Tuz, Malësi – 10 Shkurt – Fran Lulgjuraj nga radhët e Partisë Demokratike të Socialistëve (Milo Djukanovic) u zgjedh sot kryetarë i komunës Urbane të Tuzit.
Për kryetarin e ri votuan 12 këshilltarë, 7 ishin kundër kurse një fletë votimi ishte e pavlefshme.
Fran Lulgjuraj zëvendësoj kolegun e tij partiak Nikollë Gegaj pas dorëheqjes së tij, pasi u zgjedh deputet në Parlamentin malazez.
Lulgjuraj për gazetën Pobjeda tha se do të kujdeset për ruajtjen dhe përmirësimin e nivelit të bashkëpunimit me Podgoricën dhe me të gjitha komunat tjera malazeze.
“Bashkëpunimi është i domosdoshëm si me kryeqytetin ashtu dhe me të gjitha institucionet tjera shtetërore. Çka është mirë për Malësinë është mirë edhe për Podgoricën dhe anasjelltas”, tha Lulgjuraj. Ai gjithashtu tha se do të punoj që Tuzi të bëhet komunë.
Lulgjuraj në të kaluarën ishte gazetarë i –Titogradska Tribina- dhe kishte punuar si profesor në Gjimnazin e Tuzit. Ai gjithashtu ishte konsulli gjeneral i unionit Serbi – Mali i Zi në New York si dhe nënkryetari i Komunës së Podgoricës.
Funksioni i tij i fundit ishte sekretari i parë i Ambasadës së Malit të Zi në Maqedoni.
Tash gati një vit ishte pa ndonjë funksion politik.
Partnerët e koalicionit të PSD-së (DPS), Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Boshnjake të cilët udhëheqin Komunën urbane të Tuzit, kishin paralajmëruar se do të pranojnë cilindo kandidat që do të propozojnë PSD. /Malesia.Org/