Serbët e Veriut, “gati pavarësinë” – Kundërpërgjigjen shqiptarët e Preshevës

Serbët e veriut të Kosovës duket se e kanë menduar seriozisht kërcënimin për shpalljen e pavarësisë së Veriut të vendit, aq sa tashmë kanë hartuar një ‘Deklaratë pavarësie të Republikës së Kosovës Veriore’.

Portali “Indeksonline” ka parë një draft të kësaj deklarate që po qarkullon mes serbëve të veriut. Në hyrje të saj thuhet se Zoti u jep të gjithë njerëzve të drejta të barabarta kur lindin dhe se pas shumë viteve mes “vuajtjeve” dhe “tendencën e institucioneve të Kosovës për të asimiluar serbët,” ata detyrohen të shpallin shtetin e tyre të pavarur.

Në deklaratë shkruhet se pas një mbledhje të jashtëzakonshme në Mitrovicë, e cila konsiderohet si kryeqyteti
i Republikës së Kosovës Veriore, dhe duke iu referuar mendimit këshillëdhënës të GJND-së në Hagë në lidhje me pavarësinë e njëanshme të Kosovës, serbët duan të shpallin pavarësinë.

Ata konsiderojnë zgjedhjen e insitucioneve të tyre si shprehje e vullneti të popullit që tashmë kërkon të jetë i pavarur. Fjali pas fjalie deklarate flet se çfarë shteti i mrekullueshëm do të jetë “Republika e Kosovës Veriore”, ndërsa ftohen të gjitha shtetet e botës që ta njohin atë. /TCH/

Nëse shpallet “pavarësia” në veri, edhe Lugina do ta bëjë

Kërcënimit të serbëve të veriut të Kosovës për shpalljen e pavarësisë nga Kosova, u janë kundërpërgjigjur edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa ka thënë në emisionin “Info-magazina” në Klan Kosova se shqiptarët në këtë rajon kërkojnë të jenë pjesë e Kosovës, transmeton Presheva.com.

“Duhet të kërkojmë zgjidhjen më fatlume për shqiptarët që të jenë pjesë integrale e Republikës së Kosovës. Nëse serbët e veriut e shpallin pavarësinë atëherë ne në Luginë do ta bëjmë të njëjtën gjë në mënyrë reciproke”, citohet të ketë thënë Mustafa. /Telegrafi/

KOMENTOJE

Furra Tahiri