Një grup deputetësh të Parlamentit të Republikës së Kosovës do të bëjnë një kërkesë zyrtare për bashkim të Kosovës me Shqipërinë. Një kërkesë e tillë do të bëhet nga 12 deputetë dhe pritet të firmoset nga 30 deputetë gjithsej, duke bërë kështu që të mundësohet limiti për shqyrtim parlamentar të ligjshmërisë së kërkesës.
“Kjo kërkesë vjen pasi qeveria e Kosovës vendosi të pranojë një fusnotë e cila përjashton përdorimin e termit Republikë në mjediset e jashtme diplomatike dhe të tjera. Bëhet e ditur se kërkesa e deputetëve ka mbështetjen edhe të kryetarit të Parlamentit, Jakup Krasniqi. Kjo kërkesë ka mbështetje dhe nga deputetët e minoritetit turk në Kosovë”, raporton Agjencia e Lajmeve NOA.
Sakaq sot, kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi duke komentuar pranimin e fusnotës nga Qeveria e Kosovës, nënkuptoi se nuk ishte pro kësaj fusnote, kur tha se për të sqaruar nëse kjo është bërë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës apo jo, i takon Gjykata Kushtetuese të Kosovës ta thotë fjalën e vetë. Edhe pse nuk është përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë se a është dëmtuar Kosova nga kjo fusnotë, ai ka lënë të kuptohet se zhvillimet në shoqëri, jo gjithnjë janë pozitive.
Ndërkohë nga burime të Prishtinës bëhet e ditur se grupi i 12 deputetëve nismëtarë, këto ditë do të gjendet në Tiranë ku do të ketë një takim me presidentin shqiptar, Bamir Topi. Raportimi bëhet nga mediat greke nga të cilat po ashu mësohet se këta deputetë të Prishtinës do t’i paraqesin Topit, kërkesën për bashkim të dy shteteve të një kombi.
I menjëhershëm reagimi i mediave greke lidhur me këtë raportim. Disa media në Athinë shkruajnë se pas kësaj nisme, i druhen shumë zhvillimeve në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë pasi atje dihet se popullsia shqiptare është në masën e të paktën 37 për qind dhe një reaksion zinxhir do të ishte i mundshëm. /KohaNet/