA/

Përfundojnë zgjedhjet lokale në Shqipëri

Në raportin e fundit zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, flitet për një pjesëmarrje rreth 50.9% për qind të zgjedhësve shqiptarë në zgjedhjet lokalet 8 majit në Shqipëri.

Zyrtarisht procesi i votimit është mbyllur në orën 19, po megjithatë edhe pas orës 19 ka pasur ende zgjedhës, të cilët prisnin për të votuar para qendrave të votimit.

KQZ-ja i ka lënë komisionet e qendrave të votimit që të vazhdojë procesi i votimit edhe për ata zgjedhës që kanë qenë duke pritur në radhë për të votuar.

Pritet që në orët e para të mëngjesit të së hënës të kemi një përqindje zyrtare të KQZ-së lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 8 majit.

Në një vendim të Komisionit Qendror Zgjedhor për Tiranën, fletët e votimit që do të numërohen të parat do të jenë ato për kryetarin e bashkisë së kryeqytetit. Duke filluar nga e hëna, ne mund të kemi edhe ndonjë rezultat paraprak, megjithëse këtu në Tiranë do të ketë edhe exit poll-e, të cilat do të jepen nga televizionet kombëtare që gjithsesi janë vetëm një perceptim i publikut lidhur me atë se çfarë do të ndodhë në Tiranë, se kush do të jetë fitues i bashkisë më të rëndësishme në vend.

Normalisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhej që të shpallte një rezultat paraprak të hënën, por duke pasur parasysh sistemin e ri zgjedhor që ka futur një proces numërimi më të gjatë në mënyrën se si shkon, ky proces ndoshta edhe mund të zgjasë, siç ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2009.

Gjithsesi, zyrtarisht KQZ-ja do të japë të hënën një rezultat paraprak lidhur me zgjedhjet e 8 majit.

Nga ana tjetër duhet thënë se procesi në tërësinë e tij ka qenë mjaft i qetë me incidente të vogla, të cilat nuk ndikojnë në asnjë mënyrë në rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Mbetet për t’u parë se si do të shkojë procesi pas votimit, e që është ai i numërimit të votave. /REL/

KOMENTOJE