Me nderime të larta u përcoll për banesën e fundit Tomë Berisha (e plotësuar)

Mbledhja komemorative në nderë të Tomë Berishës

Tuz, Malësi (5 Mars 2012)

“Një borxh e kemi,
Eshtrat,
Që në Malësi janë gdhendur,
Dhe që janë të përjetshëm,
T’ia kthejmë NËNËS MALËSI”

Me këtë moto, të nxjerrë nga njëra prej poezive të Tom Berishës, të dielën me 4 Mars 2012, në ora 9-00, nën organizimi e OJQ Illyricumi dhe spektrit politik shqiptar në QKI Malësia u zhvillua mbledhja komemorative për nderë të akademikut dhe gjeneralit, prof. dr. Tomë Berishës.
Në mbledhjen komemorative përpos familjarëve e të afërmve morën pjesë përfaqësues të institucioneve më të larta shtetërore dhe shkencore të Shqipërisë dhe Kosovës:
– Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Tonin Beci,
– Ndihmës ministri i FSK të Kosovës, prof. dr. Bejtush Gashi
– Akademikët e ASHAK-ut, zotërinjtë Mark Krasniqi dhe prof. dr. Fejzullah Krasniqi
– Këshilltari i ministrit Agim Çekut, Mark Shala si dhe
– Ish studenti e më vonë bashkëpunëtori i ngushtë i Tom Berishës, z. Fadil Demiri.

Mbledhjen e udhëhoqi Nikollë Berishaj, kryetar i shoqatës Illyricumi – Tuz, kurse për jetën dhe veprimtarin e çmuar të Tomë Berishës foli prof. Mark Dushaj. Mbledhjes komemorative iu drejtua edhe Gjergj Ivezaj, njëri nga veprimtarët e shquar të diasporës, ku Toma ndjehej si i veti ndër të vetët.
Në fund Shoqata Illyricumi u ndau të gjithë pjesëmarrësve përmbledhjen e poezisë së Tom Berishës “Himn jetës dhe rruzullimit” , të cilën e kishte botuar kjo shoqatë para disa vjetësh, por që nuk pati mundësi ta promovojë për shkak të moshës së thyer të autorit.

Varrimi i akademikut dhe gjeneralit Tomë Berisha

Me nderime të larta, në praninë e mijëra bashkëvendësve, familjarëve dhe të afërmve, përfaqësuesve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, Ambasadorit të Shqipërisë në Mal të Zi, zyrtarëve të Republikës së Kosovës, intelektualëve dhe përfaqësuesve të spektrit politik nga Malësia, si dhe përfaqësuesve të Shoqatave Atdhetare nga SHBA-të u përcoll për në banesën e fundit, në varrezat pranë Kishës së Shën Mhillit në Dinoshë të Malësisë, gjeneral Tomë Berisha. Sa e natyrshme ishte afërsia e varrezës së Baca Kurtit dhe Gjergj Gjokajt. Sikur dëshironin tua kujtojnë të gjithë malësorëve se “Të vdekurit ua hapin sytë të gjallëve”.
Dhe sa e natyrshme ishte roja e nderit rreth trupit të pajetë të gjeneralit, ndonëse kësaj radhe për uniformë kishin veshjen kombëtare shqiptare, ashtu siç kishte vepruar gjithmonë i ndjeri Tomë.

Nga njeriu që i arriti të gjithë titujt e mundshëm shkencorë, të kurorëzuar me titullin e akademikut dhe të gjitha gradat e mundshme ushtarake të kurorëzuar me gradën e gjeneralit, e që edhe përkundër kësaj mbeti NJERI, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit Hashim Thaçi, u nda zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, zoti Fatmir Shurdha.

Me fjalë të zgjedhura, duke përkujtuar udhëtimin e parë me anijen “Venezia” prej Durrësit në Brindizi me qëllim të vazhdimit të studimeve në Itali, iu drejtua masës bashkëmendimtari, bashkëluftëtari dhe shoku i ngushtë i Tomës, Akademik Mark Krasniqi.

Në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe në emër të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës, ku kishte ligjëruar Toma me vite të tëra, nga ish profesori, e më vonë kolegu i tij u nda Akademik prof. dr. Fejzullah Krasniqi.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, shkëlqesia e tij Tonin Beci i lexoi telegramet e ngushëllimit dërguar familjes Berisha, nga Presidentit i Republikës së Shqipërisë prof. dr.Bamir Topi dhe nga Kryeministri të Republikës së Shqipërisë prof.dr.Sali Berisha, në të cilët shprehen konsideratat më të larta të të dy institucioneve, por edhe udhëheqësve të tyre për të ndjerin Tomë.

Telegramet e ngushëllimit të ardhura nga institucionet më të larta shtetërore të Kosovës: nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe nga Ministrit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, i lexoi zoti Ma. Mehmet Prishtina, nipi i patriotit të shquar shqiptar Hasan Prishtinës.

Në emër të familjes së Tom Berishës, të djemve Antonit dhe Leos me familjet e tyre, të pranishmëve u drejtua prof. dr.Martin Berishaj i cili foli për veprimtarinë dhe jetën e akademikut dhe gjeneralit, prof. dr. Tomë Berisha.
“Në emër të familjes Berisha i falënderohemi z Ilir Gojçaj prej familjes së Prëkë Gjon Nikë Markut i cili solli flamurin kombëtarë me të cilin u mbulua arkivoli i Gjeneral Tom Berishës. Flamuri do të dorëzohet në Muzeun Kombëtarë”. /Malesia.Org/

FOTOGRAFITË (nga mbledhja komemorative)
Fjalimi i Mark DushajFjalimi i Gjergj Ivezaj

FOTOGRAFITË AUDIO fjalimet (nga ceremoniali i varrimit)

Furra Tahiri