Pjetër Ivezaj nga SHBA, ish i burgosuri politik, vizitoi KU të Tuzit

Kumtesë për opinion e KU Tuz
me rastin e vizitës së Pjetër Ivezaj nga SHBA, ish-të burgosurit politik për shkak të pjesëmarrjeve në demonstrata në mbështetje të Kosovës

Sot për vizitë në Komunën urbane të Tuzit ka qenë Pjetër Ivezaj, bashkëvendasi ynë i mirënjohur, me banim në SHBA, ish i përndjekur politik i shtetit të mëparshëm të Jugosllavisë për shkak të pjesëmarrjes së tij në demonstrata në mbështetje të Kosovës, që u mbajtën në vitin 1981 në Washington, SHBA.
Gjatë takimit kryetari i Komunës urbane të Tuzit, Nikollë Gegaj së pari ka dëshiruar që mysafirin e nderuar t’a falenderojë për veprimtarinë të cilën e ka kryer dhe e kryen ai, të cilën mbarë opinioni shqiptar e cilëson si atdhedashëse dhe fisnike, gjë e cila në kuadër të suazave të asaj kohe ndikoj mjaft në njoftimin e opinionit ndërkombëtar me shkeljet e të drejtave njerzore në Kosovë, gjë e cila përfundimisht rezultoi me pavarësinë e saj në ditët e sotme. Por, gjithsesi veprimtaria e dalluar e z. Ivezaj ka dhënë kontributin e vetë edhe për pavarësimin e Malit të Zi, si ish-shtet anëtar i federatës së mëparshme jugosllave. Pos kësaj mysafirin e ka njoftuar me atë se komuna urbane disponon me buxhet respektabil, si dhe mbi investimet e kryera dhe ato që planifikohen në trevën tonë. Poashtu, z. Ivezaj e ka informuar për gatishmërinë e trevës sonë për investimet nga ana e diasporës sonë të numërt e cila gjendet në SHBA, për mundësitë e shumta të shfrytëzimit të resurseve të kësaj treve, me qëllim të sigurimit të një jetese sa më të mirë për qytetarët e kësaj treve.
Z. Pjetër Ivezaj është falenderuar për pritjen e ngrohtë që i është bërë me rastin e vizitës, dhe ka shtuar se ka vërejtë ndryshime pozitive në trevën e Komunës urbane të Tuzit për sa u përket realizimit të investimeve kapitale, sidomos ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit për fshatrat e Malësisë, pastaj rekonstruktimi i rrugës drejt kalimit kufitar Bozhaj, si dhe punimet në rekonstruktimin e urës në Dobrçin.
Prezent në takim ishin edhe kryetari i Kuvendit të Komunës urbane të Tuzit, z. Fadil Kajoshaj dhe Nua Ivezaj afaristë nga Michigan, SHBA. Pjesëmarrësit e takimit kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim të mëtutjeshëm më intenziv, kurse kryetari i Komunës urbane të Tuzit, Nikollë Gegaj dhe kryetari i Kuvendit, Fadil Kajoshaj i janë falenderuar mysafirit për vizitën.

ADMINISTRATA E KOMUNËS URBANE

KOMENTOJE

Furra Tahiri