Shqiptarët kërkojnë gjuhën shqipe në Parlamentin malazias

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Parlamentin e Malit të Zi, ditën e enjte kanë kërkuar që t’u mundësohet përdorimi i barabartë i gjuhës së tyre amtare e shkrimit dhe për këtë të hapet edhe zyra e përkthimit nga gjuha shqipe dhe në gjuhën shqipe.

Deputeti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi, thotë se në Kuvendin e Malit të Zi nuk zbatohet e drejta e shqiptarëve e përdorimit të barabartë të gjuhës dhe alfabetit të tyre, njofton KosovaLive.

“Nëse demokracia fillon në Parlament, pikërisht ai duhet të jetë shembull edhe në respektimin e gjuhës amtare të shqiptarëve dhe të shkrimit të tyre”, thotë Bardhi.

Ndërkaq, ligjvënësi i krahut të opozitës, ai i Partisë Demokratike Serbe, Budimir Aleksiq, i cili nuk e njeh gjuhën malazeze, kërkon gjuhën serbe dhe shkronjat cirilike, duke thënë se “kryeparlamentari malazias flet e shkruan një gjuhë që nuk e kuptojmë fare, me do shkronja të çoroditura”.

Karshi tij, deputeti i Partisë Boshnjake, Sulo Mustafiq, shprehet se po merren vesh shumë mirë, meqë gjuha serbe, ajo malazeze, boshnjake dhe kroate janë gjuhë të një baze linguistike dhe nuk ka nevojë për përkthim. /KohaNet/

KOMENTOJE