Fjala e rastit e Mark Dushajt, profesor në Mbledhjen komemorative të mbajtur në Tuz, më 04. 03. 2012

Mortpërkujtues,
Kthejmë në kujtesë njeriun e denjë për ta përkujtuar. Kujtojmë Tom Berishën!
Shkove si shumë bashkëvendas në dhena të huaja, por asnjani s’u kthye gjeneral.
Kthehesh gjeneral (Tom Berisha), por pa ushtarë në vendlindje. Vendlindja e përçudnueme: me shtëpia të lëshuese, me ledhije të rrënueme, me logje e katunde të vdekuna. Kah kështu?
Vendlindja kushtrimon deri në kupë të qiellit për kthimin e të gjallëve, por i mirëpret edhe të vdekunit. Përtërihen vorret në vendlindje, në të cilën s’ka kush të vdesë. Në vendlindje s’ndëgjohet “kanga e majekrahit”, por klithma e gjamave. Nuk e pret gjama gjamën. Gurrat dhe krojet nuk gurgullojnë, por në heshtje gjamëtojnë. Kjo gjendje të mundon kur pohon: “Nuk mund të shkëputem nga mallëngjimi për gjendjen tragjike të vendlindjes sime”, për ç’arsye vjershëron:
fshajnë malet e Malësisë së Madhe nga dhembja për bijtë dhe bijat

A e përqafuem, a e domosduem fatin që të zgjedhunit ta përfundojnë jetën në mërgim? Naimi nga Stambolla vjershëroi për Shqipërinë, e Toma nga jashtë veproi për Kosovën e vargëzoi për Malësinë. Nga Azia Gjergji u kthye Skënderbe, përëndimësues dhe shpëtues i Evropës. Siç i bashkoi princët arbënorë donte ta bashkonte Evropën kundër fuqisë vërshuese turke. Nuk e ndëgjuen, e ma vonë as Lajbnicin. Por sot?
Të fisit Berisha ishin dy luftëtarë të Skënderbeut: Dhimitri dhe Nikolla, e ndoshta pasardhësi i tyne – Tom Berisha donte dhe u përpoq me sa mundësi kishte, në rrethanat ekzistuese, për bashkimin kombëtar. Ky ishte qëllimi parësor dhe madhor i Tomës. Shqiptarët ta duen njani tjetrin, mos të tëhuajën, të bashkëpunojnë, se vetëm ashtu ripërtëritet, ringjallet shpirti shqiptar.

Veprat të banë me kënë burrë i burrave, shkencëtar në mes të shkencëtarëve e vjershëtar midis poetëve. Veprimtaria e shumanshme rrjedh nga urtësia, mençuaria e çfaqun në punimet shkencore, e sipas fuqisë së fantazisë dhe frymëzimit lindi vjershëria, poezia jote, Tomë.

Jetëshkrimi i Tomës dëshmon aftësitë praktike, organizuese dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në Luftën e Dytë Botënore, në Shqipni dhe Mal të Zi. Ky luftëtar i lirisë luftoi për liri. Toma ishte i vetëdijshëm se asht i lirë, nëse e realizon personin e vet njerëzor dhe asht ai që asht, dmth, nëse nuk mvaret nga tjetri, por asht zot i vetes. Fillimisht kjo luftë tregohej si qëllimmirë, por ma vonë u përhatajua. Pas luftës Toma largohet nga të gjitha funksionet politike në Mal të Zi dhe u kushtohet studimeve e kërkimeve shkencore, tue arrit të bahet doktor i shkencave.
Pas pensionimit ligjëron për shumë vjet në Kosovë, në Universitetin e Prishtinës.
Kosova dhe trojet etnike shqiptare ishin çashtje parësore e Tom Berishës. Dmth si të përqartësohet dhe çfarë përpjekjesh konkrete të bahen për bashkimin natyror kombëtar. Ushtaraku me përvojë dhe kosovëdashësi harton planin e organizimit të Ushtrisë Çlirtimtare të Kosovës, të cilën e quan “dritë hyjnore, lajmëtare e ngjarjeve” . Vërtetë krijohet nji shtet i ri. Prandaj, UÇK-ja asht ushtri ngadhnjimtare dhe lajmëtare e lirisë. Atë e krahason me galaktikën. Të panumërt janë ushtarët e UÇK-së siç janë yjet në galaktikë. Ata bien dëshmorë, flijohen e ndriçojnë përjetë tue krijua galaktikën e Martirëve.
Dëshmori ngadhënjen vdekjen, për ta vazhdua jetën!

E ti Tomë, gëzoje “faqen” tjetër të jetës – vdekjen!

Të kjoftë e lehtë toka!

Furra Tahiri