FIFA zyrtarisht i jep fund idesë së bashkimit të Superliges shqiptare me atë të Kosovës, apo kalimit të disa skuadrave kosovare në ligen shqiptare. Organi më i lartë i futbollit në botë, ka dhëne përgjigje negative në lidhje me kërkesën që FSHF (Federata Shqiptare e Futbollit) kishte dërguar në ketë institucion, për të parë mundësinë e një lige të përbashkët mbarëkombëtare.
Nëpërmjet një korrespondence mes FSHF-së dhe FIFA-s, pas kërkesës së disa skuadrave për të marrë pjesë në kampionatin shqiptarë, ka ardhur përgjigje negative.
FIFA i rikujton edhe një herë pikën 79-të të statutit të saj ku saktësohet se anëtarët e FIFA-s apo anëtarët e përkohshëm të konfederatës, nuk duhet të luajnë ndeshje apo të kenë kontakte sportive me lojtarë apo klube që nuk janë anëtarë të FIFA-s apo anëtarë provizorë të konfederatës.
Klubi më i mirë i Kosovës FC Prishtina ishte e para që nisi këtë kërkesë FSHF-së që ti bashkëngjitet ligës shqiptare, e cila kërkesë u mirëprit nga FSHF-ja por u refuzua nga FIFA.
Plani B i Prishtinës, “zhvendosja” në Kukës
Klubi më i trofeshëm kosovar, Prishtina, nuk e ka ndërmend të dorëzohet në tentativën e saj për t’iu bashkuar Superiores së Shqipërisë në futboll. Zyrtarë të klubit Prishtina kanë zbuluar edhe “Planin B”. Presidenti i klubit “bardhekaltër”, Remzi Ejupi, thotë se gjatë javës së ardhshme do të mundohet të kryejë të gjitha proceduarat ligjore për të bërë klubin Prishtina me një seli edhe në qytetin e Kukësit.
Dhe, nëse e realizon këtë, ai mendon se nuk do të ketë asnjë pengesë juridike, qoftë edhe nga UEFA e FIFA, që Prishtina nga stinori i ardhshëm të luajë në Shqipëri. Ai pohon se gjatë kësaj jave do të udhëtojë në Shqipëri ku edhe do të kërkojë mbështetje nga zyrtarët e klubeve dhe nga Federata Shqiptare e Futbollit për “idenë e re”. /KohaNet/